Angli, 4 shqiptarë në pranga për emigracion të paligjshëm

ANGLI- Ditën e hënë 4 shtetas shqiptarë u panë nga oficerë të policisë britanike duke dalë nga ana e pasme e një kamioni. Pas një ndjekje të shkurtër, ku u përfshi dhe një helikopter, të katërve i’u vunë prangat për emigracion të paligjshëm.
Sipas mediave angleze 4 shqiptarët u panë ndërsa dilnin nga ana e pasme të një kamioni të parkuar në rrugën Mildenhall të Bury St Edmunds. Fill pas senjalizimit të tyre, rreth orës 10 të mëngjesit, ka nisur një operacion ndjekjeje, për rreth një orë e gjysmë, që u finalizua me kapjen e të gjithë të dyshuarve. Në operacion u përdor dhe një helikopter i policisë britanike.
Identiteti i të arrestuarve ende nuk bëhet i ditur ndërsa vetëm raportohet se janë të gjithë meshkuj dhe të moshës 21, 26, 37 dhe 40 vjeç. Akuza që rëndon ndaj të akuzuarve është ajo e emigracionit të paligshëm, ndërsa është bërë e ditur që të 4 të ndaluarit mbahen në Qendrën e Hetimit të Suffolk.
Add new comment