AI: Koha që t'iu jepet prioritet krimeve të luftës në Kosovë

Postuar në 26 Prill, 2012 05:11

 Në qershor të këtij viti, Këshilli i Bashkimit Evropian do të miratojë zgjatjen e mandatit të Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. Në raportin e saj më të ri, organizata Amnesty International (AI) apelon që ky mandat të përfshijë masa specifike, të cilat sigurojnë se EULEX-i, si çështje me urgjencë, do të konsiderojë hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve, përfshirë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. 

Amnesty International nënvizon se është në dijeni për rikonfigurimin e EULEX-it gjatë dy viteve të ardhshëm, kur misioni pritet të zvogëlojë personelin në sektorin e policisë dhe të doganave, duke u përqendruar në sistemin e drejtësisë, njofton Rel. 

Organizata konsideron se kjo është një mundësi ideale për të forcuar komponentët ndërkombëtarë dhe lokalë në sektorin e drejtësisë dhe, rrjedhimisht, sipas AI-së, duhet të sigurohen burime dhe personel i nevojshëm për të adresuar në mënyrë efektive mosndëshkimin e vazhdueshëm në Kosovë. 

Raporti thekson se kudo në Ballkan, mosndëshkimi i krimeve të luftës mbetet një nga shqetësimet më serioze të të drejtave të njeriut. Në Kosovë, mosndëshkueshmëria vazhdon “për krime lufte të kryera nga të dyja palët në konfliktin e armatosur të vitit 1999”. 

“Vetëm ca policë serbë, forca militare dhe paramilitare, përgjegjëse për krime lufte kundër shqiptarëve kosovarë, janë sjellë para drejtësisë. Megjithatë, edhe më pak anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përgjegjës për krime lufte kundër serbëve kosovarë, romëve dhe anëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë, janë ndjekur penalisht apo janë dënuar”, thuhet në raportin e Amnesty International. 

Amnesty International ka paraqitur edhe një përmbledhje të rekomandimeve, ku ndër të tjera u kërkon shteteve anëtare të BE-së dhe vendimmarrësve të tjerë që në rishikimin e mandatit të EULEX-it 2012-2014, të sigurojnë se EULEX-i: i jep prioritet hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve kundër së drejtës ndërkombëtare, përfshirë rritjen e numrit të policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it për çështjen e krimeve të luftës, ruajtjen e rolit të stafit ndërkombëtar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore deri në trajtimin e personelit profesional lokal, sigurimin e hetimit dhe të ndjekjes penale të rrëmbimeve të pas-luftës të serbëve, romëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë, sigurimin e hetimit dhe të ndjekjes penale të dhunimeve dhe formave të tjera të dhunës seksuale, heqjen e barrierave për hetime dhe ndjekje të shpejtë penale, eksplorimin e mundësive për krijimin e një mekanizmi apo institucioni afatgjatë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, pasi EULEX-i të lërë Kosovën etj. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.