5 qytete shqiptare, ku do festohet dita kombëtare të Greqisë

Gjirokastra, Korça, Himara, Saranda dhe Përmeti do bëhen pjesë e festimeve të 28 tetorit, festës kombëtare greke, që shënon përvjetorin e refuzimit grek ndaj ultimatumit italian për të hyrë në Greqi pa hasur rezistencë.
28 tetori i vitit 1940 njihet në Greqi si dita e 'JO'-së, ditë kur u shënua fillimi i luftës italo-greke. Që atëherë, përvjetorët e kësaj dite festohen në Greqi si festë kombëtare.
Këtë vit, në 72-vjetorin e kësaj dite, në mbarë Greqinë janë programuar festime, por një program i qartë është hartuar edhe për festimet në Shqipëri, në Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Korçë e Himarë.
Nën kujdesin e Konsullatës së përgjithshme greke në Gjirokastër, festimet do të mbahen në Vuliarat dhe Këlcyrë, në bashkëpunim me krahinën e Dropullit.
Në Vuliarat, të dielën më 28 tetor, pas Liturgjisë Hyjnore në Kishën e Shën Athanasit, do të kryhet një shërbim përkujtimor në Kishën e Shenjtë, duke respektuar të rënët me një minutë heshtje dhe kurora.
Një përkujtimore ditën e diel do të zhvillohet edhe në Manastirin e Shën Nikollës, nëKëlcyrë të Përmetit. Pritet që ambasadori i Greqisë në Tiranë të vendosë këtu, një kurorë me lule.
Ndërkohë në Korçë, festimet do të kryhen të shtunën, 27 tetor 2012, nën patronazhin e Konsullatës Greke në këtë qytet. Festimet do të fillojnë me një meshë falënderimi në Kishën e Shën Marisë dhe do të vazhdojnë me vendosjen e kurorave me lule, në memorialin e luftës në fshatin Boboshticë.
"Sot, ndoshta më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për një ditë frymëzuese të rikujtojmë disa virtyte jo aq të largëta të unitetit dhe kurajës sfiduese, që çoi në momentet e madhështisë. Fjalë të mëdha? Jo! Një realitet historik i 72 viteve më parë. Korça, një nga vendet e mrekullisë që ndodhi, nuk ka harruar dhe ju pret. Dhe kush e di? Ndoshta ripagëzimi do të sjellë një mrekulli të re", shprehet konsulli grek në Korçë, I. Pedioti, në fjalën e tij të përshëndetjes me këtë rast, që botohet paraprakisht në mediat greke. Një pritje për ditën e fitores do të mbahet në mesditë në "Grand Hotel" në Korçë, ndërsa më herët një manifestim përkujtimor do të mbahet nga nxënësit e shkollës greke "Omiros", po në këtë qytet.
Edhe Himara është pjesë e festimeve për përvjetorin e 'JO'-së, festime që do të jenë të kombinuara me ngjarjet e 100 viteve të çlirimit të Himarës nga turqit (1912). Një ceremoni do të zhvillohet sot (e shtunë), në Kishën e Gjithë Shenjtorëve.
Në Sarandë festimet zhvillohen në Kinemanë e Sarandës me shkollën greke dhe shkollat e tjera të qytetit, një ngjarje artistike me këngë dhe recitime të poezive dedikuar për përvjetorin e "JO"-së.
Simboli i datës 28 tetor
Ndryshe nga vendet e tjera që festojnë dhe kanë vendosur si ditë pushimi ditët e përfundimit të dy luftërave botërore, Greqia ka vendosur si festë kombëtare futjen në Luftën e Dytë Botërore, d.m.th. fillimin e luftës greko-italiane. Në Greqi, të gjithë përvjetorët e mëdhenj kombëtarë janë të lidhur me fillimin dhe jo me përfundimin e një lufte, d.m.th. me pjekurinë e kombit për revoltë kundër skllavërisë (25 Mars) ose fashizmit (28 Tetor).
Në orët e para të mëngjesit së 28 tetorit të vitit 1940 qeveria e atëhershme italiane i dërgoi një ultimatum Greqisë, nëpërmjet ambasadorit italian në Athinë, Emanuele Grazzi, i cili ia dorëzoi personalisht kryeministrit grek, Ioanis Metaksas, në shtëpinë e tij, me të cilën kërkonte kalimin e lirë të trupave italiane nga kufiri greko-shqiptar, në mënyrë që në vazhdim të pushtojë disa pika strategjike të Mbretërisë së Greqisë (porte, aeroporte, etj.), për nevojat e furnizimit dhe për lehtësira të tjera, për avancimin në Afrikë. Pas leximit të tekstit, kryeministri grek ktheu shikimin e tij tek ambasadori italian dhe u përgjigj në gjuhën franceze (gjuha zyrtare diplomatike) me frazën historike: "Alors, c'est la guerre", (Pra, kjo do të thotë luftë), duke treguar kështu pozicionin negativ mbi kërkesat përbuzëse italiane.
Vetë Grazzi në kujtimet e tij, që u botuan në vitin 1945, përshkruan këtë skenë: "Kam urdhër z.Kryeministër t'ju bëj një njoftim", dhe i dhashë letrën. Unë pashë emocion në duart dhe në sytë e tij. Me një zë të qëndrueshëm dhe duke më parë në sy, Metaksas më tha: Kjo do të thotë luftë. Iu përgjigja se kjo mund të shmanget. M'u përgjigj OXI! (JO!). U largova duke u përkulur me respektin më të thellë, para këtij plaku, i cili preferoi sakrificën, në vend të skllavërisë".
Dy orë pas ngjarjes së mësipërme, filloi lufta greko-italiane me futjen e trupave pushtuese italiane, kështu, Greqia për t'u mbrojtur u përfshi në luftë.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment