“Shërbimet sekrete jashtë kontrollit, po kthehen në polici partiake të Berishës”

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, në intervistën dhënë për gazetën “Shqip” jep alarmin për kthimin e strukturave kryesore të shërbimit inteligjent në një polici partiake të Kryeministrit Sali Berisha. Gjoni jep raste konkrete ku SHISH po del nga kontrolli, duke përgjuar aktivitete politike, grevën e ish të përndjekurve dhe madje dhe protestat e banorëve për CEZ-in. Për deputetin e PS-së, të gjitha shërbimet sekrete SHIU, SHISH dhe SHKB janë prej kohësh jashtë kontrollit parlamentar. “Asnjë prej tyre nuk mbikëqyret a monitorohet. Lëvizjet e bëra rishtazi jo vetëm që kanë sjellë amulli, por nga çka kemi konstatuar prej atyre pak të dhënave zyrtare në dispozicion, vërejmë se ka një mungesë të frikshme profesionalizmi, si dhe tendencë për t’i vënë këto shërbime nën kontrollin e partisë shtet. Kështu, pa pasur frikë se nxjerr ndonjë sekret shtetëror, nuk mund ta justifikoj praninë e SHISH gjatë grevës së urisë të të përndjekurve politikë, prani e justifikuar prej drejtorit të sapozgjedhur me ‘motive të sigurisë kombëtare’”, deklaron Gjoni. Ndërsa bën të ditur se në janar PS-ja do të paraqesë si nismë të saj draftin për mbikëqyrjen parlamentare, si dhe do të thërrasë për raportin në komision një seancë dëgjimore me Njësinë e Inteligjencës Financiare, organi që merret me hetimin e parave e transfertave bankare të dyshimta nxitur nga raporti i fundit i GFI.
Z. Gjoni, gjatë këtij viti që po mbyllet, preokupimet kryesore kanë qenë çështjet e sigurisë në vend. PS ka ngritur disa herë shqetësime për këtë fushë, duke u fokusuar në problemet e SHIU-t kryesisht. Kohët e fundit u miratua dhe një ligj vetëm me votat e mazhorancës. Çështja e interceptimeve të paligjshme ka qenë shqetësimi i opozitës. Si do t’i komentoni ju këto zhvillime?
Para se të flasim për çështjen e interceptimeve apo të SHIU-t, më lejoni të ritheksoj atë shqetësim të vazhdueshëm që opozita ka ngritur dhe që është bërë një nga çështjet më të rënda – siguria në tërësi dhe siguria e jetës në veçanti. Problemi qëndron në faktin se Siguria nuk konceptohet si një mall publik, i cili konsumohet jo mbi baza partiake, por nga e tërë shoqëria. Së dyti, koncepti i sigurisë është shumë më i gjerë se sa ajo që gjerësisht konceptohet si rend publik. Siguria në tërësinë e vet ngërthen një shumëllojshmëri fushash, duke filluar nga ajo e sigurisë së jetës, sigurisë së vendit, sigurisë ushqimore, sigurisë energjetike e një pafundësi fushash të tjera. Vendi ynë sot përballet me sfida të mëdha të sigurisë. Shqipëria ndodhet ndoshta në momentin e saj më kritik. Ndonëse në pamje të jashtme duket se vendit nuk i kanoset ndonjë rrezik, edhe për faktin se tanimë jemi pjesë e strukturës më të fuqishme të sigurisë në botë që është NATO, prapë se prapë rreziqet që e kanosin sigurinë e vendit tonë janë po aq eminente dhe serioze sa dhe në vitet e para të demokracisë. Rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë është përçarja e popullsisë dhe mungesa e kohezionit. Janë thelluar ndarjet Veri-Jug; Po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tre besimeve kryesore fetare (disa prej tyre janë vënë nën kontrollin e rrymave ekstremiste); dhe ç’është më e keqja, shoqëria e ndarë në përkrahës të partive politike i ka kapërcyer kufijtë dhe caqet e funksionimit demokratik dhe po bëhet gjithnjë e më evidente ndarja “armiqësore” dhe urrejtja mes përkrahësve të njërës apo tjetrës forcë politike. Rreziku tjetër është kërcënimi real ndaj integritetit të kufijve të Shqipërisë. (Rasti i marrëveshjes së Detit me Greqinë); Rreziku i zhdukjes artificiale të vetë kompaktësisë etnike që po realizohet përmes politikave klienteliste e në dëm të interesave kombëtare të ndjekura nga elementë politikë me influencë në dëm të interesave kombëtare dhe veprimtarisë së pareshtur të agjenturave të huaja. Teza e Shqipërisë “multietnike”, e cila po promovohet nga qarqe shovene shoqëruar me daljen në pah të kërpudhave etnike të panjohura deri më sot; Institucionet e dobëta dhe të kapura, sidomos drejtësia; Rrënimi i sistemit arsimor dhe largimi i trurit; Rreziku i krimit të organizuar, i cili tashmë është kthyer në endemik për shoqërinë; Varfëri në përgjithësi dhe papunësi në veçanti, ku në një vend me 3 milionë banorë, 1 milion janë të papunë. Por, për t’u fokusuar te shqetësimi i përditshëm, pra te siguria e jetës, të gjithë jemi dëshmitarë të degradimit të situatës së sigurisë në vend dhe kjo ka ardhur duke u përkeqësuar në vijimësi. Ai që pretendonte se do të drejtonte me duar të pastra, jo vetëm që nuk i ka të pastra duart, por akoma më keq, i ka lyer me gjakun e qytetarëve, si duke mos qenë i aftë të garantojë jetën e qytetarëve, ashtu dhe duke u marrë jetën atyre, siç ishte rasti më flagrant e kriminal i 21 janarit. E gjithë kjo situatë nuk është e rastësishme. Ajo lidhet me konceptet e cekëta, sipërfaqësore e sa “për të hedhur hi syve” që ka kjo qeveri. Flasin për luftë kundër korrupsionit dhe korrupsioni ka kapur majat. Mjafton shembulli i ditëve të fundit i raportit të GFI (sipas burimeve të FMN e BB) për transfertat prej 1.3 miliardë dollarësh para të pista, gjeneruar nga evazioni fiskal, krimi i organizuar dhe korrupsioni, që kanë dalë jashtë vendit. Flitet për luftë kundër krimit të organizuar, bëhen strategji kombëtare, por gjithçka mbetet vetëm në letër. Për këtë të fundit, madje vetë Kryeministri është “mbikëqyrësi” dhe raportuesi i “arritjeve” të saj e ndonëse e ka detyrim të përcaktuar të raportojë çdo tre muaj, tanimë kjo strategji i ka mbaruar afatet dhe nuk është bërë asnjë raportim. Madje unë personalisht i kam kërkuar disa herë me shkrim të informojë publikun dhe kam ndeshur në heshtjen e tij. Ndërkohë që krimi i organizuar ka hedhur rrënjë thellë, madje në sferat më të larta të shtetit. Po t’i hidhni një sy programit të kësaj qeverie, aty flitet “për rritje të profesionalizmit, motivimit, ndershmërisë së personelit, rritje të besimit e bashkëpunimit me publikun”. A mund të më thotë dikush se cila prej këtyre është realizuar? Profesionalizëm nuk ka, pasi profesionalizmin e ka zëvendësuar nga partitizmi e nepotizmi, motivim nuk ka, pasi të aftët nuk promovohen, imputet financiare janë ku thërret kiameti. (Para dy ditësh, Sindikata e Policisë së Shtetit ngriti një shqetësim të kahershëm, sipas të cilit punonjësit e policisë nuk janë paguar për orët shtesë dhe dietat), sa për ndershmëri të personelit, atë e dinë qytetarët se sa të ndershëm janë policët e Saliut e sa për bashkëpunimin me publikun, këtu nuk kam asnjë koment, pasi treguesit e situatës kriminale flasin vetë. Nuk mund të ketë produkt cilësor, pa investuar simbolikisht thënë, në hard dhe softëare. Më thjesht, nuk mund të presësh shërbime cilësore p.sh. kur policët, oficerët, nënoficerët, punonjësit e shërbimit informativ janë të keqtrajtuar, keqpaguar, nëpërkëmbur, të pashpërblyer, pa mjete e pajisje, kur u duhet të përballen me kriminelët e terroristët që bakshishin e kanë sa rroga mujore e punonjësve të sigurisë. Kjo situatë mund të thuhet për të gjithë sektorin e sigurisë, ku pa dyshim Ministria e Mbrojtjes zë një vend të spikatur dhe mbetet kampione e mungesës së transparencës, abuzimit dhe politizimit të strukturave.
Parlamenti ka rol kryesor në kontrollin e institucioneve, sidomos të atyre që lidhen me sigurinë. Ky rol duket se është zbehur, ku kontrolli parlamentar është një instrument që nuk ekziston ose është formal. Kohët e fundit pati zhvillime radikale, ndryshimi i shefit të SHISH, u pasua dhe me largime të drejtuesve kryesorë të këtij institucioni. SHIU, nga ana tjetër, pësoi lëvizje të drejtuesve. Si i komentoni këto zhvillime? Opozita ka hedhur dyshime për këto lëvizje, madje ka aluduar duke i lidhur ato dhe me zgjedhjet e pritshme parlamentare të 23 qershorit?
Në programin e kësaj qeverie thuhet se Kuvendi është “institucioni i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës në shërbim të progresit të vendit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian” dhe se mazhoranca dhe qeveria “angazhohen për zbatimin e plotë të këtij programi, do të jenë tërësisht të hapura dhe do të nxisin monitorimin e vlerësimin e performancës zbatuese nga çdo aktor politik e shoqëror i interesuar”. Ju dhe opinioni publik jeni dëshmitarë të fakteve të pakundërshtuara se kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria e cila ka cenuar dhe pothuajse shkatërruar, deri në ekstrem, komponentin bazë të një shoqërie demokratike që është transparenca dhe llogaridhënia ndaj veprimeve të saj. Opinioni publik, mediat, shoqëria kanë qenë të verbër e të shurdhuara, pasi kjo qeveri ka mbytur çdo nismë për transparencë, lëre më pastaj të bëjë ajo vetë transparencën e veprimeve apo politikave të saj. Kjo qeveri është kthyer në një qeveri gangstere, pasi jo vetëm bën çka do, pa asnjë lloj llogaridhënie, por ajo edhe shpërfill ligjet e vendit dhe Kushtetutën. Mjafton të përmendim faktin se ka mbi 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese që hedhin poshtë ligjet apo vendimet e qeverisë dhe ajo i ka shpërfillur të gjitha. E pastaj kërkojmë që të ketë respekt të ligjit nga qytetarët e thjeshtë. Është pikërisht për shkak të abuzimeve, korrupsionit, shkeljes së ligjit dhe frikës nga e vërteta që e ka “detyruar” këtë qeveri që të mohojë të drejtën e popullit për të pasur transparencë mbi financat publike, mallin publik dhe punët e shtetit. Kjo ka qenë arsyeja e vetme dhe e thjeshtë përse Sali Berisha, Arben Imami, Flamur Noka e të tjerë refuzojnë të pranojnë kontrollin parlamentar ndaj dikastereve të drejtuara prej tyre. Nuk ka asnjë arsye të lidhur me sekretet e NATO-s që të pengojë Parlamentin të ushtrojë mbikëqyrjen e tij mbi veprimtarinë e SHIU-t. Por është frika e zbulimit të shkeljes së ligjit prej Arben Imamit e Sali Berishës të cilët SHIU-n e kanë kthyer në një polici politike. Përpjekje të njëjta po bëjnë edhe me SHKB e institucione të tjera të sigurisë. Rasti më flagrant është ai i shërbimit inteligjent shtetëror ose ndryshe SHISH. Ndryshimi i shefit të shërbimit ndoqi një odise të gjatë, e cila u kuptua qartazi që bëhej thjesht dhe vetëm për arsye se Sali Berisha nuk e komandonte dot ish-drejtuesin e SHISH ashtu siç bën ai me institucionet e tjera të shtetit. Sot që flasim të gjitha shërbimet inteligjente që veprojnë në Shqipëri janë jashtë kontrollit të publikut dhe Parlamentit. Asnjë prej tyre nuk mbikëqyret a monitorohet. Lëvizjet e bëra rishtazi jo vetëm që kanë sjellë amulli, por nga çka kemi konstatuar prej atyre pak të dhënave zyrtare në dispozicion, vërejmë se ka një mungesë të frikshme profesionalizmi si dhe tendencë për t’i vënë këto shërbime nën kontrollin e partisë shtet. Kështu, pa pasur frikë se nxjerr ndonjë sekret shtetëror, nuk mund ta justifikoj praninë e SHISH gjatë grevës së urisë të të përndjekurve politikë, prani e justifikuar prej drejtorit të sapozgjedhur me “motive të sigurisë kombëtare”. Fatkeqësisht këta nuk kuptojnë se “siguria kombëtare” nuk është një vlerë në vetvete, por një mjet për të mbrojtur vlerat, pikërisht ato vlera për të cilat grevistët kryen ato akte sublime që tronditën opinionin vendas të huaj. As nuk mund të shpjegoj mbikëqyrjen e veprimtarisë së një force politike gjatë festimeve të 28 Nëntorit në një aktivitet të saj në Veri të vendit (e ndaluar rreptësishtë me ligj). I pashpjegueshëm është motivimi i Shërbimit Inteligjent për të vënë në objektivin e veprimtarisë së tij protestat e qytetarëve kundër kufizimeve nga ana e CEZ me energji elektrike mbi motive të “sigurisë kombëtare” kur këto janë thjesht dhe vetëm çështje të rendit publik. Ndërkohë që shqetësues dhe alarmant është fakti që Shërbimi Informativ Shtetëror “ankohet” se nuk ka kapacitete për të bërë analiza ekonomike të thella e as analiza politike të thella. Dhe ç’është më e keqja, Shërbimi nuk ka bërë asnjë analizë për impaktin që kanë për sigurinë e vendit deklaratat nacionaliste që vijnë nga qarqe shovene fqinje e aq më tepër, të shtetarëve tanë (Kryeministrit) apo grupimeve politike. Natyrshëm çdokush do të shtronte pyetjen – Po atëherë, për çfarë shërben SHISH dhe institucionet e tjera inteligjente?
Kërkuat një komision hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes dhe veprimtarinë e SHIU-t, iu refuzua nga Kuvendi. Ndërkohë që pezull ka mbetur drafti i mbikëqyrjes parlamentare në këto institucione të sigurisë. Si do të veprojë opozita në sesionin e ri kuvendor, për të ndërhyrë në miratimin e një drafti të tillë që ka mbi dy vite që qëndron në Parlament?
Pikërisht për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të bërë transparent veprimtarinë e qeverisë, siç theksova më sipër, ne kërkuam ngritjen e një komisioni hetimor, i cili u refuzua pa asnjë shkak apo motiv juridik të bazuar. Qëndrimi i mazhorancës ishte refuzues me bindje dhe këtë e provoi dhe fakti që jo më larg se pas një muaji, ata refuzuan dhe komisionin hetimor të kërkuar nga opozita për çështjen e mandateve në Kukës. Pra kjo nuk është një rastësi, por një vijë dhe mendësi politike e vetëdijshme. Ndërsa çështja e ligjit për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente është sa e trishtë aq dhe qesharake. E trishtë, pasi që më 10 gusht të vitit 2010 ky ligj ka qenë në tryezën e Jozefina Topallit dhe në dispozicion të mazhorancës. Arsyeja e mosfutjes në axhendën e Kuvendit për dy vjet rresht është e thjeshtë, frika nga zbulimi i zullumeve të qeverisë të realizuara në rrugë antikushtetuese përmes veglave qorre që drejtojnë disa prej shërbimeve inteligjente (ka rreth tetë syresh nga të cilat vetëm gjysma e kanë të rregulluar me ligj të veçantë veprimtarinë e tyre) në Shqipëri, si dhe përdorimi i tyre në favor të Partisë Demokratike sidomos tani, me afrimin e fushatës elektorale. Qesharake, pasi ishte vetë kjo mazhorancë që e ndërmori këtë nismë në fillim të 2010-s, ndonëse me synimin për të vënë nën kontroll ish-drejtorin e SHISH e më pas është po kjo mazhorancë që e pengon atë.
Së fundmi, ju si opozitë keni shprehur shqetësimin në Komisionin e Sigurisë, ku keni kërkuar një seancë dëgjimore me ministrin e Jashtëm. Si e komentoni retorikat nacionaliste të artikuluara së fundmi nga Kryeministri? Këto janë shoqëruar me reagime nga ndërkombëtarët. A mund të na thoni ndonjë axhendë të anëtarëve të opozitës për sesionin e ri për çështjet e sigurisë?
Axhenda jonë do të vijojë me atë çka kemi kërkuar – pra me seancat dëgjimore me ministrin e Brendshëm, kryesisht për situatën e luftës kundër krimit të organizuar, por dhe masat për fushatën e ardhshme zgjedhore; atë të Ekonomisë për çështjet e sigurisë energjetike (shihni se ç’ndodhi me “Albpetrol”-in dhe çfarë ndodh me varësinë ndaj tregjeve të energjisë elektrike ku burimi kryesor furnizues është Serbia. Këto veprime kanë impakt direkt në sigurinë tonë kombëtare), si dhe me ministrin e Jashtëm për të dëgjuar mbi politikat e qeverisë në përballjen me rrymat nacionaliste në rajon dhe brenda vendit dhe impakti i tyre në sigurinë e vendit. Një fokus të veçantë do të ketë realizimi i mbikëqyrjes së të tre dikastereve kryesore të sigurisë-Mbrojtje, Rend e SHISH, pa lënë mënjanë dhe institucionet e tjera për të garantuar qytetarët se nuk do të lejojmë përdorimin e këtyre institucioneve të shtetit nga pushteti. Do të synojmë që në këtë fillim sezoni të realizojmë po ashtu një seancë dëgjimore me Njësinë e Inteligjencës Financiare (organi që merret me hetimin e parave e transfertave bankare të dyshimta nxitur nga raporti i fundit i GFI), ndërkohë që një nga hapat e parë do të jetë dhe paraqitja e ligjit për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente, si një nismë legjislative të Partisë Socialiste.
Add new comment