‘Presidenti’, takohen fshehtas Thaçi e Mustafa

Postuar në 16 Nëntor, 2011 06:37

Dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, janë marrë vesh që zgjedhjet presidenciale të mbahen së bashku me ato parlamentare më 2013, e jo siç ishte paraparë me marrëveshjen e arritur muaj me parë ndërmjet tyre dhe Pacollit, që zgjedhjet për presidentin e ri, të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli të mbahen më 2012.

Thaçi e Mustafa janë marrë vesh po ashtu që Kosova të mos ketë zëvendëspresident, ashtu siç është propozuar nga qytetarët gjatë debateve publike të organizuara për ndryshimin e Kushtetutës. Këtë marrëveshje ata e kanë arritur të martën pasdite në objektin e Qeverisë së Kosovës, pas një takimi të fshehtë dhe larg syrit të medias.

Arritjen e kësaj marrëveshjeje e kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare të gazetës “Zëri”. “Thaçi e Mustafa janë pajtuar që këto zgjedhje të mbahen në vitin 2013, e jo vitin e ardhshëm, ashtu siç edhe ishte paraparë në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet Thaçit- Mustafës-Pacollit, për tejkalimin e ngërçit politik që kishte kapluar vendin, pas rrëzimit të Behgjet Pacollit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, ka thënë ky burim i gazetës.

Gjithnjë, sipas këtij burimi, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Prishtinës janë marrë vesh edhe për çështjen e nënpresidentit.

Kreu i PDK-së dhe ai i LDK-së janë të një mendimi që Kosova nuk ka nevojë për zëvendëspresident, ashtu siç është propozuar nga qytetarët gjatë debatit publik, të organizuar nga Komisioni për ndryshimin e Kushtetutës. Mirëpo, një “marrëveshje” e tillë ndërmjet Thaçit e Mustafës është mohuar nga drejtuesit e të dy partive.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke mos dashur të përgjigjet nëse ai është marrë vesh me Thaçin në lidhje me këto çështje, ka thënë se partia e tij do të punojë që të respektohet agjenda e caktuar në Kuvend.

“Ne do të punojmë të respektohet agjenda e caktuar në Kuvend. Do të kërkojmë që krahas kësaj të pastrohen listat e votuesve, të mos votojnë të vdekurit për presidentin”, ka thënë njeri numër një i LDK-së. Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova tha se nuk është në dijeni për arritjen e ndonjë ujdie ndërmjet LDK-së e PDK-së për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe për çështjen e nënpresidentit.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Në kërkojmë që të respektohet rezoluta e nxjerrë në Kuvendin e Kosovës, që i bie që zgjedhjet e ardhshme të mbahen vitin e ardhshëm, pra më 2012”, ka thënë Rugova.

Derisa për çështjen e zëvendëspresidentit, ai ka thënë se LDK-ja nuk ka një qëndrim të prerë nëse duhet apo jo që Kosova të ketë nënpresident. Sipas tij, kjo parti është e fokusuar që t’i fitojë zgjedhjet presidenciale.

Edhe njeriu i dytë i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë marrëveshje ndërmjet Thaçit e Mustafës për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale për 2013. “Nuk di asgjë rreth kësaj çështjeje. Nuk kam informata”, ka thënë shkurt ai për gazetën.

Sipas burimeve ndërkombëtare të “Zërit”, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 2013, u intereson të dy palëve, Thaçit e Mustafës si dhe presidentes aktuale, Atifete Jahjagës.

 

“Në njërën anë Hashim Thaçit i konvenon që ta përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të ekzekutivit, dhe të mendojë opsionin që të kandidojë për president. Njëjtë sikurse Thaçi, edhe Mustafa më 2013, e përfundon mandatin si kryetar i Prishtinës, dhe mund të kandidojë për kryeministër apo edhe për president”, ka thënë ky burim.

Ndërkombëtarët janë të interesuar, siç ka thënë ky burim, që as presidenten Jahjaga të mos e “hedhin” si një leckë. “Ata janë të interesuar që Jahjaga pas përfundimit të detyrës si presidente t’i gëzojë privilegjet që i takojnë një presidenti me ligj. Por, për t’i gëzuar këto privilegje, asaj i duhet të jetë në krye të shtetit, të paktën 2 vjet e 5 ditë që i bie deri më 2013”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë që ka filluar debati për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, tashmë kanë filluar që në opinion të lakohen emrat e kandidatëve të mundshëm për president. Deri më tani jozyrtarisht janë lakuar disa emra të mundshëm që mund të kandidojnë për postin e presidentit të vendit, sikurse është përmendur emri i Behgjet Pacollit, Fatmir Sejdiut, Veton Surroit, Sabri Hamitit…etj, derisa kandidaturën e ka konfirmuar zyrtarisht ish-gazetari, Seremb Gjergji.

Ndryshe, nevoja për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli kishte ardhur pas ngërçit politik që kishte kapluar vendin me rrëzimin e dy presidentëve, Fatmir Sejdiut e Behgjet Pacollit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Sidomos rrëzimi i Pacollit vetëm 45 ditë pas zgjedhjes në krye të shtetit, kishte detyruar liderët e tri partive: PDK-së, LDK-së e AKR-së me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Christofer Dell, që të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje, e cila pos që u hapi rrugë ndryshimeve kushtetuese, solli edhe një femër në krye të shtetit- Atfiete Jahjagën. (ZERI)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.