Çamët aktivitete dhe marshim në Qafë Botë të Sarandës

Komuniteti çam do të mbajë sot në Qafë Botë marshimin e përvitshëm, në kuadër të "Javës së kulturës dhe historisë së Çamërisë".
Sipas zyrës së shtypit të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, aktivitetet do të jenë të ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë që nis në orën 17:30 deri ne 18:30, në Kllogjer do të përurohet nisja e punimeve për Varrezat Monumentale, në nderim të më shumë se 3000 shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr.
Ndërsa në pjesën e dytë në orën 19:00 do të zhvillohet marshimi drejt Qafë-Botës. Në këto aktivitete do të marrë pjesë edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer.
Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur, për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve , vetëm sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social, të ndryshëm nga popullsia shumicë.
Çështja e Çamërisë, krahinës së mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913, e lënë në harresë gjatë dekadave të diktaturës, është rikthyer në vëmendje gjatë viteve të fundit në sajë të përpjekjeve të komunitetit çam përmes shoqatave të tyre dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Ballkanweb.com
Add new comment