Kur të mbrojnë më shumë nga sa të mbron Partia

Postuar në 08 Prill, 2025 14:56

Dje, Mero Baze, pronari dhe drejtuesi i gazetës “Tema” shkruante një opinion për Erion Veliajn dhe përballjen e tij me SPAK, nisur nga përgjimet e fundit që qarkulluan në media ku përmendet edhe ai.

Ndër të tjera z. Baze thotë se:

Që media në Shqipëri ka qëndrime editoriale të ndikuara nga politika, kjo nuk është ndonjë gjë e re dhe as kriminale. Tanimë është modë në gjithë botën.

Dhe që Erion Veliaj kërkon ndihmë te media që e ka mbështetur atë në gjithë rrugëtimin e tij politik, po ashtu nuk është krim. E njëjta gjë vlen edhe për mediat kundërshtare të Veliajt. Ato janë kokë e këmbë të lidhura me Sali Berishën dhe, në qasjen e tyre ndaj drejtësisë, kanë qëndrime shumë herë më ekstreme se sa “udhëzimet” e Veliajt se si duhet ta mbronin mediat pro tij.

Në analogji me shumicën qeverisëse, Baze deformon debatin publik: ai kërkon ta simetrizojë njëanshmërinë e vet me faktin se ka përballë njëanshmërinë e mediave të Berishës. Këtu harrohet qëllimisht se burgosja e Erion Veliajt u celebrua gjerësisht si një valvul publike për neveritjen nga hipokrizia. Megjithatë kjo është çështje personale, të fshihesh për tri dekada pas Sali Berishës. E bën edhe PS-ja sa herë që përballë ka asimetrinë e protestave pa Berishë. 

Ka edhe një deformim tjetër. Këtu nuk është puna të mbrosh Veliaj në karrierën e tij politike. As edhe të mbrosh karrierën e tij politike. Këtu kemi të bëjmë me një të pandehur të Drejtësisë, të asaj Drejtësie, që ka patur te Mero Baze një mbrojtës të thekur që në një fazë të caktuar mund të ketë besuar se ka qenë strategu i të ardhmes së demokracisë në Shqipëri nga Berisha. Shkrimet aty janë, kush nuk e beson t’i lexojë.

Dhe si i pandehur, drejtësia duhet të lihet të flasë, ndërkohë që përpara se një media të mbrojë dikë, apo një kauzë, duhet të kujdeset se po qëndron në anën e së vërtetës, pasi kështu bie ajo rrezikon edhe misionin e vet, atë për të cilin ekziston. Z. Veliaj nga akuzat penale e mbrojnë avokatët. Ky është sistemi. Ai kërkoi që ta mbronin edhe mediat, mes tyre edhe Mero Baze. Dhe ato e mbrojtën, madje siç kërkoi ai, jo siç do mundnin ato. Dhe Humbi.

Tani Baze thotë se SPAK ka bërë lojë, madje ai arrin deri aty sa të deklarojë se:

Manipulimi i opinionit publik për përgjimet e Veliajt e manipuluan Gjykatën e Apelit, dhe ajo konsideroi si prova penale këto përgjime banale, që po dalin si argumente pse Veliaj duhet të mbahet në burg, edhe pse nuk i është formuluar ende ndonjë akuzë.

Këtu po shohim një gjykatës që del mbi Gjykatën në një akt të pastër të shpërdorimit të së drejtës së shprehjes. Madje kemi pastërtisht një akuzë që kërkon verifikim. Z. Baze shton madje me kurajon e atij që ndoshta po do një betejë që të pastrohet se:

Nga ana tjetër, nëse SPAK ka fakte për lidhje kriminale mes medias dhe Erion Veliajt, duhet të bëjë hetim dhe të hapë çështje penale

Parimisht kjo është e vërtetë, por nga sa po shohim, do të ketë patjetër shumë raste të tjera kur gazetarët apo ata që shfaqen si të tillë do të jenë subjekte të akuzës penale. Ky është një fakt publik. Por sikur të gjitha t’i shumëzojmë me zero dhe t’i cilësojmë si opinione personale, është sërish joproporcionale me detyrimin ndaj së vërtetës, me dyshimin dhe kontrollin si parim metodik i profesionit, të dalësh e të mbrosh Veliajn edhe kur partia e tij, ose partia të cilës ai iu ngjit, ka adoptuar një alibi komode, por që e thotë një të vërtetë: Ne nuk shprehemi për raste që kanë të bëjnë me drejtësinë. Ose se përgjegjësia është Personale. 

Ky është rasti Veliaj për PS-në e cila nuk po bën asgjë tashmë që procesi formalisht të pengohet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.