Ide për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për mbrojtjen e ish-Atdheut!

Ka disa prononcime të një deputeti të Partisë Socialiste, Denis Deliu, sipas të cilit në vend duhet rikthyer shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Unë jam pro rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak pasi brezit të ri i bën mirë. Ndërkohë që rrit kapacitetet për FA dhe për shtetin shqiptar për të siguruara mbrojtjen. Por duhet para pasi ka edhe kosto
Në një tjetër prononcim zoti Deliu thotë se shërbimi i detyrueshëm i shërben kombit.
Ideja është e vjetër dhe importohet nga nocionet e dikurshme të shtetit. Në shekullin e 20-të. Kur armiku, e keqja e huaj nuk kishte rival as në realitet, as në mentalitet. Puna është se sot kanë ndryshuar pak punët. Cili prind që mendon dhe jeton këtu do çonte fëmijën ushtar për të mbrojtur atdheun? Nga kush dhe çfarë?
Dhe çfarë është atdheu sot në fund të fundit?
Shërbimi ushtarak është padyshim një ndër instrumentet e edukimit nacional dhe publik, por ai quhet I detyrueshëm brenda një konteksti të konsensusit të përgjithshëm për shtetin. Nuk mund të detyrosh dikë të marrë armën të ruajë kufinjtë që brenda të shijë Edi Rama me Sali Berishën. Mobilizimi lidhet me idenë e shtetit, publikes dhe shoqërisë. Ekzistojnë këto në Shqipëri? Të na e thotë ky z. Deliu që e çmon shumë kombin. Cilin komb?
Pse nuk mendohet të jepet mbrojtja me koncesion? Sepse në fund të fundit kjo është logjika. Një parti që ka humbur kredibilitetin dhe mbahet te “legjitimiteti” i votës matematikore nuk mund të imponohet dot me vendime të tilla. Sidomos sot.
Sepse fundi i fundit, pronën e vet e mbron i Zoti. Shqipëria është Juaja, çoni fëmijet e mbrojeni!
s.zaimi
Add new comment