Të ndërtosh duke shkatërruar

Postuar në 08 Mars, 2025 18:57
Skerdilajd Zaimi

 

Kush mund të flasë më me ndonjë farë kompetence se çfarë përfaqëson arkitektura e Tiranës sot! Cilit plan, arkitektonik dhe zhvillimor i referohet dhe zbaton? Çfarë aspekti funksional adreson, çfarë modeli zhvillimi, e kështu me radhë.

E vetmja gjë e sigurtë është se trillet e një njeriu janë bashkuar me paranë e krimit për të dhënë një aspekt të sulmit fronal ndaj publikes. Termat tani nuk bëjnë më punë sepse uzurpimi ka sanksionuar normën e vet. Tirana është ndër ato qytete ku ndërtohet duke shkatërruar. Prishen objekte të dikurshme, kujtesë e qytetit, për të ndërtuar objekte të reja. Prishen objekte publike për t’u zëvendësuar nga objekte private dhe madje të shërbimit. Në këtë aspekt historia e përbashkët po zëvendësohet nga një lloj urbanizmi deklarativ ku ka rëndësi afirmimi në beton i një imagjinari me nevojën që paratë të vihen në punë.

Sikur ta shohim strikt si çështje të kapitalizmit apo kapitalizimit, kjo që ndodh na rrëfen paradoksin se përpara sesa të tregohet se çfarë bën dhe kush je, pra aktiviteti, dëshmohet se Sa ke!

Krahasimi në foto sjell një tjetër aspekt disi cinik: të ashtuquajturat kulla që po mbijnë ngado, nuk kanë asgjë moderne në vetvete pëveç materialit që përdoret. Shkallëzimi në fasadë që shohim te një ndër objektetet ende në realizim e sipër është aplikuar më herët në një objekt në Podgoricë më 1974. E ashtuquajtura arkitekturë e Lindjes Komuniste ofron shumë shembuj të formave eksperimentale arkitektonike që ishin në vetvete modernizuese për nga rishkrimi i funksioneve sociale që synonin.

Pallati I banimit në Shqipëri është në një mënyrë arkitekturë moderne, sepse për herë të parë ndoshta inauguroi banesën kolektive në vend. Por sot, fasada kombinuar me materiale të reja dhe madhështinë e rreme të lartësisë, ofron një mesazh të gënjeshtërt në atë se aty ku kemi të bëjmë me një inovacion Teknik dhe kapacitet inxhinierik, interpretojmë një modernitet arkitektonik.

Duke lënë mënjanë se kjo që po ndodh është në esencë një agresion ndaj gjithë qytetit, që po zhvillohet pa asnjë dialog dhe në injorim tërësor të nevojave, duke cenuar integritetin historik, ne mund të pyesim se çfarë efekti do të ketë ky mbipopullim objektesh në funksionet e cirko-pedonales që është sheshi “Skënderbej”. Aty objektet publike, që në pikënisje mishëronin arsyen e sheshit, janë tashmë nënvendosur objekteve të reja.

Ka të dhëna se një tjetër kullë do të ngirhet te lulishtja pas monumentit të Skënderbeut, mandej zëra se Pallati i Kongreseve do të prishet përsëri për një kullë. Po pse dhe për çfarë? Kush do jetojë dhe çfarë aktivitetesh do të bëhen aty? Cilën histori po shkruajnë këto, nëse bëhet fjalë për një ambicie të tillë? 

Asnjë përgjigje nuk ka për të patur. Ndërtimet vazhdojnë në heshtje të plotë dhe nuk dihet kur do të ndalen. Edhe në një vend si Turqia protestat e para disa kohëve ishin për një project ndërtimor. Sepse duhet të kuptojmë që zhvillimi urbanisitik nuk është përherë progres, nuk synon në parim përfshirjen dhe integrimin. Ai ka edhe natyrë segreguese, përjashtuese. Dhe kullat e Tiranës, aty në qendër këtë mesazh kanë, përmes impostimit të tyre si alteregoja e një klani që kërkon shtet të personalizuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.