Ndëshkim apo Drejtësi? Një provokim që nuk kompekson më askënd
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2025/01/1700664428_kuvendi1_2025_01_23_21.jpg?itok=ygMs-Tvv)
Në një diskutim në studion e Euro News në Tiranë, Ylli Manjani, shprehej ndër të tjera se sot njerëzit në Shqipëri kanë më shumë interes për ndëshkim sesa për drejtësi. Për ta ilustruar z. Manjani sillte një shembull në cilësinë e avokatit nga një seancë gjyqësore. Padyshim që kjo ndjesi ekziston dhe është dominuese. Por sa kompromenton kuptimin e njërës fjalë apo term, tjetra kur vjen pun ate trajtimi i një figure të politikës?
Kur themi ndëshkim duhet të kuptojmë dënimin penal të një njeriu të politikës për zejen kryesore të perceptuar se kryejnë politikanët e Shqipërisë, pra vjedhja dhe vrasja. Kërkesa për Ndëshkim është legjitime në kontektin 30 vjeçar të një batërdie me pasurinë publike, të Drejtën dhe Drejtësinë nga po klasë politike e cila ka vënë në punë së fundmi operacionin e vet më diabolik: korruptimin dhe diskreditimin në masë të çdo zëri që mendon ndryshe, apo potencialisht është jashtë domenit të saj. Sesa e vërtetë është kjo dhe sa efektive mjafton të shohim se skema marketimi që kanë edhe synime të ribalancimit të pushtetit – si “deputeti që duam” apo “primaret” djathtas – tërheqin përherë njerëz që përndryshe supozohen të pakontaminuar. Sapo bëhet oferta, të gjithë në sulm, pa ruajtur asnjë lloj distance higjenike nga një politikë që vetëm politikë nuk bën.
Për t’u kthyer te tema: Ndëshkimi si kërkesë është padyshim i perceptuar si detyrë e një Prokurorie të Specializuar, ku është investuar kaq shumë besim. Dhe duke qenë i tillë, ndëshkimi vjen e ndërmjetësohet nga Drejtësia si proces dhe rezultat. SPAK nuk është Prokurori Popullore, si dikur ku kjo e fundit vepronte paralelisht me Prokurorinë Publike. Ndaj kontestimi i veprimit të tij është strikt teknik dhe profesional, sado presion publik të ketë mbi të.
Nuk është e qartë në cilën cilësi flet z. Manjani: si ish-politikan, si figurë publike që ndjen dhe nuhat një publik të ri që do mish politikani në burg, apo si avokat? Në fund të fundit është z. Manjani si ministër që dikur na tha se “ne bëmë një palo reformë në drejtësi për të hyrë në BE”. Ku është përgjegjësia e këtij zotërie në këtë raport? Po e Sali Berishës p.sh që e ka votuar atë dokument? Po e 140 deputetëve që votuan pa bërë zë një kushtetutë të re me probleme serioze?
Ndëshkimi si term i preferuar, lidhet me një tjetër term të qarkulluar nga vetë politika: Pandëshkueshmëria! Ekziston kjo si dukuri. Është e përhapur. Shikoni rastin e policit Azbi Spahiu dhe sesi askush nuk do të përmendë emrin e Samir Manes dhe djalit të tij! Kur policia, prokuroria, gjykata, politika sillet kështu, bën shkelje të kësaj natyre, cila drejtësi mbetet të veprojë? Qoftë edhe në raport me gravitetin e shkeljes? Drejtësia penale e një akti të izoluar apo e një zinxhiri hallkash që sa vjen e të jep të kuptojë se është një kulturë e tërë në veprim?
Zoti Manjani, që ndoshta e ka thënë atë fjalë se i erdhi në mendje në bisedë e sipër, I bie në qafë shumë shoqërisë shqiptare e cila nuk bëri asgjë për ndëshkimin edhe në gjykimin e përfaqësuesve të nomenklaturës së Enver Hoxhës. Jo. Ajo priti dhe pa, e mandej pranoi duke qeshur hidhur drejtësinë e gjyqit të kafeve, që po tentohet të riciklohet sot përmes procedurave? Pse? Sepse është e vërtetë që e marrë në aspekt tekstual ligjor, akuza meriton kujdesin maksimal, por kjo është punë e avokatëve. Opinion publik – cilidoqoftë ai – pret ndëshkim në kuptim të përgjegjësisë për ngjarje dhe vendime që tejkalojnë kapacitetet e çdokujt për t’u marrë pa strukturim, pa kohëzgjatje dhe kontroll. Ilir Meta nuk vodhi vetëm. Këtë e dinë edhe përrallat. As Arben Ahmetaj. As të tjerët me radhë.
Për ta kuptuar: dikush sqaronte se e marrë në nivel kontrate, Veliaj nuk mund të akuzohet se pse inceneratori i Tiranës faturon ende pa u ndërtuar, kur kërkesat dhe kriteret e kontratës lejojnë gjithfarë interpretimesh. Dakord. E marrë kështu z. Veliaj(Zdromsi, ose këllira më e madhe që Lana ka parë qëkurse në të nisën të derdhen ujërat e zeza) duhet gjykuar në meritën e firmës së vet. Sikurse në rastin e Teatrit Kombëtar. Por kur një zyrtar i lartë ndërmerr një vendim me pasja financiare dhe publike nga cila premisë udhëhihet: të vërë në veprim fonde publike dhe institucionin për të mirën publike sipas detyrës që i ngarkon Kushtetuta, apo të ketë përherë të ngritur në terma dhe dispozita një tekst që është edhe Alibi. Avokati penale?
Sepse ne duhet të gjykojmë publikisht edhe qëllimin. Pa harruar se mirëbesimi dhe keqbesimi në aspektin kontraktual janë nocione juridike dhe jo vetëm sociologjike apo zakonore. Një i zgjedhur që vepron në keqbesim dhe shpërdoron kaq shumë – duke gabuar patjetër dhe pa dashje – a nuk duhet Ndëshkuar duke kaluar në process gjyqësor? Vështirësia dhe madje perceptimi se vizita në SPAK është rrënim politik lidhet pikërisht me Drejtësinë si tabu për politikanët që kanë dashur të kultivojnë mitin e të paprekshmit. Një kulturë kaste dhe klike që qëndron sipër Ligjit. Në një shoqëri të shëndetshme do të ishin marrë armët, në një shoqëri si jona, psallmohet shpresa për procedim nga SPAK. Dhe edhe kjo quhet deformim kulturor dhe shprehje e instinktit primordial për hakmarrje!
Mundet të jetë edhe kështu. Mundet që ne të marrim vendim që ta urrejmë deri në luftë civile hipokrizinë e njëri-tjetrit, por nëse ka një gjë që ne e dimë në bazë të përvojës sonë është se ne jemi shumë tolerantë. Ne nuk ndëshkojmë dot, nuk duam, nuk na e mban. Ne gjejmë anën, mikun, dorovisim dhe llapim kur nuk na mbetet rrugë tjetër. Ndaj qëllon që padashur jemi të gjithë avokatë të mirë të së Keqes.
Add new comment