Juridikisht jemi Popull, jo Komb. Kombësia u njihet vetëm Pakicave në Shqipëri

Postuar në 13 Janar, 2025 18:25
Skerdilajd Zaimi

 

Në fund të dhjetorit të vitit që lamë pas qeveria shqiptare miratoi me propozim të ministrit të Brendshëm një vendim të titulluar: “Për përcaktimin e kritereve, dokumentacionit dhe procedurave për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare.

 Neni 1: Mbledhja e të dhënave për identifikimin e personave, që i përkasin pakicave kombëtare, kryhet në përputhje me të drejtën e tyre për vetidentifikim të lirë

Neni 2: Personi, që pretendon se i përket një pakice kombëtare dhe kërkon të identifikohet si i tillë, paraqet formularin e vetidentifikimit, sipas aneksit 1, të këtij vendimi, pranë të njëjtit komision të ngritur në ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e një pakice kombëtare (në vijim komisioni).

Pra qeveria ngre një komision që duhet të provojë në thelb Kombësinë e shtetasve shqiptarë që vetëidentifikohen si pjesë të pakicave kombëtare.

Për ta bërë këtë gjë, qeveria ngarkon Gjendjen Civile që të bëjë verifikime në Arkivë në raste të “dyshimeve serioze” për pretendimet e një shtetasi. Po pse në Arkivë? Sepse me vendimin nr.52 të vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese, termi “Kombësi” është shfuqizuar në dispozitat e ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, konkretisht në nenet 6/1, 8, 42/2, germa 2, neni 58. Që do të thotë se termi “kombësi” eleminohet “deklarimi i vdekjes” se shtetasit, akti i lindjes,  përbërësit dhe veçoritë e gjendjes civile dhe veçoritë e disa përbërësve të gjendjes civile.

Armiqësia kushtetuese ndaj termit “kombësi” pushon pra me VKM-në në fjalë, tani që qeveria ka nisur kolektivizimin e pakicave që definohen nën termin “kombësi”. Si do validohet termi në fjalë në kushtet kur Kushtetuta ia ndalon ligjit për gjendjen civile përdorimin e saj aktiv? Të vëmë në dukje edhe faktin se VKM-ja përdor termin “përkatësi etnike” kur në fakt para vitit 2011, regjistrat kanë përdorur termin Kombësi, jo etni. Dhe në shqip ekzistojnë të dyja.

Është një lloj kundërsensi që nuk dihet pse aplikohet sot që po flasim.

Duhet thënë se për sa i përket “mbledhjes së të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare” vihet në veprim Censi, i cili zbaton pikërisht parimin e vetidentifikimit. Në fund të fundit, qeveria nuk po bën gjë tjetër veçse po vë në diskutim të dhënat e Censit, po krijon dhe konsulton regjistra të kombësisë kur Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese termin në fjalë në kuptim pikërisht të këtyre regjistrave.

Ajo që i jep kuptim kësaj rrumpalle mund të gjendet te rasti i shpikjes me telefon të minoritetit bullgar. Dikush ka kërkuar me presion që kjo të bëhet dhe Edi që dje na tha se “nuk e detyron kush për gjë”, ka ulur bishtin dhe e ka bërë.

Është ironike dhe deri diku e dyshimtë në planin kushtetues tashmë ekzistenca juridike e kombit shqiptar. Pasi që një ndër format, në mos e vetmja formë e provës për këtë ekzistencë është REGJISTRI. Sa herë i referojmë Defterët osmanë dhe ua tundim fqinjëve? Aty ka kombësi ndër të tjera. Edhe fe. Kështu ne provuam se kemi qenë aty ku kemi qenë si të tillë. Preambula e Kushtetutës cilëson në një fjali të vetën termin kombësi krahas termit popull, duke ezauruar dy kuptime që konstituojnë shoqërinë njerëzore të Shqipërisë, ku gjurmohet dhe identifikohen pakicat, kurse pjesa tjetër janë Popull. Jo Komb. Pse? Sepse dikur kështu deshi një gjykatë dhe ndonjë spahi idiot rrugëve të Shqipërisë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.