Publikimi i poezisë shqipe ka për ne rëndësi politike të veçantë
Jazra Grozni Khaleed nuk është thjesht një nga heteronimet letrare të poetit grek emërmohues, kineastit, përkthyesit dhe botuesit, por edhe emri me të cilin tashmë e thërrasim të gjithë të njohurit dhe miqtë e tij. Kur lexova për herë të parë biografinë e tij, mendova se kisha të bëja me një poet me origjinë çeçene, që me siguri kish lindur a ardhur në Greqi në moshë të vogël, sepse gjuha e poezive të tij ishte shumë e zhdërvjellët dhe e pasur nga ana leksikore për të qenë greqishtfolës i vonë.
Përveçse poet i njohur në rrethet letrare alternative greke, është një emër i lakuar edhe jashtë Greqisë, ku shumë gazeta të huaja, mes tyre edhe “The Guardian”, i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë. Jazra është i njohur edhe në botën amerikane, përmes përkthimeve të Peter Constantine dhe Karen Van Dyck, dy prej përkthyesve më të mirë nga greqishtja në anglisht. Prej vitit 2008 ai është bashkëbotuesi dhe bashkëdrejtuesi i revistës letrare “Teflon”, e cila sistematikisht i ka dhënë zë të veçantë autorëve nga Shqipëria e Kosova. Sikurse ai thotë:
Përpiqemi, aq sa kemi mundësi, të prezantojmë poezi nga Ballkani, përderisa bëhet fjalë për njerëz që jetojnë bri nesh, afër nesh, mes nesh, bashkë me ne. Publikimi i poezisë shqipe ka për ne rëndësi politike të veçantë […].Me hapësirën e herëpashershme kushtuar poezisë shqipe, shpresojmë të krijojmë një krisje të vogël në stereotipet raciste
Shkas për këtë intervistë u bë libri i tij “Jazra Grozni Khaleed”, botuar së afërmi në shqip nga "Botimet Kandrra" dhe numri i fundit i revistës "Teflon", që sapo doli në qarkullim, ku përfshihet një përmbledhje e vogël poezish nga poetë e poete brenda Shqipërisë, si edhe një cikël poezish të autorit kosovar Shpëtim Selmani.
***
Në poezinë hyrëse “Intro”, prezantohesh si poeti Jazra, i cili mohon, “vret” Panajotin e dikurshëm: Emri im ishte Panajotis (ç’ shpifësirë!)/desha të shpëlaja nga vetja/turpin e mashkullit të bardhë;/lejomë ama të mbaj/pak nga barbarizmi/i një të krishteri të mirë (paraprakisht)./Jam Jazra/poet vandal/skizometropolitan/bir myslimaneje/.
Që kur nisa të shkruaj, në vitin 2007, zgjodha këtë pseudonim, pra nuk ka rrugëtim letrar para - Jazra. Referenca ime kryesore atëherë ishte hip-hopi, e kisha të pamundur të nënshkruaja poezitë e mia me emrin tim të ligjshëm, duhej të gjeja një pseudonim. Kur lindim, prindërit dhe shteti na japin një emër dhe mbiemrin e babait, të cilin jemi të detyruar ta mbartim gjatë gjithë jetës sonë. Asnjëherë nuk më ka pëlqyer emri im, nuk desha të kisha një emër të krishterë dhe mbiemrin e tim eti. Përdor edhe pseudonime të tjera, më pëlqen loja me emrat, identitetet dhe karakteret.
Në tekstin “Qyteti”, koncepti i atësisë së panjohur rishfaqet sërish, duke nxjerrë në pah prirjen atëvrasëse të poetit. Atëvrasja poetike në fjalë, ka të bëjë me patriarkalizmin, traditat zakonore, Panajotin e dikurshëm?
Bëhet fjalë për një tekst kundër patriarkalizmit dhe nacionalizmit. Atëvrasja simbolike është e dyfishtë: ndaj babait biologjik dhe shtetit grek.
Duke iu referuar poezisë “Përse më rëndet poezia greke”, kur filloi të të rëndet poezia e varnalëve, seferëve, anagnostakëve?
Të them të drejtën, asnjëherë s’u mora me poezinë e këtyre burrave poetë mikroborgjezë e borgjezë të viteve ’60 e ’70, të cilët ishin pjesë e shtetit grek dhe e retorikës kombëtare. Te poezia në fjalë, që përfshin edhe pseudonimin Grozni, mundohem të them me ton disi sarkastik, që poezia e tyre nuk i referohet jetës dhe përditshmërisë së klasës punëtore, është tërësisht e huaj kundrejt tyre, tërësisht e mërzitshme, sado që shteti grek, institutet dhe institucionet e ndryshme letrare, përpiqen të na e imponojnë. Shumë herë ndihem sikur poezia në Greqi ka ndaluar në vitet ’70. Nuk është aq fakti se vepra e këtyre poetëve është idealizuar së tepërmi dhe konsiderohet model, sesa fakti, që shumica e poetëve/poeteve përpiqen të imitojnë gjuhën dhe stilin e tyre, duke riprodhuar stereotipe të ndryshme për poezinë. Rezultati është tragjik (apo mos ndoshta komik?)
Gjuha dhe ritmi i teksteve të hip-hop, duket se ka pasur një ndikim të madh në krijimtarinë tënde. Me shkas librin “15 tekste mbi hip-hop” (Botimet “Teflon”, që ti bashkëdrejton), cilat janë parimet kryesore të hip-hop?
Debat i gjatë! Hip-hop lindi në vitet ’70 në New York nga diaspora e zezë dhe emigrantët/emigrantet, që shteti amerikan i kish flakur në geto që të hanin kokat mes tyre e të ngordhnin. Por, ata krijuan një kulturë të tërë, e cila tashmë ka pushtuar gjithë botën. Hip-hop është strategji mbijetese, i mëson rinisë shumëkombëshe si të mbijetojë në një botë të ashpër klasore e racore, e pajis me një sërë aftësish, të ashtuquajturat “skills”, që e ndihmojnë të përballet me një botë, ku raporti i forcave rrallëherë është në anën e saj. Parimi kryesor i hip-hop është i ashtuquajturi “respekt”, pra respekti ndaj gjithë njerëzve pavarësisht ngjyrës, racës, moshës, etj.
Shumë prej poezive të tua, i referohen papunësisë. Janë rrjedhojë e një përvoje të jetuar?
Janë edhe rrjedhojë e një përvoje të jetuar, por pjesërisht dhe tërësisht janë më shumë rrjedhojë e përvojave të të tjerëve nga klasa ime shoqërore. Flasin për kundërshtitë dhe qorrsokakët, për vështirësitë dhe ëndrrat, për plagët dhe krenarinë e klasës punëtore.
“Shkruaj për të pastrehët, këmbëzbathurit, të vobektët, të fundmit në radhë”. Koncepti i urrejtjes klasore, përshkon një pjesë të madhe të poezive. Cilës hapësirë ideologjike i përket Jazra?
Nuk i përkas asnjë partie politike, asnjë hapësire ideologjike. Më vjen ndot nga çdo lloj ideologjie.
Jeton në Eksarhia, në një zonë gjerësisht të njohur për anarkizmin e saj, aktivizimin social dhe fizionominë kulturore. Je çka themi rëndom “lerë e rritë” në Eksarhia?”
Nuk jam “lerë e rritë” në Eksarhia, jetoj këtu prej vitit 2006. Eksarhia është një lagje e vogël në qendër të Athinës, që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Greqisë gjatë kohës së luftës civile në vitet ’40, në rënien e Juntës ushtarake 1973-1974 e gjer në rebelimin e të rinjve, kryesisht të emigrantëve të brezit të dytë, duke marrë shkas nga vrasja e një adoleshenti grek nga një polic këtu në lagje.
Për shumë dhjetëvjeçarë, Eksarhia ka qenë vendi, që mblidhte mendimtarë anti-establishment, një rrip i vogël toke ku mbinin e ngjizeshin ide dhe akte kundër shtetit grek e politikave të tij. Sakaq, rreth Eksarhias ka ekzistuar dhe ekziston një mit, i ndërtuar dhe i kultivuar pjesërisht nga shteti grek dhe grupimet e ndryshme politike, që veprojnë në lagje.
Sa ka ndryshuar Eksarhia me kalimin e viteve?
Vitet e fundit Eksarhia është mbushur me Airbnb dhe boutique hotels. Çelen vazhdimisht kafe dhe restorante trendy e të shtrenjta, shumica e të cilave u drejtohen të pasurve dhe turistëve. Çdo hapësirë e uzurpuar u boshatis nga policët, dhe emigrantët që jetonin në këtë lagje, u arrestuan dhe u mbyllën në kampe përqëndrimi jashtë Athinës.
Sheshi i njohur i Eksarhias është shndërruar në kantier ndërtimi për stacionin e ri të metrosë, që po ndërtohet. Eksarhia mbetet lagjia policore më e mbikqyrur prej shtetit, por në të vërtetë policët janë më tepër atraksion për turistët. Ka mbetur miti i Eksarhias si produkt konsumimi për klasën e mesme dhe turistët alternativë.
Si ndikojnë politikat e qeverive greke në veprimtarinë ideologjike dhe shpirtërore të banorëve aktivë të lagjes?
Prej disa vitesh qiratë në Eksarhia janë ngritur në qiell dhe numri i apartamenteve të disponueshme është reduktuar. Shumë banorë u detyruan të braktisin lagjen në pamundësi për të paguar qiranë, ose sepse pallati ku banonin, u kthye në hotel. Pra, detyrimisht, nuk ka tashmë shumë banorë në Eksarhia. Ekzistojnë ende shumë grupime politike që veprojnë në lagje, por nuk mund të flas në emër të tyre.
Prej shumë kohësh, je bashkëdrejtuesi e bashkëbotuesi i revistës "Teflon", e cila botohet dy herë në vit dhe shpërndahet falas anembanë Greqisë. Mos-komercializimi i Teflon-it lidhet me të drejtën e leximit falas dhe aksesit publik?
"TEFLON-i" është një revistë letrare, që qarkullon prej vitit 2008 dhe publikon poezi nga e gjithë bota, por edhe zëra vendas, që nuk i përkasin establishmentit letrar të vendit. Publikojmë zakonisht poezi avant-garde, duke pasur në qendër klasën punëtore, feminizmin, lëvizjen queer dhe antifashizmin.
Revista ka një tirazh shumë të madh kopjesh (1000 kopje) për realitetin e tregut grek dhe një kosto të lartë, të cilën s’mund ta mbulojmë vetëm dy persona, që e drejtojmë. Që në fillim, krijuam një sistem tonin sponsorizimi dhe shpërndarjeje, me qëllim që revista të jetë e vetësponsorizuar dhe të ketë një distribucion sa më të mirë. Revista në të vërtetë shpërndahet falas dhe çdokush nëse dëshiron mund të kontribuojë sipas dëshirës. Të ardhurat vijnë kryesisht nga abonentët e revistës, nga pazaret e librave që jemi pjesëmarrës dhe nga kutitë e mbështetjes financiare, që ndodhen në pikat e shpërndarjes. Kësisoj, arrijmë të sigurojmë jetëgjatësinë e revistës dhe t’i drejtohemi një publiku shumë të gjerë. Pothuajse të gjitha kopjet mbarojnë shpejt dhe vitet e fundit kemi arritur të botojmë edhe një numër të madh librash.
Sapo doli në qarkullim numri i ri i revistës “Teflon”, me një pjesë të veçantë kushtuar poetëve bashkëkohorë nga Shqipëria, me titullin “Udhët që mbartim mbi supe”. Është hera e tretë, që "Teflon-i" publikon poezi shqipe nga Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria. Kjo iniciativë e përsëritur ka ardhur nga kërkesa e lexuesve të revistës apo nga bordi drejtues?
Jo, nuk ka ardhur nga kërkesa e lexuesve, pavarësisht se pjesa e poezisë shqipe ka qenë ndër më të kërkuarat. Përpiqemi, aq sa kemi mundësi, të prezantojmë poezi nga Ballkani, përderisa bëhet fjalë për njerëz që jetojnë bri nesh, afër nesh, mes nesh, bashkë me ne.
Publikimi i poezisë shqipe ka për ne rëndësi politike të veçantë, se që në fillim të viteve ’90 shteti grek dhe mediat greke i prezantojnë shqiptarët si të egër e barbarë të paqytetëruar. Bëhet fjalë për një retorikë, që nga njëra anë i shërben agresivitetit të shtetit grek dhe interesave të tij gjeopolitike dhe nga ana tjetër justifikon dhe përligj shfytëzimin e punëtoreve/punëtorëve shqiptarë këtu e tre dhjetëvjeçarë. Me hapësirën e herëpashershme kushtuar poezisë shqipe, shpresojmë të krijojmë një krisje të vogël në stereotipet raciste.
Çfarë ndryshimesh vini re në poezinë shqipe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë?
Nuk mund ta them me siguri, sepse nuk flas shqip dhe kam vetëm një imazh të vogël të prodhimit poetik. Kam përshtypjen, që ekzistojnë disa ndryshime midis poezisë që shkruhet në Shqipëri dhe asaj që shkruhet në Kosovë. Ajo e Kosovës godet direkt në shënjestër, ka shprehshmëri më të drejtpërdrejtë, është më pak metaforike dhe stil gjuhësor më të thjeshtë. Trajton më shpesh tema si nacionalizmi, militarizmi, dhuna seksuale në krahasim me llojin e poezisë që shkruhet në Shqipëri.
Më thuaj disa mbresa nga vizita jote e parë në Tiranë, me rastin e prezantimit të librit “Jazra Grozni Khaleed” në tetor të këtij viti.
Ishte hera e parë, që vizitova Tiranën; një qytet shumë i gjallë, me një energji të veçantë. Janë të dukshme kontrastet dhe kundërshtitë e qytetit, që dallohen qartë në urbanistikën e tij. Jam i gëzuar, që vëllimi im i parë poetik u botua në shqip, është hera e parë, që libri në tërësi (dhe jo një pjesë e librit, siç ka ndodhur me botimet e tjera), u përkthye i plotë dhe u botua në Shqipëri. Shpresoj të lexohet e të ngjallë debate, ashtu sikurse ndodhi edhe gjatë prezantimit.
Për shkak të regjimit të ashpër komunist të Shqipërisë në të shkuarën, të shqetësoi ndopak skenari i mospërqafimit nga lexuesi shqiptar i llojit të poezisë që shkruan, duke u konsideruar si marksiste?
Që në fillim që u përkthyen në shqip dhe u publikuan disa prej poezive të mia, u përqafuan menjëherë nga lexuesi shqiptar. Poezitë e mia flasin për përvoja që janë të përbashkëta për klasën punëtore të Ballkanit, si emigracioni, puna mëditëse, varfëria, papunësia, pasiguria, shfrytëzimi, por edhe betejat ndaj pronarëve, kundër nacionalizmit e militarizmit, që dhjetëvjeçarët e fundit janë shtuar. Bëhet fjalë për tema të cilat nuk shfaqen shpesh në poezi.
Nga ana tjetër, asnjëherë nuk e kuptova, se si lidhet vepra e Marksit me regjimet burokratike kapitaliste, që vetëquheshin “komuniste”, por ky është një debat i gjerë.
Intervista jonë përkon me rënien e regjimit të Assad-it në Siri. Poezia jote “Iku Siria, iku” e cila u shkrua në kohën e eksodit masiv të sirianëve drejt Europës e vendeve të tjera, është poezia më e përkthyer dhe më e njohur nga libri yt i parë. Ç’mendim ke për këtë kthesë historike në fatin e ardhshëm të popullit sirian?
Nuk mund të jap nje gjykim, sepse nuk dua të flas për gjëra që nuk i njoh. Ngjarjet në Siri dy dhjetëvjeçarët e fundit, janë pjesë e një lufte më të gjerë botërore, që filloi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe ndërhyrjen e SHBA-s në Irak. Në Siri prej shumë vitesh lufta zhvillohet nga palë të treta, e ashtuquajtura proxy war. Vendi është shpërbërë, sikurse dhe vendet e tjera të atij rajoni. Siria iku dhe las pas një vrimë të zezë në hartë.
Add new comment