Problemi strukturor politik që vjen nga emigracioni ynë

Postuar në 07 Dhjetor, 2024 17:04
Skerdilajd Zaimi

 

Kurrë më në emigracion! Kështu titullohet episodi i radhës i podcast-it të Edi Ramës, “Flasim”. Të ftuar dy emigrantë(nënë e bir)  që janë kthyer në Shqipëri.

Kam qenë para pak ditësh në Berat dhe atje ishte bërë gjithçka shumë bukur. Dua të të jap një ‘bravo’ të madhe

është shprehur ndër të tjera e ftuara e podcast-it të Kryeministrit.

Sa herë i kemi dëgjuar këto bravot e një pjese të emigrantëve! Madje edhe nga të afërm tanë jashtë që shpesh të tregojnë sesa bukur është bërë iks rrugë, apo ypsilon kthinë, sesa bukur ngjan Shqipëria dhe madje, sa i mirë është ky Edi Rama që ua mbledh të gjithëve kur shkon matanë.

Patjetër që kemi të bëjmë me dy psikologji në veprim. Ne e dimë shumë mirë se një pjesë e emigrantëve që jetojnë prej kohësh jashtë Shqipërisë, kanë mbetur për shumë gjëra në vitin e ikjes dhe sigurisht që çdo ndryshim hiperbolizohet krahasuar me ndonjë fotografi të kujtesës së viteve ’90. T’i shtojmë këtu mandej zakonin tonë që e kemi më për mbarë të dëgjojmë botën sesa tonin – në këtë rast i afërmi do ketë ëndje të dëgjojë më shumë këtë Edin që llap pa ndalim, sesa të dëgjojë ty si qytetar që e ke në lëkurë kancerin e qeverisjes së këtij. Dhe kështu ecet para, me mendjen e fjetur dhe sytë mbyllur, deri sa koka të përplaset mirë e të zgjohesh.

Shikoni se çfarë thotë ky kryeministri në takimin e sotshëm digjital:

Unë e kam thënë, por nuk ma beson njeri, thonë bën propagandë. Kjo është një fazë e Shqipërisë që kush ka pak guxim të investojë kursimet e emigracionit bën ‘bingo’ këtu dhe jo vetëm në Tiranë, por kudo. Kudo Shqipëria ka oportunitet për të bërë biznes me investime jo të mëdha. Si në rastin e agroturizmeve

Nëse shohim shifrat në Shqipëri emigrantët dërguan vitin e kaluar 1.2 miliardë euro remitanca, në gjashtë muajt e parë të këtij viti kishim 510 milionë euro. Praktikisht emigrantët mbajnë në këmbë stabilitetin konsumator të këtij vendi, pa të cilin ne do të kishim një fat shumë të madh. Pse? Sepse një qeveri që nuk ka këto burime të jashtme të ekonomisë familjare, do të duhej të mendonte shumë, por shumë sesi të kontrollonte inflacionin, sesi të mbante ekonomitë familjare e kështu me radhë. Pra do të qeveriste në nivele mikro dhe me shumë kujdes.

Meqenëse ne prej dekadash kemi të ardhura nga emigrantët, në qeveri kemi njerëz si ky Edi që do të shesë pordhë sa të mundet, të japë mend, të bëj si do e çfarë do, kulla, tulla e kërpudha, pikërisht sese ia lejon qesja e tjetërkujt. Por edhe paraja e krimit. Jo se ky është I lidhur. Kurrë! Por sepse këtij ja hedhin siç ja hodhi Arben Ahmetaj, disidenti buxhetor.

Vjen puna që ky sorollop individi që i është poftisur këtij vendi si myku që nuk kurohet, të flasë për amnisti fiskale të parave të emigrantëve, e kur ia vunë tapën në gojë të tjerë, flet për kursimet e tyre. Do vota sigurisht, por do edhe të mbushë vendin që e zbrazi në emër të lirisë së lëvizjes siç shprehej kohë më parë.

Punon 30 vjet dhe eja hidh paratë te qeveria e kumbullave dhe dardhave të ngrëna pa mendje. Secili bën si di vetë dhe si do vetë, por duhet ta themi: kontributi i emigrantëve në ekonominë shqiptare po shndërrohet në një problem politik për ne që jetojmë këtu, sepse po mban në këmbë një qeverisje në ekuacionin e së cilës nuk është e panjohura e konsumit.

Së dyti. Një pjesë e madhe e spektakleve televizivë politikë, që janë lubrifikanti i qeverisë së këtij vjen nga shikueshmëria nga jashtë Shqipërisë, ku jeton e harliset një kuriozitet i rrallë dhe i gjerë se "çfarë bën Fevziu, si qeshi Grida, çfarë tha Ylli, si foli Çani, ku ishte Rama e Berisha" e të gjitha thashethemet e mundshme që mbajnë në kuotë një zhurmë ezauruese, efekti asgjësues i së cilës ndjehet tek ata që jetojnë këtu. Dhe që janë indiferentë në pjesë të madhe të detyruar edhe nga perceptimi i murit të pakalueshëm të pushtetit.

E thënë shkurt: shqiptarët që janë jashtë duhet të kuptojnë se çdo apel ndaj tyre është Manipulim për llogari pushteti në dëm të të afërmve të tyre. Qëndroni disa kohë më larg dhe ndoshta e kuptoni! Përndryshe krimbat e mollës së kalbur me emrin Shqipëri do t’i kemi gjatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.