Gladiator II - një dështim
Gladiator II. Filmi është shfaqur së fundmi dhe siç po ndodh tashmë rëndom apo në më të shumtën e rasteve, është një përgënjeshtrim i serisë së parë. Në fund të fundit ka disa ngjarje që nuk duhet të kenë vazhdim. Ky ndoshta është rasti i Gladiator, që nis e mbyllet në mënyrë gati perfekte rreth një heroi të vetëm që gjen tek perandori Komodo, Nemesisin e vet në çdo gjë.
Kurajo, përvojë, maskulinitet, fat, lavdi dhe dashurinë e të tjerëve. Gladiator I, ndonëse i realizuar me improvizime, ishte një ngjarje e lumtur skenike që ezauronte një dramë shumëplanëshe, e krijuar në rrjedhë koherente ngjarjesh që kulmojnë në Arenën e Koloseut.
Gladiator II është një dështim i plotë. Në filmin e shfaqur së fundmi shohim një përpjekje të sforcuar dhe tërësisht të shëmtuar artistiisht për të vënë në vend llogaritë e mbetura hapur nga filmi i parë që zgjidhet në mënyrën më patetike të mundshme.
I biri i Maximus Decimus Meridius, është Lucius Verus Aurelius, djali i vogël i Lucilës, vajza e Mark Aurelit, motër e Komodos. Dyshimi i lënë i hapur në filmin e parë, në amanetin e Maximus, “Lucius është i sigurtë” në prag të vdekjes, nis e merr formë përmes një rrjedhe ngjarjesh qesharake. Lucius është dërguar larg Romës nga e ëma për shkak të frikës nga vrasja. I shndërruar në ushtar në Numidi ai kapet rob nga romakët dhe kërkon të hakmerret ndaj gjeneralit romak që vret gruan e tij numide.
Shitet si skllav te Macrinusi, mandej suksesi në arenë dhe vijmë në Romë ku Macrinusi nuhat lojën e pushtetit duke tradhëtur te dy perandorët – Geta dhe Karakala – një komplot. Identiteti i Macrinusit nuk zbulohet por ai i bën me dije Lucilës se njihte babanë e saj dhe të dashurin, Maximus. Kriza zgjidhet me vrasjen e dy perandorëve me intrigë dhe vdekjen e Macrinusit në portat e Romës me një duel me Hanon, ose Lucius Verus. Një fjalim moralizues për Ëndrrën Romake dhe të gjithë – ushtarë, pretorianë, skllevër e senatorë gati sa nuk qajnë nga fjalët e një ushtari që mbin nga “obscurity”, siç është edhe fjala e preferuar e anglishtes kur do të mitizojë një të papritur.
Filmi është kryekëput një inksenim politik – nuk ka asgjë kinematografike aty, as loja e aktorëve, as heroi i zgjedhur nuk ngjit me rolin dhe misionin që merr, ndërkohë që duhet thënë se ka një asimetri në protagonizëm: Macrinusi i luajtur nga Denzel Washington merr peshë në film më shumë sesa Gladiatori – ose Lucius Verus.
Filmi është alegori për kohën që jetojmë duke manipuluar me karakteret historike. Ai na jep mesazhin se pskikopatët dhe vrasësit kanë qenë në krye dhe se ilaçi më i mirë kundër tyre është një përpjekje për idealin kalorsiak – Forcë dhe Nder – që Roma mishëroi në fillimet e veta. A zgjidhet kjo me duel? Natyrisht që jo. Mjafton të shohim se Arena është institucioni kryesor i popullit të Romës, siç është sot interneti ku Lufton mbarë bota.
Filmi ndër të tjera shtron edhe çështje etike që meritojnë vëmendje. Sa të drejtë ka dikush që deformojë figurat historike laike? Macrinusi ka qenë perandor nga Afrika e Veriut dhe nuk shkeli asnjëherë në Romë. Karakala dhe Geta ishin fëmijë të Septim Severit dhe paraqitja e tyre si psikopatë paranojakë të paqëndrueshëm sikur nuk vjen mirë me historinë.
Karakala mund të quhet si emancipues i madh i Perandorisë, ai u dha qytetarinë romake të gjithë joskllevërve të Romës, dhe u vra me urdhër të Macrinusit, ndërkohë që Lucius Verus ka sunduar pas Mark Aurelit. Lëmshi me historinë nuk merr shumë kuptim ndonëse në sfond si udhëheqës shpirtëror i Romës mbetet Mark Aureli, perandori filozof. Sepse zgjidhja është shumë artificiale.
I dobët në skript, i ekzagjeruar në përdorimin e historisë, Gladiator 2 është një prurje e dobët e Ridley Scott që duhet thënë se nuk qëlloi gjë as me “Napoleon”, që e prezanton Perandorin e Francës si një flegmatik me prirje meditative tibetiane para Jozefinës dhe me një lloj hutimi për gjërat "e vogla” të jetës, saqë dukej se kërkonte pak trajtim mjekësor.
s.zaimi
Add new comment