Argjentina, një shans real ndryshimi përmes mikroekonomisë
Sociologët pëlqejnë idenë e nyjeve kritike. Kjo e fundit është një teori mbi atë se si ngjarjet me rëndësi, zakonisht goditje të mëdha të jashtme, mund të ndryshojnë trajektoren afatgjatë të një ekonomie. Por ndonjëherë ndryshimet në dukje më të vogla në një vend mund të kenë edhe ato efekte afatgjata. Argjentina po merr trajtën e një dinamike të tillë.
Pas gjithë zhurmës që rrethon Presidentin Javier Milei, janë politikat e nivelit mikro, dhe jo planet më madhështore të nivelit makro, ato që mund të ndryshojnë më në fund trajektoren e tmerrshme ekonomike të Argjentinës. Argjentina ka pasur disa plane stabilizimi që nga viti 1952. Të gjitha ato bazoheshin në stabilizimin e makro variablave si oferta e parasë dhe kursi i këmbimit nëpërmjet imponimit të politikave të tilla si indeksimi dhe dollarizimi. Dështuan të gjitha.
Një nga arsyet pse që ata dështuan është se ata nuk trajtuan paragjykimet inflacioniste të ngulitura në një rrjet rregullash dhe kornizash bizantine. Milei, në të kundërt, ka dlaë jashtë kornizës së programeve të mëparshme të stabilizimit duke u fokusuar në mikroekonominë dhe reformën institucionale. Nën udhëheqjen e ekonomistit Federico Sturzenegger, qeveria ka filluar të çmontojë rregullore të konsoliduara në dekada, ndërmjetës, tarifa që penguan inovacionin, produktivitetin dhe konkurrencën. Si rrjedhojë, presionet inflacioniste janë ulur pasi kostot e transaksionit kanë rënë.
Për shembull, organizatat politike si La Campora, një organizatë rinore peroniste e bashkëthemeluar nga djali i ish-presidentes Cristina Fernández de Kirchner, administruan shumë skema të ndihmës sociale, duke ndërtuar një marrëdhënie klienteliste me të varfërit. Reformat e Milei-t e kanë nxjerrë Campora-n jashtë qarkut dhe kanë shpërndarë përfitimet drejtpërdrejt, duke rritur shumën neto që kanë marrë njerëzit. Kjo qasje, e miratuar në nivel mikro dhe jo në makro, është përsëritur në të gjithë vendin, duke eliminuar shumë nga pengesat që e kanë bërë jetën kaq të vështirë dhe të shtrenjtë për miliona argjentinas të zakonshëm.
Portet janë një shembull tjetër i mirë i qasjes së Mileit. Dominimi i gjatë i sektorit argjentinas të eksportit nga portet e Buenos Aires dhe Bahía Blanca, dy porte joefikase me ujë të cekët, kërcënohet tani nga një super-port i ri me ujëra të thella në provincën e Río Negro. Impianti i San Antonio del Oeste prej 2 miliardë dollarësh do të akomodojë supertankerat që do të ngarkojnë miliona fuçi naftë nga Vaca Muerta për të shkuar në Kinë.
Inflacioni i qëndrueshëm dhe në rritje, mallkimi i Argjentinës për dekada, është një vrasës investimesh. Regjimi i ri nxitës i investimeve të mëdha, i njohur si RIGI, mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e vendit. Ai siguron heqje taksash dhe dogane, si dhe stimuj dhe garanci për kursin e këmbimit, duke u dhënë kompanive garancitë që u nevojiten për të marrë angazhime afatgjata.
Gjatë gjithë historisë së Argjentinës, që nga sigurimet te noterët e deri te lejet e importit, zyrtarët, ndonjëherë edhe presidentët, kanë kërkuar ryshfete dhe shtesa në këmbim të ofrimit të mallrave dhe shërbimeve bazë. Paefektshmëritë që rezultojnë e kanë lënë kulturën, shoqërinë dhe ekonominë në mëshirën e një klase politike të dominuar nga Partia peroniste Justicialiste.
Milei ka premtuar se do ta prishë këtë praktikë. Kjo është arsyeja pse ai vazhdon të theksojë fjalën "liri" në retorikën e tij. Ndërsa ai mund të jetë duke zbatuar një program stabilizimi makroekonomik duke sulmuar ekseset fiskale të administratave të mëparshme, ndryshimi i vërtetë po ndodh në nivel mikro, duke i lejuar popullatës të çlirohet nga prangat e vendosura nga sistemi politik. Ky është një moment kritik për Argjentinën. Ai mund të shënojë gjithashtu fillimin e një epoke të re në politikëbërjen mikroekonomike.
Burimi: Financial Times
Përkthimi: ResPublica
Add new comment