Përtej Presidencës së Trump: Kriza me të cilën përballet Liberalizmi

Postuar në 07 Nëntor, 2024 15:38
Bard Camaj

 

Kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të 2016, shumë zëra në opinionin publik ndërkombëtar e konsideruan këtë fitore si një anomali, si një shmangie rastësore nga e zakonshmja, e cila do të korrigjohej me kohën. Të tjerë, e panë këtë fitore si një kërcënim ndaj demokracisë, një rrëshqitje në autoritarizëm që duhej ndalur. Por pak arritën të lexonin një aspekt tjetër të ngjarjes, i cili u bë më i qartë ndërsa vitet kalonin: Fitorja e Trump-it ishte një përgjigje ndaj dështimit të establishmentit liberal për të adresuar pakënaqësinë në rritje me status quo-në politike. Fitorja e tij nuk ishte një rastësi, por një sinjal për liberalët, që kishin humbur kontaktin me problemet e votuesve të tyre. 

Në zgjedhjet që pasuan, elektorati amerikan i dha një shans tjetër demokratëve, duke i rikthyer në pushtet, paçka se me diferencë të vogël votash. Mesazhi i atyre zgjedhjeve nuk ishte i vështirë për t’u lexuar: Amerikanët nuk do t’i jepnin Trump dy mandate rresht, nëse demokratët zgjidhnin vërtet të qeverisnin. Por demokratët nuk mundën ta shfrytëzojnë këtë mundësi reflektimi dhe përtëritjeje. Ata u rikthyen sërish tek të njëjtat politika që kishin dështuar të mbyllin hendekun mes interesave të elitave dhe nevojave të popullatës së gjerë. Nuk pati ndonjë ndryshim substancial në fokus, as në politika ekonomike apo sociale, dhe as përpjekje për të adresuar tëhuajtjen që kishte mundësuar ngritjen e Trump-it në pushtet herën e parë. 

Ky dështim për t’u reformuar i bëri demokratët të pafuqishëm ndaj revanshit të dytë presidencial të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Me ditët që kalojnë, zgjedhjet e vitit 2024 po konturohen si një test i përsëritur për establishmentin politik. Ngelet për t’u parë nëse sistemi e ka ende aftësinë për t’u vetëkorrigjuar, apo nëse do të vazhdojë të injorojë frakturat e thella në shoqërinë amerikane. 

Revanshi i Trump nuk mund vazhdojë të trajtohet si një krizë e përkohshme; ajo në të vërtetë është një sfidë e thellë për të ardhmen e demokracisë liberale. Tashmë nevoja për t’u reformuar nuk është thjesht një zgjedhje politike; është në fakt një çështje mbijetese. Nëse liberalët dështojnë të veprojnë tani, ata rrezikojnë jo vetëm peshën e tyre elektorale, por edhe legjitimitetin e modelit qeverisës që ata kërkojnë të promovojnë.

Gjithsesi, është tepër heret për parashikime apokaliptike: Me shumë mundësi, demokracia amerikane do të mund t’i mbijetojë mandatit të dytë të Trump, si herën e parë, por rreziku ngelet që paaftësia e vazhdueshme e demokratëve për të lexuar realitetin, mund ta çojë Amerikën dhe demokracitë anembanë globit, në një drejtim krejtësisht të paparashikueshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.