Për situatën kriminale në Shqipëri duhet dënimi me vdekje

Postuar në 05 Nëntor, 2024 10:47
Jak Simoni

 

Ngjarja dramatike në Shkodër me katër të vrarë, nga të cilët dy ishin kalimtar të rastit, pak a shumë, ruan të njëjtin raport, ndërmjet atyre që ishin objektiv dhe kalimtarëve të rastit, të serisë së ngjarjeve kriminale të mëparshme. Sa kalimtar, roje, banakier, kamerier, madje dhe  fëmijë, po u shtohen statistikave që, të paktën mediat, nuk po i lënë në harresë.

Një situatë e tillë nuk mund të mos kërkojë rivendosjen e dënimit me vdekje. Nuk ka pse të jetë i padiskutueshëm justifikimi se nuk e pranon Evropa, të cilën synojmë. Në Evropë ka disa vende të tjera që po e kërkojnë, ndonëse janë të fundit që janë pranuar. Evropa nuk ka pse të jetë një komunitet uniform.

Duhet të pranojë dhe ndryshimin ndërmjet rrethanave e veçorive të vendeve të tjera. Ndryshime që janë venë  në pah që në lashtësi, ku për filozofët grekë dhe ajri, i lagësht apo jo, ndikon tek dhe tek ndryshimi ndërmjet njerëzve, deri tek filozoft e periudhës moderne që janë shprehur se nuk mund të ketë ligje të njëjta për të gjitha kombet.

Ndryshueshmëria që karakterizon natyrën, botën e gjallë, karakterizon dhe njeriun si forma më komplekse e saj. Pastaj kanë  rëndësi dhe  statistikat e ngjarjeve kriminale, krahasuar me numrin e popullsisë së vendeve.  Për të bërë një krahasim me vendin tonë, ndoshta duhet të kalojmë kontinentin. Këtë kalim e bëri dhe  kriminaliteti shqiptar që ‘ka zbuluar’ një kontinent të ri pesë shekuj e ca dekada pas Kolombit: Amerikën Latine, ku beteja me krimin është  e përgjakshme.

Në fushën  e betejës më krimin kanë ngelur ca të pasionuar për të venë drejtësi të cilët kanë nevojë për mbështetje. Dënimi, dhe kapital, natyrisht më një proces të rregullt,  i krimeve të rënda me pasojë viktima të pafajshme si gra e fëmijë, natyrisht kur zbulohen, finalizon punën e policisë dhe prokurorisë dhe përbën një mbështetje për ta e njëkohësisht ngushëllim për viktimat e pafajshme. Drejtësia nuk ka pse të ndahet tërësisht nga empatia për viktimat e pafajshme dhe efekti parandalues.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.