Suksesi hileqar i Shqipërisë së sotme
Sot kryeministri Edi Rama zbulonte një plan për një lungomare të re në Vlorë. Pas së cilës siç thotë ai vjen një lungomare tjetër, që shkon deri në Orikum. Duke e bërë Vlorën po sipas z. Rama qytetin me lungomaren më të madhe në Mesdhe. Patjetër që kështu do jetë. Patjetër që lungomaren e Vlorës do ta kishte zili edhe Perandoria Romake, e madje edhe Dari i Persisë.
Ne duhet ta besojmë z. Rama në ato që premton dhe thotë. Sepse ai është një njeri që i bën ato që thotë. P.sh në daljen e tij të fundit në “Opinion”, kryeministri ishte shumë entuziast të fliste për ekonominë.
Me shifra të operatorëve ndërkombëtarë ai ka sjellë një panoramë të ekonomisë që është më shumë se optimiste: Borxhi publik sipas tij është ulur shumë. PBB-ja ka shkuar nga 9.3 miliardë euro në vitin 2013 në 24 miliardë euro aktualisht. Të ardhurat për frymë janë rritur, ndërkohë që për pensionet pranoi se nuk mund të rriten në mënyrë thelbësore nëse skema kontributive nuk zgjeron bazën e atyre që kontribuojnë.
Dakord, këto janë shifrat dhe nuk kemi pse t’i kundërshtojmë. Por pse nuk gjeneron optimizëm dhe çlirim kjo ekonomi kaq dinamike dhe në rritje? Me çfarë lidhet ky vëllim i shumëfishuar ekonomik? Si shpërndahet kjo pasuri e krijuar dhe në cilët sektorë gjenerohet ajo? Pse me rritjen e pandërprerë ekonomike ka një rritje të emigracionit, edhe të njerëzve të kualifikuar madje, kur logjika do të duhet të ishte e ndryshme?
Janë disa pyetje të cilat nuk kanë një përgjigje shteruese prej askujt që vepron në qeveri. Në shifra ne mund ta kemi ekonominë me rritje, por ne nuk e dimë si përkthehet kjo në cilësinë e jetës sonë. Dhe sidomos në shpërndarjen. Që nga viti 2008 i krizës së madhe financiare, një ndër elementët kryesorë të diskutuar nga shumë ekspertë, që flasin madje edhe për fundin e kapitalizmit, është Pabarazia. Atë pabarazi që nuk po do ta konsiderojë seriozisht asnjë qeveri në këtë vend.
Nga ana tjetër, burimi i kësaj rritjeje mund të jetë problematik në disa drejtime. Nëse turizmi është gjenerator ekonomik, atëherë pse nuk ka një rigjallërim serioz të bujqësisë, që është linja e dytë në zinxhirin ekonomik të sektorit?
Nëse ndërtimi është burim tjetër, si e shpjegojmë që mijëra apartamente janë bosh dhe ka mungesë të forcës së punës në një sektor që duhet thënë se paguan mirë?
Zoti Rama ka disa kohë që po bën presion që sektori privat të rishikojë pagat e punonjësve, por nuk është shumë bindëse të thuhet se vetëm paga shpjegon largimin nga vendi.
Ka diçka tjetër që po sjell këtë gropë potenciale në humorin e përgjithshëm të shoqërisë, e cila me shumë gjasë nuk percepton ndonjë perspektivë pozitive për veten. Arsimi, shëndetësia dhe çështja e pronës mbeten gangrenë e patrajtuar, ndërkohë që strukturimi okult i pushtetit është një tjetër element për të cilin nuk flitet, por patjetër që prodhon shkaqe të mjaftueshme që një pjesë e njerëzve të dorëzohen.
Po, ekonomia në planin e përgjithshëm është mirë. Qeveria e z. Rama i përballoi krizat që i dolën para duke improvizuar, reaguar dhe menaxhuar sipas rastit. Por ne nuk jemi më të pasur si qytetarë, nuk jemi më të përfaqësuar, ne nuk jemi ende pjesë e ndonjë klase të caktuar që ka zërin e vet në shoqëri në raport me kontributin që jep dhe ndoshta më kryesorja: ne nuk jemi më të sigurtë, as për veten dhe as për fëmijët tanë. Fatkeqësisht! Ne jemi zbrazur nga kuptimi i raportit tonë me vendin dhe angazhimin që duhet të kemi për të dhe për veten, duke rënë në traditën e arratisjes si opsion më efikas dhe zgjidhje më optimale.
Statistikat mund të ecin edhe më mirë dhe tashmë nuk ka arsye pse të mos i besojmë. Por një vend që humbet besimin e qytetarëve të vet tek e ardhmja, është duke rënë dhe kjo është çështje kohe. Kjo ekonomi pa mirëqenie reale, kjo rritje me pabarazi strukturore, është patjetër hileqare dhe e rrejshme sepse nuk akomodon dhe nuk cilëson sigurinë e të gjithëve, çka do të kapitalizonte një tjetër energji në vend.
Add new comment