Drejt Ishullit të të Vdekurve
“Ishulli i të Vdekurve”, piktura e Arnold Böcklin është një nga më të famshmet dhe më përfaqësueset e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një pikë referimi për shumë artistë modernë dhe - siç dihet tashmë - piktura e preferuar e Hitlerit, i cili arriti të blinte njërin prej pesë versioneve që artisti krijoi midis viteve 1880-1886 dhe sot gjendet në Galeria Alte National në Berlin.
Böcklin vdiq në vitin 1901 pa e marrë vesh ndikimin e madh që pati kjo pikturë në shekullin e njëzetë, mes artistëve dhe ideologëve. Ajo ia doli të bashkonte figura shumë të ndryshme: përveç Hitlerit, edhe Lenini rrëfeu se ai imazh e kishte ndjekur për vite me radhë. Si Frojdi, ashtu edhe Jungu shkruan për të, të goditur nga atmosfera pezull në kohë: i pari madje mbante një riprodhim të saj në studion e tij. “Ishulli i të vdekurve” ka joshur kompozitorët: Rachmaninov u frymëzua nga kjo vepër për një nga poemat e tij simfonike. Strindberg e përdor në sonatën e tij "Ghost".
Ndoshta piktura e zviceranit Böcklin (i lindur në Bazel në 1827 dhe vdiq në Fiesole) është një ekuilibër i mrekullueshëm kontrastesh. Flet për vdekjen, por eliminon elementin e saj të dhimbshëm, tragjik.
Imazhi të sjell ndërmend varkën e Karontit, por qetësia pothuajse krenare me të cilën figura e bardhë i afrohet ishullit nuk të përcjell dramën e kalimit nga një botë në tjetrën. I ngjan një ëndrre, por është i vërtetë. Böcklin mund të jetë frymëzuar nga një prej ishujve të Mesdheut: autori, në fakt, fillimisht u zhvendos në Romë, ku u martua me një italiane, Angela Pascucci, dhe më pas - pas disa udhëtimeve nëpër Europë – kthehet për të jetuar përgjithmonë në Itali, në kodrat e Firences, ku ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare. Pati një jetë të gjatë, por jo çdo gjë i shkoi vaj. Katërmbëdhjetë fëmijë, disa prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Përjetoi varfërinë, pasiguritë dhe konfliktet e kohës.
Duke folur për gjenezën e veprës së tij, Böcklin ka rrëfyer se synimi ishte të përfaqësonte “Një imazh ëndërr. Duhet të prodhojë një heshtje të tillë, sa trokitja në derë të bëhet e frikshme."
Heshtje, qetësi, meditim. Ishulli i të Vdekurve nuk është as ferr, as parajsë, nuk është një pikë mbërritjeje në jetën e përtejme dhe as qefin. Ka natyrë mesdhetare, por atmosfera është ajo e Evropës Veriore. "Ishulli i të Vdekurve" është një udhëkryq ndjeshmërish të panumërta dhe kjo është arsyeja pse arriti të bashkojë Hitlerin dhe Leninin, Frojdin dhe Jungun, De Chirico-n dhe Dali-në. Versioni i parë i pikturës u bë në Firence, ku Maria e vogël, vetëm një vjeç, kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë në shtëpinë e Böcklin. Shumë prej kritikëve shohin në vepër referenca për varrezat angleze, ku u varros vajza e vogël. Blerësja e parë ishte Marie Berna. Ajo sapo kishte mbetur vejushë dhe i kishte kërkuar artistit një pikturë që mund ta çonte “larg realitetit”.
Ndoshta ishte ky impuls që i dha autorit idenë se çfarë do të përcillte me pikturën, ndonëse ai ishte i vendosur që në fillim për t’i hequr vdekjes zinë. Në pikturën që ka përfaqësuar kultin e të vdekurve për gati një shekull e gjysmë, nuk ka asnjë gjurmë zie apo "mourning", në anglisht, ku termi merr edhe nuancën e pengjeve apo keqardhjes.
Figura e veshur me të bardha nuk shikon prapa, përkundrazi: shikon drejt përpara, as nuk ngurron dhe as shpreh padurim. Lundron me qetësi drejt pyllit të selvive. Ndoshta kjo është mënyra se si një artist mund ta imagjinojë vdekjen: si një peizazh që vjen nga fantazia (është, në të njëjtën kohë, romantik, natyralist dhe klasik) ku si me magji zhduken zhurmat, bezditë, kritikat dhe frymëzimet e zbrazëta. Ka pasur edhe nga ata që e kanë interpretuar veprën si “funerali që Böcklin ëndërroi për veten”.
Jetoi gjatë dhe pati kohë të shihte shumë gjëra. Kur filloi të kishte probleme me frymëmarrjen, u kthye në Itali, fillimisht në Viareggio për të bërë banjë dielli, më pas në Fiesole. Kohët kur në Romë, së bashku me gruan e tij, u duhej të raciononin bukën, ishin lënë pas, por ai sigurisht nuk ishte i pasur. Ai ishte përpjekur të bënte "Ishulli i të gjallëve", një pikturë intensive, por që i mungonte elementi “pa kohë”, që "Ishulli i të Vdekurve" e ka ende edhe sot. Kishte humbur gjashtë fëmijë të vegjël, ishte i lodhur. La amanet që të mos varrosej në varrezat angleze, por në atë të jo-katolikëve, në via Senese. Shumë më vonë aty u varros edhe Oriana Fallaci.
Böcklin vdiq në vitin 1901, në të njëjtën kohë kur në Paris do të zhvendosej njëherë e përgjithmoë një i ri spanjoll, që gjatë gjithë jetës së tij u përpoq ta shmangte idenë e vdekjes. Ai quhej Pablo Picasso dhe ajo që po hapej në Montmartre ishte një kapitull i ri, një faqe në historinë e artit që për piktorin zviceran do të kishte qenë shumë e zhurmshme, shumë e përfolur dhe shumë e ekspozuar. Ai kishte kohë që ishte zhvendosur atje, në zemër të pyllit me selvi. Në heshtje, më në fund.
Add new comment