Mali i Zi, një status quo dinamik
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, pas praktikisht dhjetë muajsh paqartësie dhe spekulimesh, të kaluara, zyrtarisht, në përpunimin e të dhënave të mbledhura, më në fund ka përfunduar.
Por, beteja lidhur me përqindjet e publikuara – mbi të gjitha lidhur me ato që kanë të bëjnë me etninë, domethënë, përkatësinë kombëtare dhe gjuhën, vazhdon me intensitet të theksuar.
Në regresionin e përgjithshëm politik, ekonomik, social dhe (anti)kulturor, me të cilin Mali i Zi po përballet katër vjetët e fundit, çështja kombëtare ka mbetur të jetë çelësi i politikës dhe propagandës së Serbisë së Madhe – e cila zakonisht ka dimensionin e saj rus dhe, në mënyrë të pashmangshme, nënkupton praninë dhe ndikimin aktiv të Kishës së Serbisë.
Narrativit të serbëve “të cenuar” në Mal të Zi, i cili është një risi historike, i është imponuar edhe narrativi për diasporën serbe – për të cilën nëna/mëmëdheu Serbia, natyrisht, “kujdeset shumë”, me të cilët politikanët vendës (më mirë të themi: provincialë) serbë pajtohen në mënyrë jo kritike dhe të paarsyeshme, duke u shtuar edhe fiksimi se regjistrimi do të konfirmojë se ka shumë më tepër njerëz që e identifikojnë veten si serbë sesa tregonin statistikat zyrtare të mëparshme. Sepse më parë, gjoja, nuk u lejohej të deklaroheshin si serbë!
Rezultati, pavarësisht nga reagimet e ekzaltuara në qarqet dhe mediat e Beogradit, si dhe ndër aleatët e tyre në Mal të Zi, në fakt vërtetoi se nuk ka ndryshime të rëndësishme.
Përpjekja e fokusuar malinje për të zvogëluar numrin e malazezëve kaloi praktikisht pa efekt. Kur Enti i Statistikave të Malit të Zi (MONSTAT), me kërkesë të Komitetit tonë të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (CHO), publikoi rezultatet që kishin të bënin vetëm me popullsinë domicile – pa të huajt, përqindja fillestare prej 41.1% malazezë doli të jetë në fakt 44.57%, që është (vetëm) gjysmë për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2011. Pra, në këtë kuptim, ekziston një status quo ante në Mal të Zi.
Nëse partitë aktuale në pushtet dëshirojnë ta pranojnë këtë, kjo është një pyetje tjetër. Është edhe më e rëndësishme nëse atyre u lejohet ta pranojnë këtë gjë – sepse heqja dorë nga kjo temë në fakt do të nënkuptonte humbjen e qëllimit të tyre në skenën politike malazeze.
Prandaj synimet e tyre mishërohen në dy akte juridike, domethënë projekte “kushtetuese”, me të cilat kërkojnë t’i shkatërrojnë themelet e pavarësisë dhe sovranitetit malazez.
E para ka të bëjë me gjuhën zyrtare në Mal të Zi. Gjuha serbe, si dhe gjuha boshnjake, kroate dhe shqipe – sipas Kushtetutës – janë në përdorim zyrtar. Gjuha zyrtare, natyrisht, është ajo malazeze.
Propaganda serbomadhe, domethënë nacionalshoviniste antimalazeze e problematizon çështjen e gjuhës malazeze si një tjetër komplot historik kundër serbëve dhe Serbisë. Pak njerëz e përmendin faktin që emri i gjuhës është në të vërtetë çështje politike, veçanërisht nëse lidhet me tendencën për të mohuar një komb përmes emrit të gjuhës. Kjo është arsyeja pse – si para dhe pas regjistrimit – një nga qëndrimet e zakonshme të asaj propagande të cekët, por, në disa shtresa të shoqërisë malazeze, shumë efektive, është fraza-pyetje “pse austriakët nuk flasin austriakisht, por gjermanisht?”.
Përgjigja e thjeshtë se praktikisht asnjë gjerman nuk pretendon se austriakët janë gjermanë për këtë arsye – sepse austriakët vërtet nuk janë gjermanë – që e bën të pakuptimtë krahasimin e kësaj situate me malazezët dhe Serbinë, bie në vesh të shurdhër mes epigonëve të Vuçiqit në Mal të Zi.
Prandaj zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq, mbështetës të partisë së të cilit, meqë ra fjala, janë në krye të MONSTAT-it, nxitoi të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës që i referohet gjuhës zyrtare. Për një gjë të tillë, në këtë moment, e as në një të ardhme të parashikueshme, nuk ka shumicë të nevojshme me dy të tretat në Kuvendin e Malit të Zi, e aq më pak është e mundur një mbështetje prej tre të pestave në një referendum të detyrueshëm, të parashikuar qartë me Kushtetutë.
Prandaj partitë e mazhorancës aktuale (me heshtjen e zakonshme dhe joparimore të Lëvizjes Evropa Tani të kryeministrit Spajiq) flasin për të ashtuquajturin “plotësim të Kushtetutës” – që është një teknikë, domethënë një mekanizëm të cilin Kushtetuta e Malit të Zi nuk e njeh. Për një operacion të tillë do të nevojitej dhunë ligjore dhe politike, gjë që – për të qenë e qartë – nuk do të thotë se një skenar i tillë është i pamundur. Prandaj përmendja e ndryshimeve në dispozitat për gjuhën zyrtare është akoma më shumë në sferën e propagandës dhe mbledhjes së votave “serbe”, sesa një skenar real.
Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet për miratimin e synuar të Ligjit për Shtetësinë e Dyfishtë. Kjo është tashmë një përpjekje shumëdekadëshe e Beogradit zyrtar dhe aleatëve të tij në Mal të Zi për të injektuar zyrtarisht në listat zgjedhore malazeze 150 dhe 200 mijë “malazezë etnikë” nga Serbia dhe entiteti Republika Srpska, të cilëve në fakt statusi kombëtar malazez u njihet vetëm për këtë qëllim. Pra, malazezët ekzistojnë vetëm si votues. Nëse votojnë si duhet dhe për kë duhet, sigurisht.
(Përkitazi: numri i pretenduar prej gati një milion qytetarë me “origjinë malazeze” në Serbinë e Vojisllav Koshtunicës, në kohën e referendumit malazez për pavarësinë, të cilët atëherë “duhej” të kishin të drejtën e votës në Mal të Zi, është reduktuar, nga politika asimiluese në njëzet vjetët e fundit, në pak më shumë se njëzetmijë banorë të Serbisë, të cilët deklarohen si malazezë.)
Përkundër qëndrimit të qartë që në disa raste është shprehur edhe në Parlamentin Evropian, ka gjasa që vojvoda çetnik Andrija Mandiç, i cili nga pozita e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, praktikisht drejton Qeverinë e Millojko Spajiqit, nuk do të heqë dorë nga ky projekt makabër.
Nga partia më e fortë opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve, tashmë ka ardhur një përgjigje e qartë dhe shumë e qartë: “Ne do ta parandalojmë miratimin e një ligji të tillë me çdo kusht”. Pra, me çdo mënyrë.
Duket se një përgjigje e tillë është e vetmja e mundshme, pas përvojës me të ashtuquajturit “votues turistikë” nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina në zgjedhjet lokale në shumë qytete malazeze, ku rastet më të dukshme janë ato në dy qytete më të mëdha – Podgoricë dhe Nikshiq.
Regjistrimi tregoi qartë se ku mund të çojë kjo lloj shpërbërjeje e shoqërisë malazeze.
Prandaj mesazhi më i shkurtër për miqtë dhe fqinjët tanë në Kosovë do të ishte: në Mal të Zi u bë një regjistrim i popullsisë, i cili tregoi se nuk ka ndryshime të rëndësishme sa i përket përbërjes kombëtare dhe emrit të gjuhës, respektivisht gjuhëve të përdorura nga qytetarët e Malit të Zi, por situata politike, pikërisht për këtë arsye, komplikohet edhe më shumë dhe krijon mundësi për skenarë të ndryshëm. Pra, ne kemi një status quo shumë dinamik.
Jemi të sigurt se miqtë tanë të Kosovës do ta kuptojnë këtë – sepse ata vetë në dialogun me Serbinë, prej dymbëdhjetë vjetësh, po përballen me një situatë shumë dinamike që “nuk ndryshon”.
Në të dyja këto situata, kuptohet, nevojitet një vendosmëri e qartë dhe një durim i madh në të njëjtën kohë.
(Autori është kryetar i Komitetit Malazez të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe ish-shef i diplomacisë malazeze.)
Burimi: Koha Ditore
Add new comment