Siria si shpëtim nga emigrantët
Normalizimi i marrëdhënieve me Sirinë po shihet si një mënyrë për të lehtësuar kthimin mbrapsht të emigrantëve nga vendet europiane. Në krye të kësaj përpjekjeje qëndron Italia. Kryeministrja Giorgia Meloni e ka hedhur këtë ide në takimin e fundit të liderëve të BE-së.
“Është e nevojshme të rishikohet Strategjia e Bashkimit Evropian për Sirinë dhe të punohet me të gjithë aktorët, për të krijuar kushtet që refugjatët sirianë të kthehen në atdheun e tyre në mënyrë vullnetare, të sigurt dhe të qëndrueshme”, tha ajo.
BE i ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Sirinë që prej vitit 2011, kohë kur presidenti Bashar Assad shtypi protestat në vend, duke i hapur rrugën një lufte civile. Në atë kohë, qeveria e tij u akuzua për përdorimin e armëve kimike ndaj popullit të tij.
Pavarësisht trazirave, regjimi i Asadit mbeti në këmbë, por ai është përballur me izolim pothuajse total global.
“Meloni planifikon të rrisë marrëdhëniet me Damaskun gjatë një takimi të 27 liderëve të BE-së në Bruksel të enjten”, i thanë POLITICO-s dy diplomatë të BE-së.
Italia nuk është e vetme në këtë përpjekje. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe disa vende që udhëhiqen nga parti të së djathtës ekstreme, si Austria dhe Hungaria.
Përpjekja për të normalizuar marrëdhëniet me Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe presidentin e saj vjen pas një rritjeje të mbështetjes për partitë anti-imigruese pas zgjedhjeve evropiane në qershor, përkatësisht Bashkimit Kombëtar në Francë dhe AfD në Gjermani.
Operacionet tokësore të Izraelit pas pushtimit të Libanit në fillim e intensifikuan nxitjen për deportimin e emigrantëve sirianë. Gati 200 000 sirianë dhe libanezë kanë ikur në Siri që nga fillimi i tetorit, sipas OKB-së. Më shumë se 1 milion refugjatë dhe azilkërkues sirianë kanë mbërritur në 10 vitet e fundit në Europë, sipas të dhënave të vitit 2021 nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.
"Situata në Lindjen e Mesme e ka ndryshuar plotësisht diskutimin," citohet nga Politico një diplomat i BE-së.
Në korrik, shtatë vende të BE-së (Austria, Italia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Greqia, Kroacia dhe Qiproja) i kërkuan shefit të politikës së jashtme të BE-së të rishikonte strategjinë e BE-së për Sirinë. Qëllimi, thanë ata, ishte përmirësimi i situatës humanitare në Siri si dhe ndihma për kthimin e emigrantëve në rajone të caktuara të vendit.
Përgjigja e shefit të politikës së jashtme të BE-së ndaj letrës nga shtatë vende të BE-së ishte e prerë.
"Si ka funksionuar regjimi sirian për dekada të tëra dihet dhe është e dokumentuar, duke përfshirë mbështetjen e drejtpërdrejtë të Rusisë dhe Iranit," u shpreh ai në një letër.
“Thënë kjo, të jeni të sigurt se BE-ja ka qenë gjithmonë e gatshme të eksplorojë mënyra për të mbështetur më mirë popullin sirian dhe aspiratat e tij legjitime.”
Add new comment