Shyqyr që na begenis Rusia dhe Irani që të themi: Jemi, përveçse Vjedhim

Postuar në 03 Tetor, 2024 18:29

Në Shqipëri funksionojnë dy komisione parlamentare që ilustrojnë konfliktin e hapur të shumicës qeverisëe me disa institucione që kanë detyra të posaçme që janë bërë objekt i këtyre institucioneve, por edhe me të vërteta fare të zakonshme. I pari është komisioni për Dezinformimin. I krijuar pak kohë pas nanuritjes elektorale me termin “parti e rublave”, komisioni në fjalë nuk e di as vetë se ku ta gjejë dezinformacionin ashtu siç e përcakton.

Në një raportim dje para këtij komisionit, ministri i ri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu zbuloi se për çfarë bëhet fjalë:

Ky manipulim informacioni nga shtete të huaja që përfshinë dezinformimin dhe propagandën, është kërcënim ndërkombëtar i sigurisë që mund të krijojë përçarje brenda dhe midis vendeve, të rrezikojë integritetin e zgjedhjeve dhe të minojë besimin e publikut ndaj qeverisë.

Vendi ynë është në shënjestër të dezinformimit dhe propagandës keqdashëse. Sjell në vëmendje këtu një shembull tjetër, në momentin kur në prill 2024, Ministria e Mbrojtjes themeloi qendrën e novacionit të sigurisë dhe mbrojtjes, e pamë që në mënyrë zyrtare dhe qoftë përmes kanaleve mediatike u ringjall narrativa ruse madje përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, ku ajo tha se ku investim i NATO-s po etiketohet qëllimisht si një burim për kërcënime hibride në Ballkan dhe praktikisht akuzonte Shqipërinë që kishte një strategji ofensive për kërcënime hibride në Ballkan.

Po ashtu, në muajin janar të vitit 2020, udhëheqësi i Iranit, Ajatollah Khomeini, iu referua Shqipërisë si një vend i vogël dhe djallëzor europian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë që kanë shitur atdheun e tyre”, tha Vengu.

Ka shumë shtete që kanë vendosur të injorojnë përpjekjen e palëve të treta për të dezinformuar. Ta injorojnë duke mbështetur kryesisht të drejtën e fjalës së lirë. Por tashmë jemi në kushtet ku kërkohet ndërhyrja e inteligjencës artificiale për filtrimin dhe diskreditimin të elementëve dizinformues. Në gjykimin tonë si Ministri e Mbrojtjes ne duhet të përpiqemi të bëjmë një kombinim të të dyjave

Ministri në këtë rast mund të na përgjigjet:

A përfaqëson dezinformacion të mirëfilltë deklarata zyrtare e një shteti tjetër? Kur Khamenei thotë që ne jemi një shtet djallëzor, çfarë rreziku ka në kuptim të dezinformimit? Mund ta në e thotë Vëngu?

Sepse unë them që të gjithë ministrat janë ca hajdutë! Nga kryeministri tek i fundit. Më duken edhe pak idiotë! Pse më duhet Rusia dhe Irani ta kuptoj këtë? A e provon dot Vëngu dhe Inteligjenca Artificiale të kundërtën e kësaj bindjeje? Kryeministri i këtij papagallit na thotë që akuzën penale e provon ai që akuzon. Dakord. Ky është rregulli. Ndaj edhe Salianji p.sh shkoi në burg. Por të thuash se opinionet dhe akuzat mes shteteve duhen rregulluar si problem dezinformimi sapo ke pohuar që qytetarët e vendit tënd besojnë më shumë ato qeveri sesa të tyren.

Dhe në fakt: e kanë gabim? A nuk e morëm ne vesh nga qeveritë e huaja që po na u krijoka një shtet i ri në Tiranë? A nuk i marrim vesh nga të tjerët se çfarë bisedon kryeministri i Shqipërisë lart e poshtë?

Përkundrejt këtyre akuzave që janë bërë, ka bërë qeveria jonë hapa konkretë zyrtarë? Nota proteste, nota verbale apo kërkesë për largim nga vendit të zyrtarëve të caktuar?

Lidhur me këtë fakt më i lezetshëm është një farë Alteo Hysi, ish-gazetar i ERTV që ndër të tjera shkruan se:

...Ambasada ruse në Tiranë vepron përmes postimeve në rrjetet sociale si agjent aktiv i dezinformimit, madje edhe duke etiketuar si rusofobë gazetarë apo autorë që shkruajnë për aktualitetin rreth Rusisë pa iu përshtatur më parë kornizës dritëshkurtër të pikëpamjeve të Kremlinit.

Më tej, në një postim të datës 19 shtator, ambasada komenton edhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që zhvillohej në Tiranë, duke deklaruar se aty po shpreheshin akuza të pabaza ndaj Rusisë për kryerjen e “mizorive” kundër popullsisë civile në zonën e “operacionit special ushtarak”. Ky postim sollli reagimin e drejtorit të festivalit, Kujtim Çashku, sipas të cilit, nuk mund të heshtet per atë që ndodh në Europë dhe se festivali ka sjellë ndër vite, filma e dokumentarë që kanë hulumtuar, shkelje të të drejtave të njeriut, cenim të demokracive, vrasje masive, përdhunime…

Por le të kthehemi te një intervistë e ambasadorit të ri rus në Tiranë, Alexey Zaitsev, për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Ria Novosti”, ku ai potencon narrativat e gënjeshtërta të Rusisë për perëndimin, Ballkanin, Shqipërinë dhe Ukrainën.

* Verifikimi i tezave të ambasadorit në gjuhën shqipe:

1. • Ambasadori deklaron se: Ballkani Perëndimor është ndoshta një shembull i qartë i shfaqjes së ambicieve neokoloniale të SHBA-së dhe BE-së, të cilat përdorin rajonin në lojërat e tyre gjeopolitike dhe promovojnë në mënyrë aktive ideologjinë e NATO-centrizmit, të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin rajonal, kërkojnë të nënshtrojnë elitat lokale, duke shkatërruar sovranitetin e shteteve ballkanike.

E vërteta: Në botëkuptimin e Kremlinit, Ballkani shihet gjithmonë nga lentja e marrëdhënieve të Rusisë me perëndimin, në ndërkohë që propaganda ruse në Ballkan, kryesisht përmes “Sputnik Serbia”, demonizon vazhdimisht SHBA-të dhe BE-në, ndërsa vendet e rajonit i trajton si të dobëta, të korruptuara, të varura politikisht nga perëndimi.

Në fakt, SHBA dhe BE mbeten aleatë dhe partnerë për progresin e vazhdueshëm të vendeve të Ballkanit, të cilat vazhdimisht inkurajojnë, nxisin e mbështesin fuqizimin e demokracive në shtetet e ballkanit perëndimor, përfshirë këtu shtetin e së drejtës si garant i demokracisë. Partneriteti i vendeve si Shqipëria me BE dhe SHBA është para së gjithash një lidhje e frymëzuar nga të njejtat vlera si liria, barazia dhe drejtësia që për Rusinë dhe zyrtarët e saj konsiderohen elementë sfidues të sistemit putinist “one man show”(one man show putinizmi. Po Shqipëria?!)

NATO nuk kërkon konfrontim me Rusinë(e di me siguri Hysi). Teksa pretendon për një natocentrizëm që sipas saj redukton garancitë ligjore të sigurisë jashtë perimetrit të aleancës, Rusia vetë nuk duket të dëshmojë me veprimet e saj se dëshiron realisht të jetë një kontributore e sigurisë europiane. Të vrasësh fëmijë të pafajshëm në këndin e lojrave, apo të bombardosh spitale ditën për diell, nuk tregon as dëshirën më minimaliste për të kontribuar në sigurinë e kontinentit...

Siç e shohim kemi përballje të dy opinioneve dhe nuk është e qartë sesi ato që thotë një ambasador hyjnë në dezinformacion. A thua njeriu nuk është në gjendje të krijojë opinione dhe bindje vetë për ngjarjet por duhen Pirro Vëngu dhe Alteo Hysi që ta na sqarojnë. Ndërhyrja mes informacionit të lirë dhe përdoruesit nga autoritete të rreme si këta më sipër, përfaqëson jo vetëm një aspekt brutal dhe artificial, por edhe një sinjal konflikti civil sepse prek një të drejtë që nuk negociohet. Po fëmijët që vret Izraeli nuk e shqetësojnë Tiranën zyrtare? Apo ata janë fëmijë myslimanë dhe arabë? Dhe si kontribuon Izraeli në sigurinë mesdhetare, di të na thotë Vëngu p.sh?!

Zotërinjtë në fjalë – edhe këta madje - e dinë shumë mirë se në botën e sotme nuk ka asnjë gënjeshtër të mundshme për Shqipërinë; një vend që nuk funksionon, për të cilin sikur të lexosh vetëm Raportin e Deaprtamentit Amerikan të Shtetit për ta kuptuar se çfarë është. E meqë jemi këtu: a janë dezinformacione raportimet e DASH? Mund të na e thotë Vëngu dhe Hysi?

Dezinformacioni është diçka e rëndësishme dhe serioze. Por Shqipëria politike nuk është. Ne jemi një vend që kapim agjentë rusë, që dëbojmë diplomatë rusë, që kemi baza ushtarake të NATO-s, që eksportojmë siguri(hajde mos të të kapë diarreja po deshe), por nuk kapim dot hajdutët në qeveri, nuk e dimë çfarë ndodh me një incenerator që nuk ekziston, ku ministrat hanë kumbulla e mollë pas kryeministrit, ku presidenti është në procedim penal e kështu me radhë. Ne i bëjmë të gjitha, vetëm kanalet e ujërave të zeza nuk i pastrojmë dot. Ka patur e do ketë vëngje dhe dëngje për të thënë lloj-lloj gjërash, por së paku, pavarësisht politikës që qëndron pas një nisme që është një e pëgërë pa kuptim, të gjenden disa argumente minimale sa për të bindur edhe logjikën e një adoleshenti. Përndryshe shyqyr që na begenis Rusia dhe Irani me një deklaratë në dekadë që të themi: Jemi edhe Ne!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.