Trupat izraelite hyjnë në Liban, shënjestra e vërtetë mbetet Irani

Postuar në 01 Tetor, 2024 13:30

Izraeli ka nisur në Liban atë që e quajti ofensivë tokësore e kufizuar. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) njoftuan nisjen e "sulmeve tokësore të lokalizuara dhe të shënjestruara bazuar në inteligjencën e saktë kundër objektivave dhe infrastrukturës terroriste të Hezbollahut" në fshatrat afër kufirit Izrael-Liban.

Sipas Izraelit, ato përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite. Plani - i cili do të mbështetet nga sulmet ajrore dhe artileria – është përgatitur prej muajsh. IDF nuk dha detaje se sa do të zgjasë ndërhyrja tokësore, por Reuters bën të ditur se rezervistët po thirren dhe po drejtohen në veri.

Megjithatë, si Izraeli, edhe vetë Hezbollahu kanë konfirmuar se deri tani nuk kanë pasur ende përplasje direkte.

Në këtë mënyrë, Netanjahu po intensifikon ofensivën ndaj Hezbollahut, dhe ka gjasa që sulmi tokësor të marrë përmasa akoma më të mëdha në Libanin jugor. Kjo do ta detyronte Hezbollahun të tërheqë forcat e tij në veri të lumit Litani, 29 kilometra nga kufiri izraelito-libanez, në përputhje me një rezolutë të OKB-së që i dha fund luftës së Libanit të vitit 2006.

Udhëheqësit izraelitë besojnë se ky moment është një mundësi e artë për të riformuar Lindjen e Mesme, një objektiv që shkon përtej shkatërrimit të Hamasit dhe Hezbollahut.

Ditët e fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka bërë të qartë se objektivi i tij përfundimtar në ndryshimin e pushtetit rajonal është të minojë autoritetin e lidershipit klerik të Teheranit, të cilin e konsideron financues, trajnues dhe mbrojtës të supozuar të Hamasit në Gaza dhe milicisë shiite libaneze Hezbollah.

Në një fjalim në anglisht të hënën, Netanyahu i premtoi "popullit fisnik pers" se dita kur ata do të ishin të lirë nga sundimi i "tiranëve" dhe do të mund të kishin paqe me Izraelin do të vinte "shumë më shpejt nga sa mendojnë njerëzit".

"Nuk ka vend në Lindjen e Mesme ku Izraeli nuk mund të arrijë," paralajmëroi ai.

Kjo do të thotë sfidë për autoritetin e Iranit në rajon. Në korrik, lideri i Hamasit Ismail Haniyeh u vra nga një raketë e lëshuar në një ndërtesë nën varësinë e Gardës Revolucionare, në mes të Teheranit. Komandantët e lartë iranianë janë vrarë në sulmet në Damask dhe Bejrut. Mesazhet e Netanyahut për "arritjen" e Izraelit janë të qarta, duke kufizuar hapësirën e Iranit për manovrim.

Kjo sfidë vjen në një moment kur Irani po projekton pushtet në të gjithë rajonin duke e paraqitur veten si pesha e rëndë ushtarake që mund të mbështesë milicitë e tij besnike në Irak, Siri, Liban dhe Jemen. Izraeli e ka vënë në pikëpyetje këtë autoritet me vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, vetëm pak ditë më parë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.