Amerikanët më kërkuan dorëheqjen! Amerikanizmi si sëmundje endemike

Postuar në 22 Shtator, 2024 15:30

Në një intervistë për RTSh, europarlamentari Fredi Beleri ka deklaruar gjatë kohës së qëndrimit në burg i është kërkuar nga partnerë të Shqipërisë që të japë dorëheqje nga mandati i fituar në zgjedhjet lokale. Beleri ka pranuar se mes ofertuesve për dorëheqje kanë qenë amerikanët, që mesa duket kanë vepruar në krizën 16 mujore që përfundoi me vjedhjen e zgjedhjeve nga kukulla me emrin Vangjel Tavo dhe caktimi në Prefekturën e Vlorës të Kristaq Kiços.

Pyetja që shtrohet është se çfarë interesi kanë amerikanët, çfarë loje bëhet me një proces zgedhor ndaj dikujt që ka fituar? A nuk është kjo SHBA që na ka çarë dërrasat me standardet zgjedhore? Këtu z. Beleri i ka dhënë një alibi z. Rama që tani mund të heshtë e të lërë të kuptojë që ja edhe arrestimin e Belerit mund të kenë urdhëruar amerikanët, burgosjen e tij po ashtu, e me radhë. Pra amerikanët këtu, amerikanët atje, dhe megjithëse janë kudo këta partnerë të mëdhenj të Shqipërisë, që komandojnë edhe botën, sërish punët në këtë vend shkojnë keq. Madje shumë keq.

Cila logjikë qëndron pas një politike që synon rrënimin moral dhe shkurajimin politik të një shoqërie? Cili interes vë në veprim një shtet kaq të madh për një çështje kaq periferike, që në fund të fundit ka zgjidhje ligjore?

Ndërhyrja amerikane në kësi gjërash priret të jetë ndër ato dukuri që i ngjajnë epidemive kronike që mandej çojnë në sëmundje endemike. Amerikanizmi është një normë pushteti që nuk diskutohet më, as në ndërgjegjen e njerëzisë, është aty si ora atomike për të na kujtuar sa afër apo larg qametit jemi. Sepse ideja që duhet mbjellë është: pa amerikanët nuk ka siguri, nuk ka ekzistencë duke harruar se bota dhe njeriu ka ekzistuar përherë. Para Amerikës dhe do jetojë edhe pas saj.

Nuk është çudi që imazhi i SHBA është në këto nivele që është sot. Mjafton të kujtojmë atë incidentin me marinsat amerikanë në Turqi, sikurse të shohim edhe rolin prej Jagoje që SHBA po merr në luftën në Gaza ku shpall se nuk di gjë.

Italia fqinje është viktima më e shkëlqyer e rolit të Amerikës në politikën e saj: që me zbarkimin në Siçili me ndihmën e Mafies, me operacionin X që çoi në masakrën e Portella della Ginestras, me cinizmin në trajtimin e vrasjes “Moro” e deri te skandali i Tangentopolit. Kaos, zhurmë, rrëmujë dhe korrupsion. Ja receta e stabilitetit.  

Politika amerikane i ngjan atij kimistit që mban kadavrat në formalinë, nuk dekompozohen, kanë dukje të ruajtur mirë, por janë kadavra. Për ta rrokur se deri ku shkon ky arsenik social, po sjellim një copëz nga një film i njohur i Nutit që evidenton pikërisht këtë invazion psikologjik që është amerikanizmi i politikës:

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.