Klisheja e "intelektualit sovjetik", apo "asketit të fundit"
Arrestimi i Pavel Durov, drejtori administrativ i “Telegram” ka nxjerrë në pah një fakt që nuk idhej gjerësisht. Zhvilluesi inxhinierik pas kompanisë në fjalë, është vëllai i tij, Nikollai.
Në raportimin e vet “Politico” e cilëson Nikollain si gjeniun pas Telegram, një njeri tërësisht i kundër me Pavel, që është PR i kompanisë. Me syze optike, i kërrusur, ai cilësohet se ka zhvilluar të gjithë sistemin. Por me më shumë interes është loja e sensacionalizmit që bën “Politico” që e cilëson Nikollain si “gjeniu i çuditshëm i matematikës me një shpërfillje për jetën materiale, në aurën e inteligjencës sovjetike”.
Patjetër që është një ekzagjerim. Termi gjeni është shumë i ezauruar për të qenë i besueshëm, sidomos kur referohet nga gazetarët mes të cilëve është fat të gjesh edhe dikë që mendon pa hile. Por “aura e inteligjencës sovjetike” është një topografi socio-politike që ka interes për kontesktin si serviret. Ai vjen këtu si antitezë e Pavel Durovit, shoëman të “Telegram” që shet shërbimin e prodhuar nga i vëllai sovjetik. Pra luajmë me më të mirën duke veshur kostumin e kapitalizmit dhe Perëndimit, ndërkohë që në burim qëndron një “murg” tipik rus, një asket i mirëfilltë që mendon e mediton për të distiluar maksimumin.
Kjo e intelektualit që duhet të jetë i virtytshëm dhe duhet të heqë dorë na ambiciet materiale për të qenë kundërpeshë e përhershme morale e një sistemi të korruptuar është një lloj arketipizimi që zë fill shpejt dhe po persiston.
Ajo që është disi e befasishme është sesi nga një sistem si ai bolshevik, ku Inteligjenca kishte rolin qendror drejtues, që është në pushtet të gjatë, arriti të mënjanojë korruptimin material. Për të ardhur e u shndërruar përherë e më shumë në kornizat e një institucioni fetar që shpërndan indulgjenca dhe korrupton perceptimin e realitetit nën peshën e bindjes dogmatike.
Nga ana tjetër modeli i “inteligjencës sovjetike” siç sillet këtu, me një refluks organik e gati patologjik për Perëndimoren, apo ethet e arit, ka rrënjë të thella në Rusi. Nihilizmi rus është deri diku reaksion edhe ndaj Perëndimit, anarkizmi po ashtu ka një gjë të tillë, ndërkohë që anarko-komunizmi i Sergey Nechayevit përfaqëson një majë të pakonkurueshme ndoshta të asaj që është peizazhi çehovian i Rusisë.
Kontributi i intelektualit rus tipik ndoshta në shoqëri niset nga perspekiva ekumenike e përmirësimit të botës, ndërkohë që në perëndim intelektuali, apo njeriu i ditur, u përfaqësua me përmirësimin e Marrëdhënies dhe zhvillimin. Dy etika të ndryshme që duket se vijojnë të konkurojnë në forma të reja për të përcaktuar botë të dallueshme.
Termi “inteligjenca sovjetike” ka një lloj kontradikte të madhe me Perandorinë e të Keqes siç përshkruhej Bashkimi Sovjetik dhe ngjashmëria me luftën kundër kristianizmit përsëritet këtu. Duhet thënë se intelektuali i virtytshëm – në kuptimin e refuzimit të korruptimit material, ose më saktë e refuzimit të materiales si asipratë personale – vazhdoi deri vonë në shoqëritë e reja.
P.sh një ndër njerëzit më emblematikë të sistemit sovjetik, Mikhail Suslov karakterizohej si Papa i Komunizimit europian, një dogmatik dhe shefi i ideologjisë, mbahej për i pakorruptueshëm. Aq sa dikur iu referua edhe rasti i korruptimit të fëmijëve të Brezhnjevit, shefit të tij direkt. Nuk dihet çfarë do të ndodhte, pasi Suslov vdiq.
Paralelja perëndimore e këtij modeli mund të gjendet te një person shumë i pangjashëm me rusin. Enrico Berlinguer, sardi memec, kryetar i Partisë Komuniste Italiane, ishte ndër ata njerëz që ndershmërinë personale – në kuptimin material – e kishte cilësi të dallueshme. Në dallim nga stalinisti Palmiro Togliati, Berlinguer, me origjinë aristokratike, dëshmoi një ekuilibër të pazakontë në majën e pushtetit. Dhe pushtet personal pati mjaft. Aq sa varrimi i tij, i parë sot, është një ngjarje e pabesueshme. Po flasim për njerëz që pretendonin se vepronin në emër të kauzës dhe në shërbim të më të dobtëve, pasi njerëz me integritet ka patur edhe “krahu tjetër”, që cilësohet si zëdhënës i të pasurve.
Është po ashtu e vështirë të gjenden raste korruptimi kaq masiv në Perëndim në vitet e Luftës së Ftohtë, edhe në Italinë e mafies. Aq sa vepra e Leonardo Sciascias që prek edhe korrupsionin e Demokracisë Kristiane dhe Kishës, nuk kumton më ndonjë të vërtetë universale, pasi problemi i elitës dhe kulturës sot rezultoi të ishte Relativizimi i çdo norme. Në rrugën drejt pasurimit deri më dje, Inteligjenca problematizoi padrejtësinë, mjerimin, të drejtat. Sot ajo është pjesë e lojës së pasurisë dhe flet përherë e më tepër për Rregullore. Aty edhe është roli i saj. Pa u stepur për dilemat etike që po prodhohen. Asnjëherë më parë, njerëzit më të kualifikuar nuk kanë qenë kaq të shpërblyer dhe në vendimmarrje. E sërish punët shkojnë shumë keq.
Përkufizimi pra i një njeriu që vjen”nga e ardhmja” sepse operon me mjetet teknike të saj, si Durov si individ nën veprimin e aurës së asketizimit materialist të intelektualit sovjetik, reflekton një pozicionim që meriton vëmendje. Abstinenca materiale sot kundrohet si një lloj anomalie që nuk i takon më njerëzimit, aq sa ajo shihet me dyshim. Si evidencë e një plani tjetër, shumë më të errët se korrupsioni. Dhe fitimi.
I vëllai me përshfaqjen e vet prej celebrity, është shumë më i kuptueshëm, pasi ai inkuadrohet në rrjetën e sistemit. Kjo stigmë u shfaq pak a shumë në karakterizimin që iu bë Abu Bakr Al Baghdadit, diçka që na flet edhe për teknikën e propagandës kundër atyre që janë “jashtë territorit” të Normës.
Ndodh kjo sepse norma është pikërisht ky në një botë që është ndërmarrje biznesi dhe ku çdo moral, çdo autoritet goditet përditë e përçast nga direktiva e parasë. Sovjetiku si model implikon pra një Kauzë dhe këtu nuk ka vlerë të shqyrtojmë nëse është e mirë apo e keqe. Pasi edhe E Keqja apostujt i ka po aq fanatikë sa E Mira.
Jo vetëm kaq. Por nëse e shohim me kujdes, Luciferët e fabrikuar të kësaj bote, apo kësaj kohe, vuajnë nga aftësi të dallueshme kreativiteti dhe veprojnë nën peshën e motiveve më fisnike se Paraja, ndaj edhe të pamundura dhe eksesive. Ata janë ishujt e shqueshëm të një homogjenizimi total të njerëzimit që nuk po do e nuk po di të ndalë një sekondë e të shohë se ku po rend. Dhe për çfarë.
Në fund të fundit edhe metafora e Krishtit ishte abstinenca, qëndrimi ndaj tundimit dhe Krishti qëndron në themel të atij qytetërimi që sot Kalvarin e sheh si një marrëzi. Me parimin e tij, pati sukses ideologjia e shekullit të 20-të.
Add new comment