Juda në borderonë e Aleksandrit
Ambasadorizmat kanë depërtuar edhe në Serbi. Një vend që pretendon se sublimon sovranitetin, i duhet tani të merret me ndërhyrjet e ambasadorit amerikan Chris Hill, një burokrat që i ngjan përherë e më shumë një lobisti. Pak kohë më parë, Hill deklaronte se protestuesit kundër minierës së litiumit në Jadar synojnë ta largojnë Serbinë nga Perëndimi. Një shërbim ky i mirë për presidentin Aleksander Vuçiç, që vetë thotë se protestuesit janë të vënë nga Perëndimi.
Pra Vuçiç akuzon Perëndimin për trazira dhe i shkel syrin Rusisë, Perëndimi vetë akuzon opozitën se është e lidhur me rusët për të mbajtur Vuçiç larg Perëndimit. Kaq pak, dy fjali për ta bërë Aleksandrin të duket njeriu i duhur. Zoti Hill ka thënë edhe se i beson autoriteteve serbe për çështjet mjedisore, ndërkohë banorët që ngrihen nuk shtojnë gjë në kandarin e tij.
Lidhur me këtë, një ndër opozitarët kryesorë serbë, kreu i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Dragan Gjilas ka replikuar duke u shprehur se protestuesit janë properëndimorë.
Qarqet diplomatike thonë prej kohësh se Hill është në borderonë e Aleksander Vuçiç. Nuk kam prova të kësaj, por mund të më shpjegojë dikush se pse Hill thotë se njerëzit në protesta janë kundër Europës dhe punojnë për rusët
ka thënë ai.
A mund ta besojmë ne në Shqipëri se Chris Hill merr lekë në këmbim të asaj që llap? Kurrën e kurrës.
Si mundet që një njeri si Hill që thotë pak a shumë atë që tha Blinken se “Edi Rama është kryeministër shumë i mirë”, ndërkohë që institucioni i tij flet për “korrupsion në çdo nivel në Shqipëri” të bëjë nga këto punë? Apostujt e demokracisë nuk bëjnë nga këto punë. Ata nuk janë Juda, deri kur indigjenët të kenë hapur sytë patjetër.
Jemi në vitin 2024 dhe do të duhet të kuptonim se ambasadorët amerikanë janë në variantin më të mirë ca diplomatë që shohin interesin e vendit të tyre. Në raste të tjera ca pocaqi pesëlekësh që bëhen më keq se LSI-ja.
s.zaimi
Add new comment