Jo armë me rreze të gjatë Ukrainës, edhe nëse vende të tjera e bëjnë këtë

Postuar në 15 Shtator, 2024 13:47

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka përjashtuar mundësinë që Gjermania të furnizojë me armë rreze të gjatë Ukrainën për t’i përdorur ato për goditje në territorin rus. Ai e ka përsëritur qëndrimin e vet në një takim në Prenzlau duke afirmuar se:

Nuk do të furnizojmë me këto armë sepse unë e quaj një problem. Edhe nëse vende të tjera e bëjnë këtë

Qëndrimi i Scholz vjen një ditë pas deklaratave të një zyrtari të lartë ushtarak të NATO-s sipas të cilit Perëndimi duhet të furnizojë Ukrainën me armë me rreze të gjatë për ta goditur Rusinë, pasi sipas tij, Ukraina ka një të drejtë legjitime ta bëjë këtë gjë.

Problemi në fjalë është shumë serioz dhe vë në dukje dallime themelore mes vendeve europiane kur vjen puna te Rusia. Gjermania është një vend që ka ndjekur politikën më të moderuar ndaj Kremlinit që pas invazionit të Ukrainës, dhe kjo jo vetëm për marrëdhënien specifike të krijuar pas Lufës II Botërore, por edhe për inetersat ekonomike të pas Luftës së Ftohtë.

Gjermania nuk do në asnjë mënyrë që të zgjojë emocione të vjetra në Rusi, të cilës ajo i shkaktori luftën më tragjike në historinë e saj duke vendosur premisat e një rendi bipolar global.

Nga ana tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, tha një ditë më parë se armë të tilla sinjalizojnë përfshirjen direkte të NATO-s në konflikt, pasi ato kërkojnë të dhëna satelitore dhe pilotim nga personeli i NATO-s.

Hezitimi gjerman në këtë rast përfaqëson një lloj përgënjeshtrimi të politikës perëndimore të sigurisë të para konfliktit që konsistonte në Europë në dislokimin e sistmeve mbrojtës raketorë. Kjo politikë u kundërshtua gjatë nga Rusia dhe me gjasë qëndron në themel të ringritjes së armiqësisë mes Kremlinit dhe Polonisë, apo vendeve balltike, që panë te sistemet një element të sigurimit të pavarësisë së tyre.

Po kështu, dualiteti i shfaqur e orienton konfliktin e Ukrainës drejt një çështjeje ndërshtetërore ruso-ukrainse, pasi kufizimi në armatim dëshmon se Perëndimi nuk ka interes dhe me gjasë as kapacitet të krijojë konflikt të përgjithshëm me Rusinë në këtë moment.

Ka edhe një arsye tjetër për këtë që ndoshta ndikon më shumë se të tjerat. Sanksionet ndaj Rusisë kanë detyruar këtë të fundit të kthehet nga Kina dhe Irani. Kina sidomos po bëhet furnizuese kritike e Rusisë në këtë luftë, duke ndërtuar një marrëdhënie varësie që është vënë në dukje shpesh. Por një konflikt i përgjithshëm, me neutralitetin strategjik të Kinës, do ta kthente atë në pozitën e favorshme të SHBA gjatë Luftës II Botërore për ta shndërruar në superfuqi. Edhe pse është përsëritur shpesh se Kina vetë vuan për burime.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.