Nuk ka shpresa për dialog/ Vuçiç propozon paketë me 7 kushte

Postuar në 13 Shtator, 2024 19:13

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, doli me një paketë të re kërkesash, plotësimi i të cilave, sipas tij është parakusht për progresin e dialogut me Kosovën.  

Në një deklaratë drejtuar popullit serb, Vuçiç paralajmëroi një fushatë diplomatike globale në funksion të plotësimit të këtyre kërkesave, duke theksuar se nuk ka zgjidhje të mirë për serbët.

Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t'u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiç.

Mes kërkesave të Serbisë është shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut", tha Vuçiç.

Ndërkohë, Parlamenti serb pritet të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Shtatë kërkesat e Serbisë

  • shpallja dhe mbajtja e "zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike" në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
  • kthimi i serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
  • Tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga "bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme" në veriun e Kosovës.
  • tërheqja e Policisë nga të gjitha institucionet "të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët".
  • formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe
  • zbatimi i menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë" të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
  • kryerja e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.

Në dokument thuhet gjithashtu se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të "shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.