Të mbash derën hapur me një gur që vlen 1 milion euro
Një nga copëzat më të mëdha të qelibarit, me vlerë rreth 1 milion euro, është gjetur në shtëpinë e një gruaje të moshuar në Rumani. Gruaja, e cila gjeti gurin prej 3,5 kilogramësh në shtratin e një përroi në Colti, një fshat në juglindje të vendit të Evropës Lindore, dhe e përdori atë për dekada të tëra për të mbajtur derën hapur, pa ia ditur vlerën. Asaj iu grabit shtëpia, por guri u shpërfill edhe nga grabitësit.
Guri tërhoqi vëmendjen e një trashëgimtari të saj, i cili e çoi për ekzaminim. Pasi zbuloi vlerën e tij, ai ia shiti gjetjen unike shtetit rumun, i cili e klasifikoi menjëherë si thesar kombëtar.
Autoritetet rumune ia dorëzuan copëzën specialistëve të Muzeut Historik në Krakov (Poloni), i cili ka një seksion kushtuar studimit të gurëve gjysmë të çmuar. Ekspertët polakë konfirmuan menjëherë autenticitetin e gurit qelibar dhe vlerësuan se ai mund të jetë midis 38.5 dhe 70 milion vjet i vjetër.
"Zbulimi i tij përfaqëson një rëndësi të madhe si në nivel shkencor ashtu edhe në atë muzeal," shpjegon për EL PAÍS Daniel Costache, drejtor i Muzeut Provincial të Buzaut, ku aktualisht po mbahet objekti.
Rumania është ndër vendet me depozitat më të rëndësishme të qelibarit, ku Qarku Buzau është një nga zonat ku ky gur gjysmë i çmuar gjendet me bollëk. Për shkak të veçorive të depozitave të vendit, gjeologu Oscar Helm i quajti këtë lloj guri "rumanit", i njohur më shpesh si "Buzau amber", sipas Akademisë Botërore të Rekordeve, organizata kryesore në botë për certifikimin e rekordeve.
Në këtë rajon janë zbuluar copa të ndryshme qelibari, me vlerë të konsiderueshme si për nga cilësia, ashtu edhe për shkak të më shumë se 160 nuanca të ngjyrave kryesisht të errëta, nga e kuqja në të zezë.
Add new comment