Identik si në Shqipëri, Pushteti në Beograd shtyn njerëzit drejt urrejtjes duke i çmobilizuar politikisht

Postuar në 05 Shtator, 2024 20:32

Ish-kreu i Akademisë së Shkencave të Serbisë, neurologu Vladimir Kostiç, ka dhënë një intervistë për revistën “Cord” gjatë së cilës është pyetur për tema të ndryshme të aktualitetit në Serbi. Rënia demografike, debate mbi minierën e litiumit në Jadar, çështjet e privatësisë dhe nevoja për “reformimin radikal” të sistemit arsimor, janë disa prej tyre. Tema universale tashmë të cilat ende nuk kanë marrë një përgjigje, pasi mesa duket rigjenerimi i një shoqëire ndjek shtegun e ideve të reja politike dhe jo skemave burokratike, sado efektive të jenë ato.

Por çfarë ka më shumë rëndësi – për ne nga jashtë Serbisë – në këtë intervistë është nervozizmi i një akademiku me elitën drejtuese të vendit, aq sa në bisedë është e pamundur të shmangen konsideratat personale, shpotitë dhe deri diku përçmimi.

Një ndër figurat kryesore të partisë në pushtet(sinqerisht i mirënjohur për ndërrimin e partive) i bën apel qytetarëve nga ekrani i televizionit që po ashtu t’i besojnë liderit të tyre në mënyrë të pakushtëzuar mbi këtë çështjen e litiumit. Kjo është interesante pasi në fund të çerekut të parë të shekullit të 21-të, ofrohen besim i padiskutueshëm(inkuizioni vjen më pas, kur shfaqen krisjet) në një vend ku është e domosdoshme të vlerësohen në mënyrë kritike opinionet e gjithësecilit, përfshirë ato të tuat

thotë ndër të tjera Kostiç.

Duke e krahasuar metodën propagandisitike të qeverisë aktuale serbe me atë “të ndonjë qeverie tjetër”, ai nënvizon se kjo është:

një recetë për të imobilizuar shoqërinë

Ngjashmëria mes Serbisë dhe Shqipërisë së Edi Ramës në këtë aspekt është diçka befasuese. Për krahasim, në qeverinë e z. Berisha, kishte polarizim, reagime, veprime reaktive dhe imponim, por në themel të gjitha këto shenjonin Mobilizimin politik dhe social. Ndërkohë që pushteti i ri, i tipit Vuçiç-Rama, bën çmos që të mos provokojë, të kooptojë, korruptojë, relativizojë, zhurmojë çdo skandal. Çdo vendim. Për ta çuar shoqërinë në një paralizë fatale që nis fillimisht me atrofizimin e opozitës.

Optika e qeverisë për ta parë çdo mendim ndryshe, apo kundër, si venë destabilizuese e zhvillimit, përcakton, sidomos në vende të vogla si tonat, deprimimin e individit që nis e kupton se askush nuk e dëgjon, e kupton. Nis e sheh të shkëputen të gjitha lidhjet kohezive që janë jetike për mbrojtjen e shoqërisë nga pushteti, që gradualisht, në kuadrin formal të një Demokracie, ka ushqyer idenë se është pikërisht ai, pra Pushteti që duhet të kujdeset për çdo gjë.

Kështu, Kostiç na thotë, se qeveria e Aleksander Vuçiç, refuzon dialogun real për çdo gjë, ajo do bindjen e ushqyer nga ndjesia e pagabueshmërisë dhe sensi i eksklusivitetit në dashurinë për Serbinë, serbët dhe të ardhmen e tyre. Ajo që të befason në ngjashmëritë me Shqipërinë është fakti nëse në Shqipëri, z. Rama i duhet të mbrojë një ekonomi të krimit, që ushqen dhe mban në këmbë stabilitetin, në Serbi, Aleksander Vuçiç i duhet të mbrojë një pozicion gjeopolitik të vështirë që e kërcënon edhe fizikisht në ndonjë eventualitet të caktuar. Në thelb, pengmarrja e një pushteti ndaj një narrative që siguron atë, por që pretendon të shpallet si recetë zhvillimi, vjen e shndërrohet në paradigmën e një krize e cila ka paradoksin se ofron mundësi për atë që është në krye, sa më e rëndë të jetë.

Rotacionit që ka nisur të jetë nevojë emergjente rajonale, i mungon pra elementi kyç: mobilizimi social, për shkak se shoqëritë tona janë ndarë shumë thellë, aq sa edhe për çështje evidente si litiumi, arrihet deri aty sa edhe bota shkencore të dallohet për nga dy lloje Logjikash. Në kushte të tilla, kur injorimi i së vërtetës edhe shkencore, është kriter sundmi, është e pamundur të diskutosh, të flasësh për debat dhe të kërkosh pika takimi. Që këtej edhe degradimi i paraqitjes publike që nis e kalon në sulme personale dhe që e vret çdo autoritet pikërisht sepse autoritetin e veprimit e ka vetëm Pushteti. Maskuar nën emrin e Demokracisë dhe mbajtur në këmbë më alibinë e Zgjedhjeve.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.