Greqia inicion një front ballkanik për energjinë elektrike
Greqia do të formojë një “front ballkanik” me qeveritë e Bullgarisë dhe Rumanisë, i cili ka për qëllim unifikimin e tarifave të energjisë elektrike. Rritja dramatike e çmimit të energjisë duket se nuk do të jetë e përkohshme dhe efektet e saj pritet të reflektohen në ekonomi.
Kjo do ta bëjë të vështirë adresimin e kësaj rritjeje me subvencione.
Vendet e Evropës Perëndimore kanë asistuar me energji Ukrainën, duke e zhvendosur barrën te Greqia dhe vendet e tjera të Evropës Juglindore.
“Nuk është e mundur që Austria të ketë çmim 154 euro dhe tregu fqinj i ndërlidhur i Hungarisë 238 euro. Diçka nuk është në rregull dhe BE-ja duhet ta shohë këtë dhe të ndërhyjë”, citohet nga Kathimerini një zyrtar i qeverisë greke.
Sipas tij, qeveria në Athinë po merr masa për të formuar një “front ballkanik” me qeveritë e Bullgarisë dhe Rumanisë, përmes të cilit do të kërkohet forcimi i flukseve të energjisë nga Evropa Perëndimore në Ukrainë, ose financimi i vendeve të Ballkanit për të mbështetur bizneset dhe konsumatorët e prekur.
Përveç mospërputhjes së mëdha të çmimeve, Athina, Sofja dhe Bukureshti do ta bazojnë kërkesën e tyre ndaj BE-së në gjetjet e një investigimi që synon të saktësojë nëse flukset e kufizuara nga Evropa Perëndimore në Ukrainë janë me të vërtetë për shkak të kapacitetit të ndërlidhjeve, si dhe si funksionojnë algoritmet që rregullojnë flukset e energjisë nga tregjet më të lira në ato më të shtrenjta.
Ky front që përfshin Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë vjen në vazhdim të një fronti të industrive të tre vendeve të krijuara në korrik me valën e parë të kërcimeve të çmimeve. Në një letër të përbashkët drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të BE-së për Energjinë dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Konkurrencën, Shoqatat e Konsumatorëve Industrialë të Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë ngritën çështjen e mospërputhjeve të mëdha të çmimeve në tregjet e Evropës Juglindore me pjesën tjetër të tregjeve evropiane dhe konkurrenca e pandershme që ato shkaktojnë në dëm të tyre.
Add new comment