Shqipëria është mirë se asnjëherë më parë? Epo, shqiptarët qartazi JO
Ministri i Drejtësië Ulsi Manja ka reaguar sot për krimin e ndodhur në Korçë ku një grua, nënë e dy fëmijëve u vra nga bashkëshorti, me djegie.
Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë
shprehet ndër të tjera ministri Manja.
Ka një problem të kjo frazë pasi dhuna mes shqiptarëve është zakon më i shpeshtë se buka. Dhuna është me gjasë e organizuar tashmë si pjesë e sintaksës sonë gjuhësore dhe gramatikës shpirtërore. Ajo ka histori të thellë në qenien tonë dhe nuk është arritur të kurohet nga asnjë kalim civilizimi. Ka arsye kulturore, shoqërore, historike, e madje edhe gastro-antropologjike. Por është një fakt i pakonkurueshëm.
Ka një problem kjo frazë sepse dhuna në mënyrën si po përshfaqet në shoqëri së fundmi, ka një element të absurdit dhe irracionalitetit që nuk gjen shpjegim vetëm me natyrën e dhunshme të agresorit. Dhuna në këto lloj manifestimesh flet për një rrethanë sociale ku ushqehet dhe kultivohet për t’u afirmuar mesa duket si e vetmja dritare në tunelin e izolimit tërësor ku mbytet individi shqiptar sot.
Nuk justifikon kush dhunën, por shqyrtimi i saj si dukuri është domosdoshëm. Presioni i pandalshëm i ipabarazisë, i sundimit të një kaste që ka feudalët e vet kudo, presioni i imagjinimit të një pasurie që shihet në vitrinat e mediave sociale, diferenca e madhe që po sanksionohet në shoqëri, relativizimi tërësor i punës, shkollës, hierarkive dhe keqkuptimi reciprok i marrëdhënieve ndërgjinore, patjetër që intoksikojnë një strukturë si familja. E cila siç po shohim nuk e mbron më dot individin nga invazioni i shoqërisë, që po funksionon si një division digjital anonim, si një hipermarket i paanë, ku ndihesh i përjashtuar.
Një njeri i ndodhur në qiellin e hapur të kësaj kamjeje virtuale, patjetër që do të nisë së pari vetëvrasjen e normave të veta, për të mbërritur mandej në seksionet e krizave psikologjike dhe nervore të mosbesimit, kotësisë së plotë dhe madje deri edhe në alergji të plotë ndaj mjedisit ku jeton.
Individi shqiptar sot nuk beson më në asgjë; as në atë që sheh, e as në atë që dëgjon. Ndaj drejtësia për të cilën flet z. Manja, nuk zgjidh dot gjë në thelb. Sepse kur ti dëgjon “policia”, “drejtësia”, “Parlamenti” në tru, në zonën e gjuhës ndoshta, nëse ka një të tillë, të ndizen sinjalet e neverisë dhe dyshimit, refluksit ndaj një realiteti që nuk ekziston siç paraqitet. Të gjitha këto janë pjesë e katalogut të dhunimit që i bëhet psikologjikisht një qytetari, që detyrohet të nënshtrohet, në vend se të priste marrjen e një shërbimi.
“Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë”-, është një fjali shabllon e dikujt që i ka në rregull punët e veta. Që nuk i laget këmba për asgjë, por që nuk kupton asgjë në themel nga ajo që thotë. Le ta themi kështu: po pranojmë atë që thotë qeveria: Shqipëria është më mirë se kurrë më parë. Dakord. Po shqiptarët ama, nuk janë mirë. Dhe janë më keq se kurrë më parë. Le ta gjejë Ulsiu psenë.
s.zaimi
Add new comment