Jeta erdhi nga uji i shiut
Uji i shiut mund të ketë ndihmuar strukturat e hershme të ARN-së të zhvillohen në protoqeliza duke formuar barriera mbrojtëse rreth tyre, për t’i hapur më pas rrugën evoluimit të tyre në forma komplekse të jetës.
Një studim i kryer nga Shkolla Pritzker e Inxhinierisë Molekulare e Universitetit të Çikagos (UChicago PME), Departamenti i Inxhinierisë Kimike të Universitetit të Hjustonit dhe Departamenti i Kimisë së UChicagos ka arritur në këtë përfundim.
Studimi i botuar në "Science Advances" argumenton se uji i shiut mund të ketë ndihmuar në krijimin e një muri rrjetëzues rreth protoqelizave 3.8 miliardë vite më parë, një hap kritik në kalimin nga grimcat e vogla të ARN-së në çdo bakter, bimë, kafshë dhe njeri që ka jetuar ndonjëherë.
Për dy dekada, shkencëtarët kanë hedhur hipotezën se fragmentet e ARN-së ishin përbërësit e parë të jetës që u formuan në detet primordiale të Tokës. Megjithëse ADN-ja është një komponent thelbësor i jetës qelizore, ajo nuk mund të hyjë në veprim me proteinat, çka e bën të pamundur që të jetë pika fillestare. Ndërkohë, ARN e bën diçka të tillë, ndaj ajo mendohet të ketë qenë katalizatori për rritjen dhe evolucionin qelizor.
Problemi është se molekulat e ujit të detit lejojnë që ARN të lidhet dhe të ndryshojë shumë shpejt, shpesh brenda disa minutave. Shpërndarja e shpejtë do të thotë mosndarje e materialit dhe rrjedhimisht nuk ka evolucion. Shkencëtarët arritën në përfundimin se uji i zakonshëm i detit nuk lejon që fragmentet e ARN-së të formojnë membranat e nevojshme për jetën qelizore.
Në këtë pikë u hodh hipoteza se një lloj tjetër uji mund ta ketë bërë të mundur një proces të tillë. Eksperimentet me ujin e shiut dhanë përgjigjen përfundimtare. Ky lloj uji ndikonte që procesi të zgjatej nga disa minuta, në disa ditë. Pikërisht ky ujë u vu re se bënte të mundur që ARN-ja të fillonte mutacionin, duke treguar, me gjasa, se si filloi jeta nga këto fragmente miliarda vjet më parë.
Add new comment