Afresku i Tranzicionit të cilit i mungon Ikona
Një mënyrë për të lexuar vërtetësinë e raportit të brendshëm të një subjekti me mjedisin ku ai është protagonist, është ta shohësh pa e dëgjuar. Rastisi që në një televizion informativ transmetohej aktiviteti i Pragës ku mori pjesë edhe z. Rama, fjala e të cilit po jepej. Pa zë, sepse televizori ishte në një bar.
Me leximin e titrave detyrohesh ta Shohësh subjektin dhe jo ta dëgjosh, diçka që po bëhet rregull universal në të vërtetë. Aq sa lajmet i shohim përpara sesa i dëgjojmë, e që këtej edhe politika e kooptimit të femrave të reja, gjysmë nudo si moderatore.
Në atë pasazh vizual mund të shihje dhe ndiqje gjestet e mimikës së z. Rama që luhatej mes sforcimit për të imponuar natyrshmërinë e vet, kërkesës për të pozuar përpara se të propozosh diçka për argumentin dhe një lloj kompleksi për vendin e vogël qe përfaqëson. Një skulpturë personale e ndërgjegjes së një njeriu që ka detyrime edhe për praninë e vet aty.
Për ta kapur më mirë, shihni një video pa zë të z. Rama në Parlament. Dallimi kuptohet menjëherë, jo sepse nuk është i pranueshëm, por sepse rroket fare qartë raporti i brendshëm i subjektit me ambientin.
Zoti Rama hyn tek ata njerëz që kanë talentin e vetë-promovimit dhe për këtë ndërtojnë një imazh. Mirëpo ruajtja e aktualitetit të këtij imazhi në luftën me mediat sociale kërkon përpjekje të shumta për të diversifikuar regjistrat e komunikimit çka rrezikon që të zhgradojë dhe banalizojë profilin e një njeriu publik.
Sali Berisha ishte një person që u përpoq të skaliste imazhin e shqiptarit dok, të zakonit dhe traditës, trim por jo i çartur, besnik po jo naiv dhe sidomos vullkanik në energji. Sa eci ky imazh? Nuk e dimë ende, por sërish loja e ditës e përbalt më shumë se çdo gjë besueshmërin e imazhit.
Nëse ndalim në një çast të shohim momentet kryesore të Berishës, atë do ta asociojmë patjetër me ndonjë miting, tregues i qartë i pulsit psikologjik të tij.
Videoja si format, megjithëse ka vlerën e dokumentit dhe dëshmisë, nuk e instrumentalizon dot imagjinatën kolektive sa fotoja apo piktura. P.sh kur shohim videot e z. Rama si kryetar i bashkisë patjetër që qeshim për kërriçin që kemi para, por e dimë shumë mirë që ai nuk është në të vërtetë ashtu.
Kur shohim ama foton e tij me makarona apo të dhunuar do mendohemi disi, do ngacmohen disa emocione, do kujtohen disa gjëra. Fotoja bëhet më identifikuese. Dhe kalon në një lloj ikonizimi të ikonostasit laik në atë moment kur fotoja pajtohet me ngjarjet. Fotoja e makaronave identifikon Edi Ramën në një aspekt, por ajo nuk i thotë gjë Shqipërisë. Ndaj po themi që z. Rama ende nuk e ka ikonën e vet, pra atë plan ku pajtohet ai me rolin e vet në histori.
As z. Berisha, i cili megjithatë ka disa plane nga vitet ’90. Ndërkohë që në ardhjen e dytë në pushtet paraqitja e tij skenike ndryshoi. Foto në profil kryesisht, i mbërthyer në një mimikë që thotë: hapini rrugën uraganit! Një vetësugjestionim patetik dhe artificial, pasi sërish: protagonizmi nuk përkon me asgjë historike. Ky nuk është aspekt i parëndësishëm, pasi me ikonizimin vijnë mitet dhe identitetet politike apo referencat paradigmatike.
Merr kjo vlerë studimore sidomos me protagonistë të skenës, por jo të zhvillimit. Që e blejnë vëmendjen, por nuk themelohen dot si kapituj të historisë së rëndësishme. Mbeten dishepuj të saj dhe viktima të ambicies personale.
Për ta krahasuar ne mund të sjellim edhe shembuj nga periudhat e tjera të shtetit, meqenëse Politika ka qenë Skena në shekullin që lamë pas.
Fotografia e Ismail Qemalit në ballkon është ngulitur në ballinën e sanktuarit imagjinar politik tonit, duke shenjuar kështu në aspektin e imazhit fillimin e historisë pozitive tonën. Siç ne duam ta dëgjojmë. Por Qemali vjen në kujtesë edhe me fotografinë e varkës me Isa Boletinin, një takim i fotos si ikonë me historinë e asaj kohe. Kalimtare, por shenjuese.
Megjithatë imazhi që ndoshta më shumë se çdo gjë karakterizon, flet, shquan dhe madje e identifikon një histori si ajo e 1939-ës, është fotografia e Ahmed Zogut me Kontin Çiano. Aq sa Zogut i mbetet në histori, në sipërfaqen e saj, aty ku ka veshin dhe sytë vegjëlia, Ikja si akti dominues. Dhe kjo Ikje nis në aspektin skenografik, apo katalogohet si parathënie me atë foto. Çiano duket qartë se është ai që ka marrë peng Mbretin e Shqiptarëve, me të cilin pozon pranë.
Fisnikëria në atë foto, në qëndrim, pozicion, shikimin që flet në atë çast historinë personale qe rezonon me atë të një populli, i shkon Ahmedit elegant, që ngjan se nuk do të donte të fliste. I dënuar dhe i vetëdijshëm për dobësinë e vet, i sikletosur nga miqësia me një mik të fuqishëm, Ahmed Zogu aty, pavetëdijshëm, me atë shikim i jep lamtumirën Shqipërisë. Ajo lamtumirë që e futi në histori. Fotoja duket se kështu do të interpretohet.
Enver Hoxha mandej kalibron imazhin e vet me triumfalizmin, diçka që mbreti diskret nga Mati nuk e aplikoi. Imazhi që riprodhon një memorie kolektive dhe që mandej siguron argumentin bazë të legjitimitetit historik të atikj pushteti, është kalimi i fitores në Tiranë.
Hoxha, i cili si rrallëkush, u qarkua nga një hagjiografi e tërë, nuk arriti ta tejkalojë atë foto marshimi ku nyjëtohet roli i tij me historinë. Çdo gjë më pas është pasojë: spektaklit të trishtimit të Ahmedit, ia zë vendin spektakli i optimizmit dhe fitores. Rotacioni i elitave shenjohet dhe shenjon padiskutim edhe psikologjinë. Hoxha u bë ikona e një vendi ku bunkerët, uniforma kaki, apo radhët ishin afreske të një vendi që kishte zgjedhur abstinencën edhe ndaj Fatit.
Mes shqiptarëve duhet thënë se shenja të markimit publik kanë patur kosovarët. Isa Boletini që hyri në histori është i markuar nga vetë pamja dhe kostumi. Ndërkohë që një tjetër profet i ikonografisë politike, Ibrahim Rugova shquante për shallin e vet, që iu bë shenja dalluese. Për portretin intelektual, plotësuar nga cilësia unike mes shqiptarëve e të folurit butë dhe me regjistër të zgjedhur shqipeje.
Ta luash historinë si zhanër teatri nuk ndihmon. Së pari ndoshta duhet ta kuptosh. Dhe është pikërisht ky rasti pse historia jonë nuk ka pranuar ende një fytyrë identifikuese për këtë kohë që jetojmë, që duhet thënë se ngjarje ka patur dhe shumë madje. Por asnjë individ nuk e tejkalom dot ngjarjen “anonime” të ikjes së marsit 1991. Shqipëria jonë e tanishme, me fytyrën e saj të re, zë fill aty. Plaga mbetet ende hapur…dhe ne kemi afreskun, por jo ikonën.
Është ironike megjithatë që një mësim për këtë e ka dhënë personi më i pazakontë, në ekzistencën e të cilit nuk shquhet asgjë që ka të bëjë me heroin, apo me ambicien për t’u imponuar. I pyetur me pyetjen shumë të vështirë se për çfarë do të donte të mbahej mend, Ramiz Alia nuk u kap në befasi: për firmën time te krijimi i universitetit të parë në Shqipëri tha.
Një gjetje kjo shumë e hollë që të ngjan disi me përgjigjen e Andreotit që tha dilur se për të ligji i pensioneve apo punës kishte qenë më i rëndësishmi. Krejt jashtë pritmërive që një gjë “kaq burokratike” të zgjidhet si Ngjarja nga padrinot e “të gjithë historisë”.
Add new comment