Kur u tha Mesdheu

Postuar në 30 Gusht, 2024 15:35
Daniel García-Castellanos, Konstantina Agiadi

 

Çfarë do të ndodhte nëse do ta thanim detin Mesdhe, duke e kthyer atë në një liqen të kripur gjigant? A do të mbijetonin gjallesat që jetojnë në të dhe nëse po, sa kohë do t’i duhej për t’u rikuperuar?

Këto mund të duken si pyetje të forta teorike, por jo për Herman Sörgel, arkitekt bavarez që i kushtoi shumë nga jeta e tij pikërisht këtij projekti: ndërtimit të një dige gjigante përgjatë ngushticës së Gjibraltarit, lënies së Mesdheut të thahet dhe kolonizimit të tokës së rikuperuar nga deti.

Sörgel organizoi leksione dhe dokumentarë dhe mblodhi fonde deri në vitet 1950 për një projekt, i cili, sipas bindjes së tij do të nxiste bashkëpunimin midis Afrikës dhe Evropës dhe do të fuqizonte të dy kontinentet përmes megaprojekteve gjigante hidroelektrike.

Ajo që ai nuk dinte ishte se ëndrra e tij ishte realizuar njëherë në fund të epokës së Miocenit, 5.5 milionë vjet më parë, thjesht si rezultat i forcave natyrore.

Kur u zhduk Mesdheu

Që nga vitet 1970, disa gjenerata gjeologësh dhe gjeofizikanësh detarë kanë konfirmuar ekzistencën e një shtrese kripe të trashë prej një deri në tre kilometra të groposur në pjesën më të madhe të zonave më të thella të Detit Mesdhe.

Bëhet fjalë për gati një milion kilometra kub kripë që dëshmojnë për një periudhë të shkurtër kur Mesdheu ishte i izoluar nga pjesa tjetër e oqeaneve të botës - e shkurtër në kuptimin gjeologjik, pasi episodi zgjati rreth 190 000 vjet.

Shkak nuk ishte, natyrisht, arkitekti i çuditshëm gjerman, por tektonika e pllakave. Pellgu i Mesdheut, i bllokuar mes dy kontinenteve që sot vazhdojnë të afrohen deri në dy centimetra çdo vit, u shkëput nga Atlantiku. Ujërat e tij avulluan shpejt për shkak të klimës së thatë të rajonit, duke lënë pas sasi të mëdha kripe.

Ky episod, i njohur si kriza Mesiniane e kripës (Mesinian është periudha e fundit e Miocenit), është ngjarja më e madhe e zhdukjes që ka pësuar Toka që nga meteori që zhduku dinozaurët dhe i dha fund epokës mezozoike 65 milionë vjet më parë.

Si rezultat, nuk nevojiten eksperimente gjeoinxhinierike për t'iu përgjigjur pyetjes sonë fillestare: sa elastike është jeta detare përballë një krize mjedisore të këtyre përmasave?

Përgjigja sapo është publikuar në revistën “Science”, në një studim të drejtuar nga Konstantina Agiadi nga Universiteti i Vjenës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kërkimit Spanjoll dhe 28 shkencëtarë të tjerë nga 25 institute evropiane.

Pas grumbullimit të të gjitha të dhënave fosile mesdhetare nga 12 deri në 3.6 milionë vjet më parë, rezultatet sugjerojnë se jeta detare vendase ishte pothuajse e zhdukur kur u nda Mesdheu dhe se rikolonizimi i mëvonshëm nga speciet e Atlantikut i dha jetë një faune mesdhetare më të ngjashme me atë që gjejmë sot në të.

Specie vendase, të zhdukura dhe migruese

Duke analizuar statistikisht informacionin nga më shumë se 750 punime shkencore, ne mundëm të dokumentonim 22 932 prani të një totali prej 4 897 specieve detare që jetojnë në Mesdhe. Para krizës, 779 specie mund të konsideroheshin specie endemike (d.m.th. të dokumentuara vetëm në Mesdhe). Prej tyre, vetëm 86 ishin ende të pranishme pas krizës së kripës. Të gjitha koralet tropikale që ishin të bollshme në Mesdhe përpara këtij ndryshimi kataklizmik mjedisor u zhdukën.

Megjithatë, disa specie sardelesh me sa duket endemike sardele, arritën të mbijetonin. Sirenian, një gjitar deti i lidhur me manatet dhe dugongët e sotëm (të njohur edhe si lopë deti) mbijetoi gjithashtu.

Për shkak se të dhënat për fosilet janë të kufizuara dhe të fragmentuara, ne nuk mund të jemi të sigurt që këto specie ishin të gjitha endemike, ose se ato nuk do të kishin mbijetuar jashtë Mesdheut, prandaj ka vlerë fakti që studimi ynë bazohet në statistikat e një numri të madh speciesh. Por për ato që ishin endemike, ku arritën të mbijetonin dhe çfarë strehimi gjetën për të shmangur rritjen radikale të nivelit të kripës dhe temperaturës?

Këto pyetje mbeten pa përgjigje, por ne ia kemi dalë të vërtetojmë se ndryshimet në popullata janë rezultat i zëvendësimit nga speciet e Atlantikut pas ripërmbytjes së Mesdheut, në vend të përshtatjes së shpejtë me mjedisin e ri hipersalin. Me fjalë të tjera, jeta nuk kishte kohë të mjaftueshme për t'u përshtatur dhe speciet e zhdukura u zëvendësuan nga speciet e Atlantikut që migruan në Mesdhe.

Disa lloje ikonike, si peshkaqeni i bardhë dhe delfini, u shfaqën në Mesdhe vetëm pas krizës. Akoma më interesante, pasuria aktuale e faunës në Mesdheun perëndimor erdhi vetëm pas ripërmbytjes - më parë, Mesdheu Lindor (Detet Jon dhe Levantin) kishte një numër më të madh speciesh të ndryshme.

Mësime mbi zhdukjen masive

Ndikimi i izolimit të Mesdheut në faunën dhe florën e tij ishte katastrofik, duke shkatërruar shumicën e ekosistemeve të tij. Një tjetër gjetje e rëndësishme nga hulumtimi ynë është se u deshën më shumë se 1.7 milion vjet që numri i specieve të rikuperohej. Ky rikuperim i ngadaltë i pasurisë së ekosistemeve mesdhetare ofron përcaktimin e parë të detajuar të mënyrës sesi jeta e egër reagon ndaj një zhdukjeje të kësaj shkalle.

Biodiversiteti i Mesdheut sot është shumë i lartë falë pranisë së specieve të shumta endemike. Rezultatet tona sugjerojnë se kështu ishte edhe gjashtë milionë vjet më parë, por shumica dërrmuese e këtyre specieve endemike u zhdukën kur u shkëputën nga Atlantiku.

Ndoshta një mësim tjetër i nxjerrë nga ky studim është se, sado joshëse mund të jetë të besojmë se projektet gjeoinxhinierike mund të na lejojnë të ruajmë shkallën aktuale të emetimeve dhe shkatërrimit të ekosistemit, e kaluara gjeologjike e Tokës do të na mësojë më shumë se çdo eksperiment.

Kur Mesdheu u rilidh me Atlantikun, ai u ripopullua nga rezerva e madhe e specieve në oqeanet e botës, megjithatë u deshën ende miliona vjet që ekosistemet e Mesdheut të rimëkëmbeshin për sa i përket pasurisë. Askush nuk e di ende se sa kohë do t'i duhet jetës detare për t'u rikuperuar ky ndryshim në shkallë globale që po ndodh aktualisht.

*Shkencëtar i tokës, Instituti i Gjeoshkencës në Barcelonë 

*Studiuese, Universiteti i Vjenës

/ The Conversation / 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.