OBSH shpall emergjencën botërore për linë e majmunit
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar rritjen e infeksioneve të virusit të lisë së majmunëve në Afrikë emergjencë të shëndetit publik ndërkombëtar (PHEIC) dhe ka kërkuar një fushatë vaksinimi.
Virusi ka qenë prej kohësh endemik në Afrikën Qendrore, kryesisht në Republikën Demokratike të Kongos. Kur filloi të përhapet për herë të parë në fund të vitit 2022, OBSH shpalli emergjencë - dhe e quajti sëmundjen mpox (m-lia), për të shmangur "stigmën".
“Përveç shpërthimeve të llojeve të tjera këtij virusi në DRC dhe vende të tjera në Afrikë, është e qartë se nevojitet një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare për të ndaluar këto shpërthime dhe për të shpëtuar jetë”, tha të mërkurën drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai e bëri njoftimin në përfundim të mbledhjes së komitetit të urgjencës, i cili vendosi se rritja e infeksioneve ka potencialin të përhapet në të gjithë Afrikën dhe ndoshta jashtë kontinentit.
Qendrat e Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e shpallën emergjencën shëndetësore dy ditë më parë, duke përmendur përhapjen e virusit në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.
Sipas OBSH-së, më shumë se 14 000 raste dhe 524 vdekje janë raportuar nga janari, më shumë se totali për të gjithë vitin e kaluar.
Virusi “duket se po përhapet kryesisht përmes rrjeteve seksuale”, thotë OBSH, që e përshkruan zhvillimin si “veçanërisht shqetësues”. Meshkujt homoseksualë shihen si faktori kyç i përhapjes së këtij virusi.
"Rritja aktuale e lisë së majmunit në pjesë të Afrikës, së bashku me përhapjen e një lloji të ri seksualisht të transmetueshëm, është një emergjencë jo vetëm për Afrikën, por për të gjithë globin," tha në vijim kryetarja e Komitetit të Emergjencave të OBSH-së, Dimie Ogoina.
OBSH ka rekomanduar përdorimin e dy prej vaksinave të miratuara nga rregullatorët kombëtarë dhe ka nisur procedurat e përdorimit të urgjencës duke lejuar vendet që ende nuk i kanë miratuar vaksinat t'i përdorin ato.
Vlerësohet që kostoja fillestare e planit të reagimit rajonal për të ndaluar përhapjen e virusit të arrijë në 15 milionë dollarë.
Sëmundja transmetohet kryesisht përmes kontaktit të lëkurës dhe mukozës me një person të infektuar, materiale të kontaminuara ose kafshë të infektuara. Simptomat përfshijnë skuqje akute, dhimbje shpine, ënjtje të nyjeve limfatike, dhimbje të muskujve dhe trupit, temperaturë të lartë dhe dhimbje koke. Virusi u zbulua për herë të parë te majmunët makakë në fund të viteve 1950. OBSH regjistroi rastin e parë njerëzor në vitin 1970 në Zaire, i njohur tani si Republika Demokratike e Kongos.
Add new comment