Epidemia e lisë së majmunit, shpallet emergjenca në Afrikë
Autoriteti më i lartë shëndetësor i Afrikës shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik pas shpërthimit të epidemisë së lisë së majmunit në disa vende. Situata më problematike paraqitet në Republikën Demokratike të Kongos, ku virusi u ka marrë jetën qindra njerëzve në pak muaj.
Jean Kaseya, drejtor i përgjithshëm i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Afrika CDC) bëri të ditur vendimin të martën në një konferencë për shtyp.
“Ne e shpallim këtë PHECS [Emergjencën e Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar] për të mobilizuar institucionet tona, vullnetin tonë kolektiv dhe burimet tona për të vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri,” tha Kaseya. “Nuk ka nevojë për kufizime udhëtimi në këtë kohë,” shtoi ai.
Virusi i lisë së majmunit transmetohet kryesisht përmes kontaktit të lëkurës dhe mukozës me një person të infektuar, materiale të kontaminuara ose kafshë të infektuara. Simptomat përfshijnë skuqje akute, dhimbje shpine, ënjtje të nyjeve limfatike, temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve dhe trupit. Virusi u zbulua për herë të parë te majmunët makakë në fund të viteve 1950. Rasti i parë njerëzor, sipas OBSH-së, u raportua në Republikën Demokratike të Kongos (atëherë Zaire) në vitin 1970, ku sëmundja ka mbetur endemike.
Javën e kaluar, CDC e Afrikës lëshoi një paralajmërim në lidhje me përhapjen e infeksionit viral me një shkallë alarmante, me një variant të ri të njohur si Clade Ib që qarkullon veçanërisht në Republikën Demokratike të Kongos. Sipas agjencisë shëndetësore, vendet e paprekura më parë, si Burundi, Kenia, Ruanda dhe Uganda, raportohet se kanë pasur shpërthime, me gjithsej 2 863 raste të konfirmuara dhe 517 vdekje në Republikën Demokratike.
OBSH pritet të vendosë sot nëse shpërthimi i lisë së majmunëve në Afrikë përbën emergjencë për shëndetin publik edhe në rang global.
Add new comment