Ndërron jetë CEO e Youtube, Susan Wojcicki
Mediat raportojnë se ka ndërruar jetë drejtuesja administrative e Youtube, Susan Wojcicki. 56 vjeç, ajo cilësohet si një nga forcat kryesore shtytëse të shndërrimit të Google nga një motor kërkimi në atë që është sot në shkallë planetare. Një nga ikonat e botës së teknologjisë së informacionit, në garazhin e saj Sergey Brin dhe Larry Page nisën aventurën e Google. Ajo është personi që sugjeroi blerjen e Youtube të cilin e çoi aty ku është sot.
Forbes raporton se pasuria e saj ishte 800 milionë dollar. E suksesshme, një femër e veçantë, me vizion dhe energji. Wojcicki ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare nga kanceri i mushkërive. Rrethanat e vdekjes së saj, duke parë personin që ishte, sjellin në vështrim një aspekt të sëmurë të shoqërisë së sotme, që sa vjen e dominohet nga banalizimi i teorive të konspiracionit që kanë rrëshkitur nga supozime në vija të trasha të vendimmarrjes politike drejt elaborimit absurd të çdo lloj hollësie në këtë botë.
Gjatë pandemisë ne pamë dhe dëshmuam mediokritetin e rrezikshëm dhe të kamufluar të sistemit shëndetësor global, interesta okulte të mjeksësisë dhe farmaceutikës dhe mandej zgjerimin enciklopedik të kospiracionit të gjerë për pandeminë si instrument të një elite.
Kjo kulturë pjellore mban ndër të tjera në abetaren e vet si mësim bazë atë se kura për kancerin është gjetur, por e mbajnë të fshehtë se duan të shesin ilaçe. Duke injoruar kompleksitetin e sëmundjes, faktin se ajo është një sëmundje që ka ardhur me njeriun që nga fillimet e tij, se kurat për të janë zhvilluar në shkallë industriale pas Luftës II Botërore e kështu me radhë.
Kjo kulturë injoron si realitet objektiv të përgjitshëm edhe Vdekjen – e të gjithë njerëzve të këtij planeti. Në historinë e kujtesës njerëzore ka momente voluntarizmi për vdekjen – Llazari dhe Krishti janë dy p.sh – por nuk ka një rast të vetëm të pavdekësisë. Abrahamit iu urdhërua se do jetonte 120 vjeç, jo më gjatë si paraardhësit e tij biblikë, por që ishin megjithatë të gjithë të vdekshëm.
Letërsia e botës nis për aq sa dimë – me kryevperën e vet. “Epin e Gilgameshit” që është metafora e përjetshme e kësaj jete, e cila pavarësisht sesi shkon dhe është, ka privilegjin se vjen më në fund përballë të vetmit Fakt të pabanalizueshëm: Vdekjes. Gilgameshi vdes nga trishtimi se nuk kupton dot arsyen e vdekjes, një leksion që e merr udhës epike për ta gjetur arsyen. Dhe vdekja i komunikohet nga Enkiduji si FAKT i të qenit njerëzor.
Cili shpjegim qëndron atëherë pas mrekullimit me “arsyetime” për një të fshehtë të pazbuluar dhe pazbulueshme? 800 milionë dollarët e Wojcickit mund të blinin çdo kurë sekrete që administrohet nga klube edhe më sekrete që sundojnë qelizat e vdekura të miliara njerëzve në këtë botë. Që duan të gjejnë me patjetër Anunakët e rinj.
Njerëzit kryesorë të Sillicon Valley quhen edhe si “ultra të pasurit” e kësaj bote, “over the top”, idhuj dhe tempuj në ligatinën e zilisë së një pjese të njerëzimit që pafuqinë e vet e skenarizon si konspiracion ndaj tyre nga një elitë shumë e zgjedhur. E megjithatë Wojcicki vdiq dy vjet pasi njoftoi se ishte sëmurë. Aq sa shkon kurba e trajtimit të një sëmundjeje si kjo. Një vdekje pa shpjegim futurist si ajo e mbretëreshës Elisabetë që me aq sa ndenji në pushtet do kishte dëgjuar për sekrete të mjekësisë e do kishte planifikuar diçka. Por ndoshta ky edhe ka qenë plani!
Add new comment