Shqiptarçe në Himarë/Ed Veremi rikonfirmohet ndaj një opozite "mut çobani"
Andi Bushati e interpreton episodin e zgjedhjeve në Himarë si moment përcaktues të tranzicionit, duke i parë ato si manifestim i një represioni të vazhdueshëm dhe strukturor që ka diktuar mandej votën e njerëzve në Himarë. Mesazhi është që vota nuk e bën më ndryshimin, kështu që njerëzit do bëhen të gjithë me Edi Veremin. Po Beleri si fitoi atëherë? Mos vallë ka njerëz që dinë dhe punojnë për të fituar?! Mos vallë këmbimi Këlliçi- Alimehmeti do çojë përherë në humbje?
Megjithatë nëse është kështu, emërimet e Veremit me prefektin e Vlorës, Tavon grekun në Himarë dhe Vëngun te Mbrojtja, mbeten një koncesion simbolik ndaj Athinës, por deri diku edhe komunitetit.
Skënder Minxhozi nga ana tjetër vë në dukje se në Himarë u shpërfaq një dobësi objektive dhe subjektive e opozitës.
Edhe një pjesë e të djathtës e pranon sot se Berisha mori listat e mbyllura nga Rama, blindoi pozitën dominuese mbi partinë dhe… ia hapi rrugën socialistëve për një mandat të kartërt. Dhe pastaj ankohen pse humbin çdo gjë që u del përpara, përfshirë dhe Himarën.
Kur negociuan me qeverinë për zgjedhjet e përgjithshme, mund ta kishin hedhur një fjalë edhe për 4 gushtin e Himarës. Për ata 6000 votues që nuk kishin doumenta të rregullta. Asgjë nuk thotë sot se opozita e PD-PL vuri kushte në tryezën për zgjedhjet, për të marrë dakordësinë e Ramës për votimin e votuesve me karta të skaduara në 4 gusht. Dhe as për ta detyruar këtë të fundit që të nxirrte një vendim qeverie për ta bërë mundur votimin me karta jashtë afatit.
Ia lanë Himarën sërish Belerit dhe Dules (PD-ja lokale e kundërshtoi Gjikurinë), duke instaluar një tjetër kandidat minoritar në një bashki ku 80 përqind e votuesve nuk janë të tillë, por shqiptarë. Edhe një herë, si në rastin e Fredi Belerit nuk qullosën asgjë me Gjikurinë, të cilin “nuk e do as fisi i vet”, siç thonë ata që njohin zonën e Bregut. Kurse për vete vazhduan të lahen nëpër lumenj e të kacavirren maleve (Ilir Meta), apo të luftojnë me mullinjtë e erës poshtë ballkonit (Sali Berisha). Dhe ankohen pse nuk fituan Himarën.
Së fundi, ia prenë krahët garës së Gjikurisë në mes të procesit të votimit. Dalja e Vangjel Dules me akuza në mes të vapës, teksa kutitë ishin të hapura, apo akuzat e Berishës dhe Metës pa u mbyllur kutitë, ishin mesazhi më i keq i mundshëm për elektoratin e Gjikurisë. Mos dilni në votime, na vodhën, mbaroi gjithçka, dukej sikur thoshin të tre në kor. Dhe pastaj mërziten pse e humbën Himarën me një mal votash!
Pasazhi në fjalë meriton vëmendje sepse e artikulon problemin e evidentuar në Himarë, përtej Himarës. Fitoret e njëpasnjëshme të Edi Veremit, po diktojnë një prirje fataliste në një pjesë të shoqërisë, që shtyhet të shohë në peshën e pushtetit vetëm një aspekt represiv, policor. Ndërkohë që ne e dimë se PS-ja ka një pozicion të konsoliduar në territor, ndaj të cilit kërkohen strategji dhe vullnet. Fatalizmi që mbërthen një pjesë të shoqërisë vjen edhe për një arsye perverse: askush nuk dëshiron të bëjë betejë, të gjithë duan të përfitojnë. Dhe në mungesë të aksesit “për ndonjë korrupsion” argumenti që mbetet është se “Edi nuk mundet” se ai është autokrat e kështu me radhë.
Padyshim që Veremi i ka këto prirje, por duhet t’ia njohim edhe cilësinë e vetëkontrollit që ka dëshmuar në këto vite, në ushtrimin e pushtetit, duke ecur në një fije ekuilibri që nuk përkon me atributet e një autokrati të mirëfilltë. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë si refleks karakterial dhe mentaliteti e vizioni: Rama dhe PS-ja nuk kanë një projekt politik për vendin, ata kanë një objektiv ekonomik për veten. Ç'u duhet Autoritarizmi si ide, kur ai vlen vetëm si mjet deprimimi psikologjik pa e vënë në veprim?
Demokracia që të funksionojë do angazhim, ajo nuk jetësohet vetëm nga kuadri ligjor në fuqi. Kjo është e qartë dhe e njohur. Një opozitë si kjo e sotmja që nuk do të vijë në pushtet, që në të vërtetë po negocion ekzistencën politike duke pranuar të jetë “i pari në fshat”, nuk ofron më as vlerën bazike të simetrisë sistemike politike, sepse asnjë shpresë nuk transferohet tek ajo më. Më saktë: ajo nuk e përcjell mesazhin se do dhe është gati të vijë në pushtet. Ajo ka emëruar veten në minorancë.
Nuk mohojmë elementët manipulues të pushtetit, aspak. Por nuk ka sesi të absolutizohen këto, ndërkohë që duhet thënë se masa kryesore kritike për fushatën e vitit të ardhshëm është rritja thelbësore e rrogave dhe pensioneve që duam nuk duam efekte do ketë. Dhe këtu opozita do të duhet të kishte se çfarë të thoshte.
Edhe njëherë: ajo që ndodhi në Himarë me Belerin është aq e shëmtuar saqë mund të shpjegohet vetëm me karkasën shpirtërore të Veremit duardjersitur, që ka sukses me mekanizmin e Durimit dhe punës me njerëzit. Të cilëve u ofron atë që duan: Mundësi dhe shpresë, duke i njohur se çfarë janë në të vërtetë.
Himara pra më shumë provoi dy gjëra: skema elektorale e PS-së është efektive dhe e paezauruar dhe së dyti se ajo e ka të garantuar suksesin sidomos, përsërisim, sidomos nga fakti se Opozita tashmë i është nënrenditur modelit të Lulzim Bashës. Që çuditej kur i bënin thirrje të hidhej në sulm, pasi pozicionin e vet e kishte komod duke ia lëpirë dhe iu lëpirë Edit. Atëherë kur të gjithë u mërzitën që humbën më 2021, thonë se z. Basha u gëzua sepse nga rezultati partia do merrte jo pak lekë nga KQZ. Njësoj si ekipet e futbollit të rretheve: krijo lojtarë e shit. Fito e rri aty ku je, mut çobani.
Kjo është dyshja Berisha-Meta sot; Mut çobani që kërkon vetëm garanci për veten nesër. Ky është mesazhi që vjen së paku përtej Penxheres dhe “Pyjeve me dëborë” ku ka ulërima dhe rrokullima.
Add new comment