Anijet e mëdha me turistë "mbysin" Santorinin
Turistët britanikë duket se do të braktisin një prej ishujve më të frekuentuar të Greqisë, për shkak të mbipopullimit gjatë sezonit. Në mediat britanike, ata raportojnë përvoja aspak të këndshme nga pushimet në Santorini.
Ata thonë se mijëra turistë zbarkojnë njëherësh në ishull dhe më pas turma të mëdha ngjiten drejt majës, nëpër rrugët e ngushta për të shijuar perëndimin. Rrugët e ishullit tejmbushen në ngjitje dhe në zbritje duke shkaktuar vonesa edhe në nisjen e anijeve turistike që i sjellin njerëzit aty.
Një javë më parë, autoritetet u kërkuan banorëve të ishullit të mos dalin nga shtëpitë, pasi rreth 11 mijë turistë do të mbërrinin me kroçera aty gjatë ditës.
Rreth 3.4 milionë turistë e vizitojnë çdo vit Santorinin.
Njëra prej turisteve thotë për The Mirror: "Anijet e mëdha turistike duhet të ndalohen në ishuj të tillë të vegjël pasi infrastruktura modeste nuk mund t'i përballojë në një mënyrë të këndshme për turistët ose banorët".
Peter Jones, një tjetër turist i cili u rikthye në Santorini për të kujtuar përvojën e 50 viteve më parë, thotë se nuk gjeti ishullin idilik që kishte vizituar dikur.
Ajo që ka ndryshuar është numri dhe madhësia e anijeve turistike dhe si rrjedhim numri i njerëzve që e vizitojnë. Nëse të gjitha anijet që mbërritën atë ditë do ta kishin kapacitetin të plotësuar, do të bëheshim 13 840 njerëz (pasagjerë dhe ekuipazh) që zbresin në ishull brenda një dite.
Add new comment