Kroacia shpall non grata tre zyrtarë të lartë të Malit të Zi
Kroacia ka shpallur non grata tre politikanë të rëndësishëm të Malit të Zi. Kryeparlamentari malazez, Andrija Mandiç, deputeti Milan Knezeviç dhe zëvendëskryeministri Aleksa Beçiç e kanë të ndaluar hyrjen në Kroaci, një vendim ky i marrë nga autoritetet kroate me argumentin se tre personat e mësipërm kanë cenuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Lajmin e bëri të ditur sot Ministria kroate e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, sipas të cilës tre zyrtarët nuk janë të mirëpritur në Kroaci për shkak të "veprimeve të tyre sistematike që synojnë minimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë" dhe "abuzimit të vazhdueshëm me Kroacinë për qëllime të brendshme politike".
“Në këtë kontekst, veprimet e tre zyrtarëve politikë janë veçanërisht të dukshme dhe sjellja e tyre në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e qëllimshme dhe e karakterizuar nga fqinjësia e mirë,” thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme kroate.
Kroacia mbështet Malin e Zi Evropian, mbështet procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian dhe ka mbrojtur përparimin në rrugëtimin evropian të Malit të Zi. Kroacia pret që Mali i Zi të veprojë në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe t'i drejtojë përpjekjet e tij drejt përmbushjes së mëtejshme të kushteve dhe standardeve në procesin e anëtarësimit.
Ministria nuk specifikoi arsyen e vendimit të saj, por supozohet se ka të bëjë me rezolutën për kampin e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac në Kroaci, të cilën parlamenti malazez e votoi në fund të qershorit.
Add new comment