Perestrojka e Perëndimit/Scholz: Do kandidoj prapë. Jemi shumë të bashkuar
Kancelari i Gjermansië Olaf Scholz ka njoftuar se ka ndërmend të kandidojë për t’u rizgjedhur vitin tjetër, pavarësisht kuotave të ulëta
Kështu shkruan “Politico” që vë në dukje kështu se jo vetëm SHBA, por edhe Europa po hyn në epokën e gjyshërve këmbëngulës. Termat janë të njëjtë: ato të një komsomolasi të Perestrojkës së re që ka si reformë kryesore të ruajë status quonë e tanishme.
SPD-ja është një parti shumë e bashkuar. Jemi të gjithë të vendosur të hyjmë në fushatë në zgjedhjet e reja federale vitin që vjen dhe të fitojmë. Dhe unë do të kandidoj që të rizgjidhem sërish
ka thënë ai.
Gazeta vë në dukje se vendimi duket jashtë realitetit nisur nga rezultati i zgjedhjeve europiane të qershorit. Sondazhet e cituara prej saj nxjerrin favorite CDU-në dhe CSU-në e Bavarisë. Por Scholz e ka ndarë mendjen që të provojë në mënyrë më të shtruar kumarin e Macron. Që synoi të likujdonte kundërshtarët me një goditje të vetme, por futi mbarë vendin në destabilizim politik.
Problemi është më sistemik sesa duket. Kandidimi i një kancelari si Scholz do të ishte i pamendueshëm pak kohë më parë me standardet e një demokracie që vendos jo nën presionin e rrethanave, por reflekton për ta shmangur atë. Scholz vepron këtu si gjithë politika e ditëve tona: luaj deri në fund, deri ne skajet e legjitimitetit. I cili pikërisht pse dallon nga legaliteti është mirë të mos shndërrohet në ushtrim ditor sepse ezauron bazën e vet që është kryesisht morale.
Në themel të kësaj që shohim nuk është vetëm bjerrja e normave demokratike, kontrollit dhe efektivitetit të kontrollit publik, por fakti se askush nuk i qaset më politikës. Askush që ka vërtetë peshë dhe vlerë nuk shpenzohet për shërbimin publik dhe kjo është një krizë e politikës që herët apo vonë do të kthehet në kërcënim për Publiken.
Narrativa e stabilitetit që shohim të prralliset anëembanë Europës është fabula e fundit që ka mbetur për të frenuar dukurinë e një kundërshtie të egër ndaj establishmentit aktual që është asgjë më shumë sesa një burokraci që shpesh vepron si paradhomë biznesi.
s.zaimi
Add new comment