Iluzioni i pushtetit "të shpërndarë" dhe realiteti i oligarkisë së zakonshme
Është një burrë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i izoluar nga një virus në rezidencën e tij në Delaware, një rezidencë që ne e imagjinojmë elegante dhe të qetë, buzë oqeanit. Katër muaj para zgjedhjeve, ai po mendon se çfarë të bëjë me fatin e tij dhe, rrjedhimisht, me fatin e të gjithëve ne. Nuk është një film. Nuk është ekzagjerim, reduktim i një narrative apo një imazh simbolik. Në të njëjtën kohë, defekti në një program mbrojtjeje antivirus çoi në avari shumë sisteme kompjuterike në mbarë botën, duke shkaktuar ngadalësim, kaos apo edhe gjysmë paralizë në spitale, aeroporte dhe banka. As ky nuk është dramatizim.
Në rezidencën e tij verore presidenti merr telefonata dhe presione të llojeve të ndryshme për të hequr dorë nga gara elektorale. Kundërshtari i tij (i cili sapo ka shpallur "deportimin më të madh në historinë amerikane") shpëtoi thuajse i padëmtuar nga një sulm dhe mbështetësit e tij nuk e shohin më si më të zgjedhurin ndër ta, por si vetë Providencën, të zgjedhurin e Zotit, dhe si çdo sekt ata imitojnë Mesinë e tyre, duke mbuluar veshët e vet të shëndetshëm me fasha të bardha. Deri këtu nuk po shpik asgjë (tani po e vë në dyshim nëse jam i aftë ta bëjnjë gjë të tillë). Protagonisti i tretë i tregimit është njeriu më i pasur në botë. Nuk ka asnjë hiperbolë as këtu: ai është me të vërtetë njeriu më i pasur në botë. Ai dërgon raketa në hapësirë dhe prej andej u siguron internet ushtrive ndërluftuese, kurdo dhe si të dojë; ai bleu median më me ndikim nga të gjitha, ia ndryshoi emrin në X dhe tani e përdor atë për të tallur presidentin e sëmurë dhe sistemin e dëmtuar kompjuterik. Ose, ndryshe, për t’i kënduar fitores së kandidatit që premton dëbime masive.
E gjithë kjo po ndodh në të njëjtën kohë, në prag të një prej fundjavave më të nxehta të Holocenit (po, kjo është hiperbolë). Por njëkohësia dhe vendndodhja në Shtetet e Bashkuara nuk janë veçoritë e vetme që këto ngjarje kanë të përbashkëta. Është edhe të pasurit e protagonistëve - me përjashtim të vetëm të algoritmit - tre meshkuj mbi pesëdhjetë vjeç me një prirje të theksuar për narcisizëm.
E megjithatë, ajo që më shqetëson më shumë, të paktën për mua, nuk është as kjo: është se si ngjarjet e njëkohshme shënojnë fundin e një ideje: asaj të shpërndarjes së përgjegjësive dhe pushtetit, në të cilën kam shpresuar prej kohësh. Do të përpiqem të shpjegoj më mirë veten. Interneti, mediat sociale, rritja e klasës së mesme dhe aksesi në arsim, vetë përhapja e parimeve demokratike më janë dukur prej kohësh si dëshmi e një procesi të zgjerimit të pushtetit. E dislokimit të tij të ngadaltë, por të paepur.
E megjithatë ja ku jemi, korrik 2024, duke pritur për një njeri të izoluar, me një mendje qartësisht të lodhur, në të cilën kushedi se çfarë mendimesh ndjekin njëra-tjetrën, për të vendosur nëse do t’i hapim apo jo rrugën një kundërshtari me mendje dukshëm të rrezikshme. Këtu jemi në rrjetin global ku një rresht i gabuar i një kodi të ruajtur kush e di se ku, vë në rrezik jetën civile kudo dhe ku pikërisht njeriu që rregullon trafikun e informacionit, qesh. Me sa duket, pushteti i shpërndarë ishte një mirazh. I imi apo i shumë prej nesh, nuk e di, por një mirazh i fabrikuar shumë mirë. Bota e sotme është më e centralizuar se kurrë. Është një botë protagonistësh individualë, ultra të fuqishëm, meshkuj – dhe algoritmesh që duken si ata.
Dhe SHBA? Ne vëzhgojmë. Teprimet e tyre, zemërimi, konfuzioni, rrëmuja. Dhe tani edhe mundimet shekspiriane të një presidenti që përballet me dramën e hapjes së rrugës për të tjerët. Të kryqëzojmë gishtat, ta pranojmë, herë pas here do votojmë. Ne mbajmë fort iluzionin e një kontrollit që ndoshta nuk e kemi pasur kurrë, së bashku me një mbingarkesë opinionesh. Dhe ndoshta, herë pas here, ne i dorëzohemi shtysës magjike për t'u dërguar sinjale atyre mendjeve të largëta, të vetmuara dhe të pathyeshme, për të ndikuar tek ata, në mënyrë që të na befasojnë me akte minimalisht të arsyeshme.
/ Corriere.it /
Add new comment