Një memorandum që zhbën nevojën e Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur për Serbinë
Serbia ka nënshkruar këto ditë një memorandum partneriteti me Bashkimin Europian, ku zë kryesor ka Gjermania, për lëndët e para kritike. Fjala është sidomos për shfrytëzimin e minierës së litiumit në Jedan që është cilësuar se ndihmon në forcimin e pavarësisë energjetike të kontinetit. Presidenti serb, Alekasandër Vuçiç ka folur me shumë entuziazëm për memorandumin që ndihmon edhe në industrinë e makinave elektrike në Europë.
Memorandumi vetë sugjeron edhe investime të tjera në sektorë mbështetës dhe ai vjen pa kushtëzime politike tekstuale për Serbinë. Një vend që vitin e kaluar nënshkroi marrëveshje preferneciale tregtare me Kinën dhe ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Lidhur me këtë vendim, ka pak zëra kundër: eurodeputetja Vion von Cramon ka deklaruar se një gjë e tillë e ndihmon Vuçiç në pushtet duke sakrfikuar të ardhmen e demokracisë në vend. Nga ana tjetër, në një fjalim në Parlament, presidenti serb ka deklaruar se vendi duhet të përgatitet për vendime të vështira, pasi sipas tij, “Perëndimi nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e pavarësisë së Kosovës” dhe nuk ka ndërmend të lehtësojë pozitën e Serbisë në këtë drejtim.
Në tërësinë e vet Memorandumi i jep Serbisë një pozitë të re në rajon por edhe në Europë, nisur nga fakti se kërkesa për litiumin përkon me vizionin e ri të pavarësisë ekonomike në një botë që po ndahet sërish.
Duhet thënë se funksionalizimi i këtij memorandumi – që nuk është detyrues në aspektin juridik – i vjen Serbisë përshtat pasi e integron atë si entitet me rëndësi srategjike për tregun europian, duke realizuar kështu një kërkesë që lidhet me procesin e integrimit europian, por duke anashkaluar instrumente të tillë si Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur.
Me një marrëveshje dypalëshe, Beogradi fiton një status të ri ekonomik, krijon premisa të një ri-industrializimi të vendit për të qendërzuar interesa madhore që herët apo vonë do të ndikojnë në vendimmarrjen politike.
Se çfarë perspektive krijon kjo do duhet parë, por si qasje ne shohim se Serbia po kërkon një vend në ekonominë prodhuese të së ardhmes, që lidhet me treguesin kryesor të zhvillimit që është inxhinieria, në dallim nga vende të tjera të rajonit që përqendrohen kryesisht në shërbime. Dhe për aq sa na mëson historia, ekonomia në përgjithësi fiton.
s.zaimi
Add new comment