Ventilatori i plehrave kap edhe gazetarë

Postuar në 14 Korrik, 2024 10:34

SPAK mësohet se ka lëshuar 8 urdhër arreste për aferën e inceneratorit, ndonëse ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar. Mes të akuzuarve janë ish-administratorja e kompanisë, Denisa Tollkuçi, dhe biznesmeni Ilir Dedja, i njohur për miqësinë me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. 

Urdhër-arrestet janë firmosur nga prokurori i dosjes, Dritan Prençi dhe kanë marrë miratimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Informacioni ka dalë nga Policia e Shtetit që së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit po kryejnë kontrolle në banesa, por nuk kanë mundur të ekzekutojnë asnjë prej masave, pasi 7 persona bazuar edhe tek sistemi TIMS janë larguar jashtë shtetit, kurse një tjetër është në Shqipëri por nuk është gjetur ende.

Arrest me burg është kërkuar për administratoren e kompanisë Integrated Technology Service, Denisa Tollkuçi, e emëruar nga Klodian Zoto më 11 qershor të vitit 2020.

Kjo kompani, është filial i kompanisë Integrated Energy BV SPV, ku pronar rezultonte i njëjti person, Klodian Zoto, përpara se të sekuestrohej nga shteti.

Në skenë kanë dalë edhe 3 biznesmenë: Ilir Dedja, i njohur për lidhjet e tij me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmtaj, ka përfituar 490 mijë euro nga kontratat me inceneratorin e Tiranës; Renardo Nallbani, ka përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kontratave për depozitimin e dherave në inceneratorin e Tiranës; si dhe Dashamir Ymeraj, që me 3 kompani të cilat më pas i ka shitur, ka kryer evasion fiskal miliona euro tek inceneratori i Tiranës.

Për Endrit Habilaj, gazetar, drejtues portali dhe më herët punonjës në pozicion drejtues në Top-Channel, është kërkuar gjithashtu arrest me burg.

Për 2 të tjerë, është kërkuar masa arrest shtëpie dhe për 1 detyrim paraqitjeje.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, tha se urdhër-arrestet kanë lidhje me operacionin e kryer nga SPAK dy javë më parë, por gjyqtarja Irena Gjoka iu la kohë të dyshuarve të arratisen.

Ndaj 8 personave, është ngritur akuza e pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal, ndërsa hetimi për inceneratorin e Tiranës vijon prej 4 vitesh. Në gusht të vitit të kaluar inceneratori së bashku me kompaninë u sekuestrua, kurse në dhjetor u lëshuan 15 urdhër-arreste, mes të cilëve edhe për Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan që janë ende në kërkim ndërkombëtar.

Për herë të parë, në SPAK u thirr edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili dha shpjegime për 8 orë për inceneratorin e Tiranës, por ndaj tij nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha disa ditë më parë foli për urdhër-arreste për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe vëllain e tij, por të cilat nuk janë konfirmuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.