Vota e emigrantëve dhe proporcionali kombëtar, domosdoshmëri për demokracinë në Shqipëri

Postuar në 11 Korrik, 2024 00:22
 Jak Simoni

 

“Emigranti lind ne një vend, plaket në një vend tjetër dhe pastaj rrezikon të jetë i huaj për të dy vendet”, shprehej shkrimtari i shquar M. Tuein. Ndërsa rreziku për të qenë i huaj  në vendin ku jeton varet nga vendi pritës, në vendin ku ka lindur dhe është rritur nuk ka pse të ndihet kurrë i huaj. Emigrantët kanë qenë jo vetëm të dobishëm për vendin e tyre, por të domosdoshëm. Ata ndihmuan familjet e tyre e njëkohësisht dhe vendin me investime e me eksperiencë të re. Ata janë të domosdoshëm dhe për demokracinë në Shqipëri. 

Në Shqipëri që prej 33 vitesh, flitet për demokraci, por jemi shumë larg nocionit të demokracisë së vërtetë. Nga eksperienca e deritanishme e zgjedhjeve, shqiptarët mund të krahasohen me të burgosurit  tek Alegoria e Shpellës së Platonit, të cilët ishin mësuar të qëndronin në shpellë, ku shikonin vetëm hijet e objekteve dhe filozofët do t'u flisnin për objektet realë të ndriçuar nga drita e vërtetë. Sondazhet paraprake, manipulimi i votuesve, blerja, tjetërsimi, fryrja e administratës për qëllime elektorale, aktiviteti i patronazhistëve bëjnë që rezultatet e votimeve të dihen paraprakisht. Aty ku dihen paraprakisht rezultatet, dhe me votime te rregullta, demokracia nuk është e vërtetë; krahasuar më atë që u tha më sipër, është një demokraci-hije.

Demokracia e vërtetë ka si parakusht enigmën e rezultatit. Momentalisht enigmën paraprake të rezultatit mund ta garantojë votimi i emigrantëve dhe proporcionali kombëtar, sepse emigrantët nuk blihen dhe proporcionali do të bënte të mundur ngjyrat e ndërmjetme ndërmjet atyre dy tradicionaleve; ngjyra të cilat i mungojnë tërësisht aparatit të perceptimit të shqiptarëve për më se tridhjetë vjet. Kështu mund të ngjalleshin shpresat e një oferte të ndërmjetme apo të re.  Emigrantët e meritojnë votën si shqiptarë që e duan vendin e tyre, si investues, si turistë etj.

Vota e tyre ka vlerë, sepse jetojnë në vende vërtetë demokratike dhe metaforikisht nuk jetojnë si në shpellën e Alegorisë së Platonit. Teknikisht realizohet pa problem në mënyrë elektronike ose më thjesht me postë, por realiteti i “Shpellës” nuk e  pranon. Në vendet vërtet demokratike, vendi i dorëzohet enigmës së zgjedhjeve ashtu si së fundmi në Angli, Francë etj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.