Gjatësia trupore, faktorët përtej gjenetikës

Postuar në 07 Korrik, 2024 21:32
Kristina Thompson dhe Björn Quanjer

 

Të studiosh historinë e shëndetit fizik të një vendi ose rajoni është një punë sfiduese, pasi është e vështirë të mblidhen në mënyrë konsistente treguesit. Megjithatë, studimi ynë i fundit analizon lidhjen e qartë midis shëndetit të një popullate dhe një informacioni të thjeshtë, të regjistruar gjerësisht – gjatësinë e trupit.

Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, gjatësia trupore mbeti relativisht e qëndrueshme. Deri në vitin 1800, gjatësia mesatare në Evropë varionte midis 165 cm dhe 170 cm, por gjatë 200 viteve të fundit ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme: gjatësia trupore, globalisht, por veçanërisht në Evropë, është rritur në mënyrë dramatike. Shumë vende evropiane kanë parë një rritje të gjatësisë mesatare me mbi 15 cm, dhe kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në Holandë - mesatarja e gjatësisë trupore të një mashkulli holandez është rritur nga 166 cm në 1810 në 184 cm sot, një rritje prej 18 cm në vetëm dy shekuj. Holandezët janë aktualisht më të gjatët në botë.

Ndërsa gjenetika padyshim luan një rol kryesor në përcaktimin e gjatësisë së një individi, ky ndryshim i jashtëzakonshëm në një popullatë të tërë nuk mund të shpjegohet vetëm nga evolucioni - nëse do të ishte kështu, ndryshimi në gjatësi do të kishte ndodhur për një periudhë shumë më të gjatë kohore.

Megjithatë, gjatë 200 viteve të fundit, Holanda, si pjesa më e madhe e botës, ka përjetuar një përmirësim të madh në të gjitha aspektet e standardeve të jetesës, nga shkalla e reduktuar e vdekshmërisë dhe sëmundjeve infektive, te aksesi më i madh në ushqim me cilësi të lartë. Rritja e shpejtë e gjatësisë së tyre trupore tregon kështu një lidhje të qartë midis mjediseve të jetesës dhe popullatave më të shëndetshme dhe më shtatlarta.

Gjatësia, shëndeti dhe zhvillimi

Gjatësia e trupit dhe shëndeti përcaktohen nga faktorë të ngjashëm gjatë zhvillimit, ku më i rëndësishmi është ushqimi. Për t'u rritur dhe për të qenë të shëndetshëm, njerëzit duhet ta furnizojnë trupin e tyre me ushqim.

Megjithatë, kjo energji mund të pakësohet nga kërkesa të tjera që e devijojnë atë nga rritja – faktorë të tillë si sëmundja, stresi dhe puna e rëndë fizike mund të rezultojnë në popullsi më shtatshkurtër.

Hulumtimet e fundit tregojnë se sëmundjet afatgjata ose të përsëritura lidhen me trupa më të shkurtër te të rriturit në Holandën e shkullit XIX, ndërsa periudhat më të shkurtra, të njëhershme të sëmundjeve, mund të kenë qenë në fakt të dobishme për rritjen. Kjo ka të ngjarë sepse sëmundjet më pak të rënda rrisin imunitetin kundër infeksioneve të ardhshme.

Vdekja e prindërve, veçanërisht e nënave, rezulton gjithashtu në turp më të shkurtër. Për fëmijët shumë të vegjël, kjo lidhet me faktin se ata varen nga nënat e tyre për ushqimin, por ka rezultuar e vërtetë edhe për fëmijët më të mëdhenj, gjë që lidhet me stresin e madh që shkakton humbja e njeriut që kujdeset më shumë për ta.

Çuditërisht, megjithëse humbja e nënës lidhet me gjatësinë më të shkurtër të fëmijëve – në Holandë dhe gjetkë – humbja e babait nuk e ka këtë lidhje, potencialisht për shkak të natyrës gjinore të kujdesit prindëror në këtë periudhë.

E marrë në tërësi, gjatësia e trupit mund të shihet si një reflektim i cilësisë dhe sasisë së ushqimit të konsumuar nga një individ gjatë zhvillimit - dhe mungesës së faktorëve stresues që devijojnë energjinë e përftuar prej saj - nga lindja deri në fund të pubertetit.

Gjatësia dhe shëndeti në moshë madhore

Për sa i përket matjes së shëndetit tek të rriturit, gjatësia është një çështje më komplekse. Sot, njerëzit mbi gjatësinë mesatare - meshkujt në veçanti - priren të kenë një rrezik të përgjithshëm më të ulët të vdekjes. Megjithatë, njerëzit jashtëzakonisht të gjatë (190 cm e lart) priren të kenë një rrezik pak më të lartë të vdekjes, kryesisht për shkak se ata kanë rrezik në rritje të vdekshmërisë nga kanceri. Kjo mendohet të jetë një çështje e masës trupore – trupat më të gjatë kanë më shumë qeliza dhe më shumë ndarje qelizore, që do të thotë një shans më i madh për të zhvilluar kancer. Njerëzit më të gjatë gjithashtu priren të marrin më shumë kalori, të cilat gjithashtu mund të luajnë një rol.

Kur shikojmë popullatat historike (d.m.th. të para Luftës së Dytë Botërore), gjetjet janë edhe më komplekse: njerëzit më të gjatë, si burra ashtu edhe gra, prireshin të vdisnin në mosha më të reja, madje edhe ata që do të konsideroheshin relativisht të shkurtër sot (si gratë 155 cm).

Normat e tyre të rritura të vdekshmërisë ishin të mundshme sepse njerëzit më të shkurtër kërkojnë më pak kalori sesa bashkëmoshatarët e tyre më të gjatë. Në periudhat e mungesës së ushqimit, të cilat ishin më të zakonshme në të kaluarën, njerëzit më të shkurtër kishin rrezik më të ulët të kequshqyerjes.

Në popullatat historike, vdekjet nga sëmundjet infektive ishin gjithashtu më të zakonshme se sa janë sot, dhe kombinimi i këtyre dy faktorëve nënkuptonte një rrezik në rritje të vdekjes për njerëzit më të gjatë.

Gjatësia sot - dhe në të ardhmen

Ndërsa hulumtimi ynë është fokusuar në rëndësinë e gjatësisë me studimin e së kaluarës, ai gjithashtu ka implikime të rëndësishme për kujdesin shëndetësor sot, veçanërisht në zonat që janë të vështira për t'u arritur ose monitoruar. Aktualisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë mbledh të dhëna për zhvillimin fizik të fëmijës, ose nëse një fëmijë ka mbetur prapa në atë që konsiderohet një kurbë e rritjes së shëndetshme. Këto të dhëna përdoren gjerësisht për të vlerësuar nivelet e kequshqyerjes brenda një vendi ose rajoni.

Në Holandë, fëmijët tani janë më të shkurtër se prindërit e tyre, por është e paqartë se çfarë ka bërë që gjigantët e botës moderne të tkurren. Kjo ngre një sërë pyetjesh serioze: A ka rënë cilësia e dietës? A po e pengon rritjen obeziteti i fëmijërisë? Zbulimi i arsyes pse popullsia rritet - ose zvogëlohet - mund të na ndihmojë të kuptojmë shëndetin në nivel kombëtar dhe jo individual.

Asistent profesore, Shëndeti dhe Shoqëria, Wageningen University

Studiues postdoktoral, Radboud University

The Conversation /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.