Teatri i grave

Postuar në 02 Korrik, 2024 15:43
David McInnis, Matthew Steggle dhe Misha Teramura

 

Më 4 shtator, në 1614, një grua e quajtur Alice Mustian vuri në skenë një shfaqje në qytetin anglez Salisbury. Duke ngritur një skenë në oborrin e shtëpisë së saj, Mustian mblodhi një grup fëmijësh vendas, mes të cilëve djalin e saj dhjetëvjeçar Phillip, për të interpretuar një shfaqje të bazuar në thashethemet e qytetit: se Mary Roberts, gruaja e një argjendari, kishte pasur një lidhje me një bukëpjekës me emrin Robert Humphries.

Asgjë përveç rrëfimeve të dëshmitarëve okularë të dramës që vuri në skenë Mustian nuk ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Ky është rasti për shumicën e dramave të shkruara dhe të interpretuara në Anglinë e modernizmit të hershëm. Shumica dërrmuese kanë humbur, dhe për to mund të mësosh vetëm falë disa provave të pakta dhe fragmentare, nëse ka të tilla.

Por siç tregon hulumtimi ynë, historia e dramës së Mustian-it, e mbledhur përmes dëshmive të dëshmitarëve gjatë gjyqit të saj për shpifje, hedh dritë magjepsëse mbi kulturën teatrale të Anglisë në atë kohë dhe rolin e grave në të.

Kush ishte Alice Mustian?

Alice Mustian mendohet të ketë lindur në fillim të viteve 1570 dhe vdiq në vitin 1633. Ajo jetoi me bashkëshortin e saj Roger Mustian, një prodhues qirinjsh, në famullinë e St Thomas, Salisbury, dhe kishte tetë fëmijë. Të dhënat nga kisha e famullisë tregojnë se Mustianët ishin relativisht të pasur sipas standardeve të zonës.

Çifti kishte shumë miq, por edhe armiq. Sipas vendasve, Mary Roberts, e cila ishte zhvendosur në famulli rreth dhjetë vjet para dramës për të cilën po flasim, ishte një armike e tillë. Siç dëshmonte një vendas:

Roger Mustian dhe e shoqja ishin armitqë kryesorë për Mary Roberts. Kishte shumë grindje dhe armiqësi mes tyre.

Shfaqja që tronditi qytetin

Dita në të cilën kjo armiqësi arriti pikën e vlimit ishte kur dëshmitarët panë katër fëmijë të lagjes, të moshës 10 deri në 12 vjeç, duke ndërtuar një skenë me fuçi të vjetra në oborrin e shtëpisë së Mustianëve.

Kur shfaqja po fillonte, Alice doli në hyrje të oborrit për të mbledhur “biletat”, njëfarë monedhe që fëmijët e përdornin në lojërat e tyre.

Sipas fqinjëve që panë shfaqjen, kulmi i saj erdhi kur një personazh i quajtur "Robin Djalli" u kap i zhveshur dhe në një pozicion kompromentues me gruan e një argjendari, nga burri i saj dhe policia lokale.

Ndërsa ne nuk e dimë se sa e madhe ishte audienca, të paktën një familje, Benburys, që shtëpinë pranë tyre, e identifikoi skenarin si një ritregim të hollësishëm të thashethemeve të lagjes nga dy vjet më parë.

Lajmi për performancën arriti shpejt te vetë subjekti i këtyre thashethemeve, Mary Roberts. Një banor i Salisbury-t, Rombald Benbury, i cili e kishte parë shfaqjen, raporton reagimin e Roberts:

…kështu që sapo Mary Roberts dëgjoi për skenarin ku ishte përmendur dhe shfaqjen që e kishte turpëruar dhe diskredituar, ajo u zemërua shumë, dhe në kulmin e inatit, tha se do ta padiste Alice Mustian-in.

Kjo ndodhi shumë shpejt. Roberts e hodhi në gjyq zonjën Mustian për shpifje (vendimi për çështjen mbetet i panjohur).

Gratë si dramaturge

Meqenëse ideja që kemi krijuar për teatrin e hershëm modern anglez ka tendencë të bazohet në tekste të mbijetuara, njohuritë tona për gratë e asaj kohe që shkruanin shfaqje janë të kufizuara në një grusht shembujsh. Shpesh këto pjesë janë shkruar nga gra të familjeve aristokrate që lëviznin në qarqet elitare dhe letrare.

Mustian, nga ana tjetër, është krejtësisht ndryshe prej tyre, një grua e klasës së mesme që shkruan për komunitetin e saj lokal. Ndërkohë që ajo është përmendur ndonjëherë si shembulli i një gruaje të modernizmit të hershëm e lidhur me performancën, studiues të mëparshëm, të pavetëdijshëm se sa i përpunuar ishte produksioni i saj, kanë pasur prirjen ta konsiderojnë atë jo si dramaturge, por thjesht si një improvizuese, një “one woman show”.

Por kjo, sugjerojmë ne, nuk e jep të plotë figurën e Alice.

Dëshmitarët në gjyq ofrojnë prova bindëse se ka pasur një tekst të shkruar para shfaqjes. Margaret Benbury, fqinja e gruas në fjalë, pretendon se Mustian "i nxiti dhe i mësoi aktorët që ishin në skenë".

Mënyra se si Mustian zgjodhi të vinte në skenë dramën e saj në oborrin e shtëpisë sugjeron se ajo kishte njëfarë familjariteti me praktikat më të gjera të performancës së kompanive profesionale (me shumë mundësi i kishte parë ato në turne në Salisbury) dhe mund të jetë përpjekur t'i imitojë vetë këto praktika. Në të vërtetë, mbledhja e një tarife pranimi te dera e saj të kujton mënyrën se si Queen's Men (kompania kryesore e aktrimit profesionist të viteve 1580) ishte praktikë "në derën e sallës" gjatë shfaqjeve në Leicester në 1590.

Ne gjithashtu e dimë se ndërsa Mustiani kishte vajza adoleshente, një djalë nëntë vjeçar i quajtur Augustine Hodds ose Hodges luajti rolin femëror. Kjo ishte një kohë kur fenomeni "aktorja djalë" ishte i kudondodhur midis kompanive kryesore të teatrit profesionistë.

Siç e bëjnë të qartë provat, Mustian ishte dukshëm e aftë të niste dhe planifikonte logjistikën e një argëtimi të tërë dramatik, duke shërbyer si dramaturge dhe sipërmarrëse.

Nuk mund të themi se Mustian është "tipike" e dramaturgëve amatorë gjatë kohës së saj për shkak të numrit të madh të dramave të humbura. Por mund të themi se puna dhe sprova e Mustian-it na japin një pasqyrë të “qilimit” të pasur social të Anglisë së hershme moderne dhe gamës së gjerë të njerëzve që mund të kenë shkruar dhe interpretuar drama në atë kohë.

* Profesor i Shekspirit dhe Dramës së Hershme Moderne, Universiteti i Melburnit

* Profesor i Letërsisë Angleze të Hershme Moderne, Universiteti i Bristolit

* Asistent Profesor i Anglishtes, Universiteti i Torontos

/ The Conversation / 

Përkthimi: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.