Kriza kryesore e vendit
Qëndresa Qytetare ka publikuar së fundmi një raport mbi zgjedhjet në universitete. Në gjetjet e këtij raporti vihen në dukje disa probleme si garë me një kandidat, mungesë kontrolli(përveç Universitetit Bujqësor” për plagjiaturë në punime të kandidatëve, ndikim të votës mbi studentët, peshë e vogël spcifike e votës së studentëve, apo edhe përdorim me kuti votimi me logo partiake.
Sa I përket çështjes së plagjiaturës ky është një problem i raportuar më herët, por për të cilin asnjë masë nuk është marrë. Edhe pse titujt dhe dekoratat e universiteteve tona nuk dihet nëse duhen gjetiu veç si kriter për karrierë administrative në sistemin universitar tonin, plagjitura përbën një problem serioz dhe me pasoja afatgjata që do të duhet të ishte minimalisht në vëmendje të agjencive përkatëse. Kjo pasi degradimi profesional e kthen universitetin në aneks të politikës dhe nëse shohim kritikat për zgjedhjet që zhvillohen aty nuk mund të mos vësh re ngjashmëritë me zgjedhjet politike dhe ato vendore.
Edhe universiteti, e madje edhe mënyra sesi po funksion edhe Akademia e Shkencave, janë pasqyra të politikës dhe që këtu ne mund të nxjerrim një përfundim të konfirmuar se fakti se në Shqipëri nuk reagohet siç duhet, pavarësisht gravitetit të skandalit, fakti se edhe për atë që ndodhi tek Onkologjiku, është kryeministri dhe opozita që caktojnë mëkatarët, ilustron se në çfarë lloj gjendjeje rrëgjimi është shoqëria sot.
Nuk ka pse të çuditemi atëherë për kurthin ku është futur pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, në të cilin spikasin prej kohësh protesta fermerësh, blegtorësh, apo edhe studentësh që janë edhe pjesa më e shpërfillur. Më e papërfaqësuar dhe me interesa të parregulluara.
Me krizën e madhe të universiteteve, që në sytë tanë vetëm sa shpërfaqet përciptazi, jepet dëshmia e rrëgjimit edhe të hierarkive morale në këtë vend, që janë premisë e kodit funksional të mbarë shoqërisë, edhe brenda suazës së një sistemi të tregut të lirë. Ajo ilustron në vetvete edhe prirjen e pakontrolluar të çdo pushteti që rri gjatë që të shtrijë ndikimin, kapjen, të formalizojë autonomitë dhe paradigmën kushtetuese të kontroll-balancimit, përmes emërimeve dhe fabrikimit electoral edhe në sistemin universitar duke e bërë këtë me mekanizmat e kandidaturave shumë të papërshtatshme, që janë të identifkuar në aspektin partiak, gjithë një proces analog me kriminalizmin e parlamentit. Vetëm se këtu kriminalizim është aspekti profesional dhe etik.
Që është e ëvrtetë kjo e tregon edhe fakti se në rënien e vazhdueshme të renditjes së universiteteve shqiptare në botë, nuk ka asnjë reagim, asnjë dorëheqje, apo analizë, por vetëm alibi dhe shfajësime. Refleksi imediat i kësaj është edhe ulja e vazhdueshme e nivelit të nxënësve pasi arsimi është një sektor zinxhir shkak-pasojë që përfundon degradimin te hallka e fundit. Nuk mund të ketë krizë më të thellë sesa kjo, pasi është afatgjatë, instalon hierarki të rreme, normon mediokritetin dhe nepotizmin duke zhbërë investimin e madh për shkollën që është bërë – aq sa u bë – në shekullin që lamë pas.
s.zaimi
Add new comment