Dy fjalime pati sot Shqipëria!
Lexoni fjalën e Agron Gjekmarkajt sot në Parlament. E ka publikuar syri.net, media pranë Berishës dhe teorikisht kundër Bashës. Gjekmarkaj është politikisht një ylberist parimor, pra ai bën kalime diametrale duke iu përmbajtur parimeve. Sot z. Gjekamarkaj e ndante Shqipërinë në “ata” dhe “ne”, ku Ata janë qeveritarët dhe të vetët, të cilëve u shton shumë epitete dhe cilësime.
Mandej ky tribun i oksidentalizmës në politikë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të “ngrihet në lartësinë e nevojave që ka Shqipëria!!!” dhe të ngrenë zërin në mbrojtje të zgjedhjeve të lira. Mandej ai flet për përballje, fatura e të tjera mrrokulla që as nuk vijnë në kandar të thëna nga dikush që në politikë është përjetësisht në përpjekje për të qenë dikush diku, e për ta mbyllur me një paralajmërim:
I sherbejme njeri tjetrit qe te mbetemi të lirë” Ndërsa ju i sherbeni nje njeriu qe te te shnderrohemi te gjithe ne rober! Nuk do ju lejojmë!
Tani Shqipëria është më e sigurtë, Perëndimi po ashtu më i afërt me ne.
Lexoni mandej fjalën e Elisa Spiropalit në një aktivitet të Akademisë së Shkencave mbajtur për Fan Nolin dhe të ashtuquajturin Revolucion të Qershorit të 1924-ës. Në frymë të kujton Gjekmarkajn, por ndoshta zonja Spiropali nuk e ka shkruar vetë, me mendjen e vet d.m.th.
Mjafton të mbash përpara këto dy letra për ta perceptuar në ajër arketipin politik të Shqipërisë: dukje, fasadë, fjalë, kapardisje dhe asgjë tjetër. Majtas dhe djathtas. Njëri për Skënderbeun e Dritares, tjetra për Skënderbeun e Surrelit. Formalisht Akademia nuk ka pse fyhet që qeveria e begenins Nolizmin dhe Fan Nolin me ministre Spiropalin, akademikët ndoshta po. Do të duhet të ishin fyer. Megjithëse në të vërtetë aktiviteti në fjalë fyen shumë shqiptarë, pasi lartëson një ngjarje që hyn në repertorin e rrugaçërisë politike të shqiptarëve.
Është një ngjarje që pasoi një toksikim ligjërimor ekstrem, prej nga ku gjeneron edhe kjo kultura e këtyre dy bilbilave politikë të mësipërm që e ndajnë botën në “ata” dhe “ne”, kur në fakt janë një kazan i vetëm.
Add new comment